Miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një histori e shkruar me sakrifica, besim dhe shpresë. Në ditët më të errëta për popullin tonë, ishte Amerika që qëndroi pranë nesh, duke na mbrojtur të drejtën për liri dhe dinjitet. Kjo lidhje nuk është vetëm politike, ajo është e ngulitur në ndërgjegjen e kombit tonë dhe do të trashëgohet brez pas brezi.
Vendimi për pezullimin e përkohshëm të dialogut strategjik me SHBA-të ka ngjallur shqetësim dhe ndjenja të padrejtësisë. Nuk bëhet fjalë për mospajtim të thellë, por për një keqkuptim në perceptim. Qeveria e Kosovës po kërkon vetëm zbatimin e Kushtetutës,një dokument i ndërtuar me ndihmën dhe bekimin e aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë. Të respektosh Kushtetutën nuk është akt sfidues, por shenjë e përkushtimit për t’i qëndruar besnik parimeve që vetë miqtë tanë na i kanë mësuar.
George Washington thoshte se “miqësia e vërtetë është një pemë që rritet ngadalë dhe duhet të kalojë përmes vështirësive që të mund të quhet e tillë”. Kjo metaforë përshkruan saktësisht marrëdhëniet Kosovë–SHBA. Si çdo pemë, edhe kjo miqësi ka nevojë për rrënjë të forta, besimin e ndërsjellë,dhe për degë të gjera,lirinë dhe demokracinë që bashkërisht kemi ndërtuar. Sfida dhe keqkuptime do të ketë gjithmonë, por ato nuk e dobësojnë pemën,përkundrazi, e bëjnë atë më të fortë dhe më të qëndrueshme.
Miqësia e Kosovës me SHBA-të nuk është thjesht interes gjeopolitik, por një lidhje shpirtërore dhe historike. Ajo është ndërtuar mbi dy shtylla të përhershme: drejtësinë dhe besimin. Vetëm duke i respektuar këto parime, mund të forcojmë edhe më shumë partneritetin që ka sjellë paqe dhe siguri në rajon.
Asnjë vendim i përkohshëm nuk mund të cënojë themelet e miqësisë Kosovë–SHBA. Përmes dialogut të sinqertë dhe respektit të ndërsjellë, kjo lidhje vetëm do të thellohet. Kosova e di mirë se liria dhe e ardhmja e saj janë të lidhura ngushtë me partneritetin amerikan.
Rrënjët tona janë të mbështetura te besimi, degët tona shtrihen drejt lirisë – dhe kjo miqësi do të mbetet e pathyeshme, sot dhe gjithmonë