Në Kosovë, në tokën e gjakderdhjes dhe përbuzjes, njerëzit ikin nga kjo botë jo siç ikin të tjerët, por siç i përpin terri i heshtur i një sistemi të kalbur. Një sistem që nuk të vret në shesh të hapur, por të shtrëngon ngadalë, deri sa ti vetë të bëhesh gjykatës, prokuror e ekzekutor i shpirtit tënd.
Kryegjyqtari i Skenderajt, që duhej të ishte figura e ligjit dhe drejtësisë, përfundoi në vetëgjykim. Dhe askush nuk e bëri pyetjen e tmerrshme: pse?
A thua ishte një vendim i lirë, apo një dorë e padukshme, një teh i mprehtë që i futej në shpirt çdo ditë, derisa u thye?
Por ai nuk është i vetmi. Kishim rastin e Dino Hasanajt, njeriut të strukturave të sigurisë, që na e shiten si vetëvrasje, sikur të ishte ndonjë roman i zi i jetës së tij private.
E pyes veten dhe ju :
Kush e kontrollon narrativën e jetës dhe të vdekjes në këtë vend ?
Ne, që bëjmë sikur besojmë, apo ata, që duan të mbulojnë gjurmët?
Dhe më pas vijnë emrat e tjerë – Astrit Dehari, një idealist i ri, që e mbylli frymën në qelinë e vet. E shpallën “vetëvrasës”, ndërsa Kosova qau me dyshime të heshtura. Çdo gur i burgut të Prizrenit ende dridhet nga ajo natë e mallkuar. Ai nuk iku si samuraj, por si dëshmi se shteti ynë di ta mbytë idealizmin më mirë se armiku.
Nuk duhet harruar as Rauf Ibishi, polici që “ia mori vetes jetën” në rrethana të mjegullta. Dhe Agron Mustafa, ish-drejtori i PTK-së, që po ashtu u gjet i vdekur në një hotel, me “histori depresioni”. Sa lehtë u shpall depresioni, sa lehtë u mbulua gjithçka me fjalën sterile “vetëvrasje”!
Secili prej tyre është si një personazh i romanit të Dostojevskit:
një Astrit Dehari që mund të ishte një Raskolnikov i pastër, i pafajshëm, por i flijuar nga një rend i kalbur;
një Dino Hasanaj që endet si Stavrogini, i shkatërruar mes ideve dhe presioneve;
një kryegjyqtar që mban mbi supe fajet e një populli të tërë, por që në fund bie si Mishkini i shkatërruar nga shoqëria.
Dhe Kosova… Kosova është vetë si një “Bodrum i Shpirtrave të Vdekur”, ku çdo vetëvrasje nuk është akt i vetëdijshëm, por një pasqyrë e tmerrshme e realitetit tonë, sepse të gjithë e dimë që këto vdekje nuk janë thjesht vetëgjykime, por pak kush ka guxim ta thotë të vërtetën.
Në thelb, dilema është kjo:
A po jetojmë në një vend ku njerëzit e institucioneve vrasin veten nga nderi – si samuraj japonezë që e kanë humbur rrugën në Ballkan? Apo jetojmë në një vend ku ata vriten ngadalë, përmes shantazheve, korrupsionit dhe frikës, derisa dora që të shtyn në humnerë të mbetet e padukshme?
Kosova nuk ka samuraj. Kosova ka viktima të heshtura, të cilëve ua shkruajnë historinë të tjerët.