Pas zgjedhjes së Kryetarit dhe katër nënkryetarve të Kuvendit të Kosovës, janë krijuar kushtet për procedimin e mëtutjeshëm në formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Arsyetimi i partive të deridjeshme opozitare si alibi ose justifikim për mospërmbushjen e detyrimit nga dy Akgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese për të marrë pjesë në vendimmarrje, nuk është i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse ky arsyetim bazohet në Rregulloren e punës së Kuvendit, dispozitat e të cilës nuk janë në pajtim me Kushtetutën.
Së pari, mendoj se nuk është shkelje e procedurave të punës së Kuvendit, nëse propozimet e Kryesisë paraprake të Kuvendit të Kosovës, pësojnë ndryshime në seancat e Kuvendit, gjë që edhe ndodhi me rastin ndryshimit të procedurës së mënyrës së votimit nga praktika paraprake, sepse e njëjta nuk është normë por praktikë. Gjithashtu, konsideroj se nuk ka pas shkelje të Kushtetutës në rastin e tentimit të pasuksesshëm të zgjedhjes së nënkryetarit të pestë, sepse, për dallim nga precedenti i vitit 2014 për Kryetar të Kuvendit, propozimi i nënkryetarëve, sipas nenit 67.4 të Kushtetutës, nuk është e drejtë ekskluzive e partisë me numër më të madh të deputetëve nga komuniteti serb. Përndryshe, do të ishte në kundërshtim me parimet e pluralizmit dhe atë të mosdiskriminimit, rrjedhimisht në kundërshtim edhe me Kushtetutën tonë, (shih rastin Sejdiç dhe Finci të Gjykatës së Strasburgut nga Bosnja dhe Hercegovina). Kjo, aq më parë, kur dihet se Kosova është shtet unik (pra jounitar - shih opinionin tim në një shkrim paraprak), dhe në mesin e deputetëve nga komunitetet joshumicë, ka edhe deputet individual.
Prandaj kusht i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për zgjedhjen e nënkryetarëve është që propozimi të fitojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave të deputetëve. Pasi kjo shumicë nuk u sigurua në seancën konstituive, për shkak të mospjesëmarrjes në vendimarrje të shumë deputetëve, përkundër detyrimit nga dy Aktgjykimet e pëmendura, do të ishte gabim që shkohet në zgjedhje të sërishme, pa u shfrytëzuar dy afatet e përcaktuar me Kushtetutën tonë për formimin e Qeverisë. Kjo pë arsye se ka gjasa reale që edhe pas zgjedhjeve të sërishme, të kemi situatë të ngjashme të bllokadave irracionale.
Prandaj, me zgjedhjen e Kryetarit, kur të merren parasysh përgjegjësitë e tij nga neni 67.7 i Kushtetutës së Republikë së Kosovës, por dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit, sipas dispozitave përkatëse të kësaj Kushtetute, dhe duke pas parasysh, në këtë rast, edhe mendimin mospajtues të gjyqtarit të jashtëm Carolan, nga Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, mendoj se duhet të fillojnë të rrjedhin afatet e parapara për formimin e Qeverisë, nga dita e dhënies së mandatit nga Presidentja. Brenda këtyre afateve imponohet nevoja për vullnet të mirë, bisedime serioze dhe kompromise të sinqerta, për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 e më tepër votave të deputetëve, me synim që të evitohet përsëritja e zgjedhjeve.
Të mos harrohet fakti se në praktikat parlamentare të shteteve të ndryshme, hasim edhe raste të formimit të të ashtuquajtur Qeveri e pakicës. Pse duhet përjashtuar edhe ky opsion nga partitë pjesëmarrëse në Parlament, kur të merret parasysh shumica relative solide e numrit të deputetëve të koalicionit parazgjedhor, deklarimi për konstruktivitet i Kryetarit të LDK-së, pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të fundit, por edhe refuzimi i ofertës për marrëveshje koalicionimi paszgjedhor nga LDK-ja.
Opsioni i zgjedhjeve të sërishme, jo vetëm që është gabim i pafalshëm në këtë fazë dhe në situatën aktuale, por konsideroj se do të ishte precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit tonë në të ardhmen. Thënë së buti, pjesëmarrësit në këtë gabim të pamatur dhe apsurd, kujtoj se do të mbeten të turpëruar, kur të merret parasysh në këtë rast thënia e njohur, e cituar në një opinion tjetër me shkrim, e Benjamin Franklin: “Çfarëdo që fillon me inat, përfundon me turp”.