Si pasojë e ngërçit institucional, kohëve të fundit, në mediat tona është duke u komentuar shumë rreth kompetencave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Më të zëshëm janë z.Enver Hasani dhe z.Kadri Kryeziu, i pari ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa i dyti nënkryetar i saj. E them menjëherë se sqarimet e të dy hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë të kundërshtueshme me njëri-tjetrin.
Unë personalisht, sado që nuk jam i rangut të z. Enver Hasani dhe z. Kadri Kryeziu, m] duhet të them se që të dy nuk e shpjegojnë saktë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe vërej se, edhe njëri edhe tjetri, e shpjegojnë atë sipas dëshirës së tyre, e jo sipas asaj të cilën që të dy e kanë nënshkruar nëse vetë e kanë hartuar Kushtetutën e Kosovës.
Në lidhje me çështjen kryesore nëse Republika e Kosovës është shtet multietnik apo unitar, unë përveçse e kam lexuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i kam bërë pyetje edhe ChatGPT-së: A është Kosova shtet multietnik apo unitar? Përgjigja e ChatGPT-së ishte kjo: “Kosova është një SHTET MULTIETNIK dhe jo UNITAR në kuptimin e një shteti homogjen në aspektin etnik dhe administrativ” (shih foton me përgjigjen e ChatGTP)!
Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës sqaron: “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike (pra, shtet multietnik), e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore”.
Pra, njëso si neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si përgjigja e ChatGPT-së e thonë të kundërtën – Kosova është shtet MULTETINIK, jo UNITAR! Megjithëkëtë, unë nuk ndjej kënaqësi nëse “fitoj” ndaj z.Kadri Kryeziu, përkundrazi, më vjen shumë keq që realiteti e dëshmon krejt të kundërtën e asaj që është dhe të asaj që ne si popull e dëshirojmë.
Unë e çmoj z. Kadri Kryeziu dhe të gjithë tjerët për punën e tyre të cilën ata e kanë bërë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Unë, gjithashtu, e kam parasysh presionin e faktorëve ndërkombëtarë ndaj hartuesve të Kushtetutës për ta bërë një Kushtetutë sa më të pranueshme për një grusht serbësh (prej rreth 3% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës). Mirëpo, në disa raste është dashur të ngulet këmbë, e jo me dorën tonë të pranojmë gjithçka në dëmin tonë, pra të shqiptarëve (të cilët përbëjnë rreth 94% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës). Miqve ndërkombëtarë është dashur t’ua bëjmë me dije faktin se Kosova ka qenë dhe është vend me popullsi më homogjene në Iliri (Ballkan), Evropë e më gjerë, ndaj si e tillë, nuk mund të jetë shtet multietnik, por thjesht monoetnik – shqiptar! Nuk është dashur t’u themi ndërkombëtarëve gjithmonë “Yes, sir”! Ja, pasojat me të cilat po ballafaqohemi sot!
Edhe fëmijët e dinë se një shumicë prej rreth 94% nuk mund të barazohet me një pakicë prej rreth 3%. Pse hartuesit e Kushtetutës kanë pranuar që gjuha serbe të jetë plotësisht e barabartë me gjuhën shqipe, madje edhe në ato vendbanime ku nuk ka, as nuk pa pasur asnjë serb të vetëm?! Pse nuk e kanë marrë për shembull Maqedoninë e Veriut, fqinjin tonë, ku shqiptarët edhe pse përbëjnë mbi 25% të popullsisë (siç e pranojnë edhe vetë zyrtarët sllavomaqedonas sado që numri i tyre është rreth 35%), nuk e kanë statusin e kombit shtetformues? Pse nuk ia kanë përkujtuar ndonjëherë ndërkombëtarëve se edhe gjuha shqipe nuk është zyrtare në krejt RMV-në, por gjuhë e dytë, gjithmonë pas të ashtuquajturës gjuha maqedone, dhe vetëm në ato vend ku shqiptarët janë mbi 20 %!
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sado që të gjithë qytetarët e saj konsiderohen komunitete (?), në mënyrë implicite synohet të bëhet e qartë se vetëm shqiptarët dhe serbët janë popuj shtetformues, gjegjësisht bartës të sovranitetit, përderisa të tjerët, boshnjakët, romët, goranët, turqit etj, mbeten pakica. Se është kështu dëshmon kërkesa e përhershme e ndërkombëtarëve për ta themeluar të ashtuquajtur Asociacion vetëm për serbët, e jo edhe për pakicat tjera. Ndërkaq, kur është fjala për Asociacionin, të cilin unë nuk e kuptoj ndryshe, veçse shkëputje, nëse ne do ta lejojmë themelimin e tij, qoftë me apo pa kompetenca ekzekutive, atëherë me këtë do ta pranojmë ndarjen e Kosovës, e cila do të ndodhë menjëherë pas themelimit të tij, dhe të cilën do ta pranojnë edhe ndërkombëtarët!
Bosnjës dhe Hercegovinës: Në ish-Jugosllavi ka pasur kombe dhe kombësi. Në BeH, edhe boshnjakët, edhe serbët, edhe kroatët, të cilët për nga numri kanë të përafërt me njëri-tjetrin, kanë pasur statusin e kombit. Lufta e viteve 1992-95 ka sjellë fitoren e të fortëve, serbëve dhe me këtë është bërë ndarja faktike e BeH-së: në Federatën boshnjako-kroate dhe në Republikën Srpska. E para, Federata boshnjako-kroate është shtet në letër, ndërsa e tyta, Republika Srpska, është shtet de facto, dhe herët a vonë do të bëhet e edhe de jure për t’iu bashkangjitur Serbisë përfundimisht. Rasti i BeH-së dëshmon se drejtësinë e ndan i forti (Serbia), ndërsa atë e pranon, me apo pa dëshirë, i huaji, gjegjësisht ndërkombëtarët. Duke marrë shembullin e BeH-së, desha të vë në pah se BeH dhe Kosova nuk kanë gjer a të përbashkëta.
T’i kthehemi Kosovës sonë. Mund ta analizojmë si të duam e si të dëshirojmë ne. Mirëpo, çdokush që kupton pak, e di se Lista Srpska është vdekje për shtetësinë e Kosovës. Ose, Lista Srpska është njësoj sikur ta kesh Serbinë brenda në Kuvendin e Kosovës, dhe gjithë Kosovën nën Serbi!
Sipas Planit të Marti Ahtisáarit, në bazë të të cilit është hartuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhjetë (10) vendet e rezervuara për serbët e Kosovës kanë qenë të parapara vetëm për dy mandate, jo më shumë. Mirëpo, “zemërgjerësia”, apo papjekuria e pushtetarëve tanë ua fali serbëve këto 10 mandate përgjithmonë! Duke qenë kështu, ne vetë i kemi lidhur këmbët tona sepse, sot pa 2/3 e serbëve nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën, apo jo z. Kadri Kryeziu? Kush mund të më bind se 6 nga 10 deputetët e Listës Srpska do të votonin pro Kosovës, dhe njëkohësisht kundër Serbisë, kur dimë ata paguhen dhe punojnë hapur për Serbinë?!
Një mundësi të artë e kemi pasur, por si shumëherë në histori, nuk i kemi shfrytëzuar ato. Kemi rastin ta shpallim terroriste Listën Srpska, ashtu siç është në fakt, dhe rrjedhimisht të mos e certifikojmë për zgjedhje. Partitë politikë shqiptare duhet të bëhen bashkë për të mirën e Kosovës, o sot o kurrë, dhe ta heqin qafe kancerin e shtetit të Kosovës, Listën Srpska. Duhet të votohet për nënkryetar kuvendi Nenad Rashiq, serbi i cili njeh shtetin e Kosovës. Përndryshe, po vazhduam me Listën Srpska siç kemi vazhduar deri sot, më mirë ta pranojnë shkëputjen e veriut sot, sesa nesër !