Letër drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës

Opinione

Letër drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës

Nga: Miftar Zagragja Më: 23 gusht 2025 Në ora: 09:07
Miftar Zagragja

I nderuar Kryetar i Kuvendit, 

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, 

Me këtë letër dëshiroj të shpreh shqetësimin tim të thellë si qytetar i Republikës së Kosovës, lidhur me faktin se Kuvendi i Republikës, institucioni më i lartë përfaqësues i popullit, prej kohësh po përballet me bllokada dhe mosfunksionim të plotë. 

Është e pashpjegueshme për qytetarët se përse Kuvendi, edhe pas shumë proceseve zgjedhore dhe përpjekjeve demokratike, vazhdon të ketë vështirësi serioze në formimin dhe funksionimin e tij normal. 

Pse Kuvendi i Kosovës, si institucion i zgjedhur nga populli, nuk ka arritur ende të ushtrojë në mënyrë të plotë përgjegjësitë kushtetuese dhe demokratike? 

Kjo pyetje mbetet thelbësore për çdo qytetar, pasi bllokadat politike minojnë besimin e shoqërisë në institucionet e saj dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Apeloj fuqishëm që deputetët e Kuvendit të lënë mënjanë interesat partiake dhe të vendosin mbi to interesin kombëtar, duke siguruar funksionalitetin e plotë të Parlamentit. Vetëm një Kuvend i bashkuar dhe aktiv mund të garantojë stabilitet politik, zhvillim shoqëror dhe integrim të suksesshëm evropian. 

Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe përfaqësuese, që të punojnë në shërbim të qytetarëve dhe për një të ardhme më të sigurt. 

Duke shpresuar se ky shqetësim do të merret seriozisht dhe se Kuvendi do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për ta tejkaluar këtë gjendje, ju përshëndes me respekt. 

Me nderime,nga Miftar Zagragja. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat