Në Ukrainë lufta vazhdon. Samiti i Alaskës nuk solli aspak atë për të cilën është angazhuar Donald Trump, paqen. Përkundrazi këto ditë kanë ndodhur ngjarje akoma më të rrezikshme. Në Poloni u rrëzuan dronë të Rusisë dhe në Rumani u raportua po ashtu për dronë të njëjtë. Qartësisht Vladimir Putin po kërcënon me Luftën e Tretë Botërore dhe dëshiron që ta tërheqë NATO-n në këtë luftë. Donald Trump ka bërë thirrje për sanksione të ashpra kundër Rusisë. U ka kërkuar vendeve anëtare të NATO-s që të mos importojnë naftë dhe gaz nga Rusia.
Para këtyre zhvillimeve të fundit u mbajt në Republikën Popullore të Kinës samiti i Konferencës së Shangait, si dhe një paradë ushtarake në Pekin. Gjatë këtij samiti u duk sikur Lindja, sidomos tri shtetet më të fuqishme të saj, Kina, Rusia dhe India, po rivalizonin SHBA-të dhe Europën. Në fakt aty pati demonstrim që mund të interpretohej, por jo edhe të thuhej me saktësi se gjithçka që ndodhi në Kinë ishte një shfaqje anti-perendimore. Konferenca dhe parada natyrisht që patën si qëllim t’i thonin botës se “Jemi edhe ne këtu”, derisa aty, ndonëse ishin pak shtete, ato të gjitha së bashku përfaqësonin mbi 40 përqind të popullsisë dhe të GDP-së së botës.
Shumë politikanë, analistë dhe diplomatë i trajtuan këto zhvillime në kundërshti me njëra-tjetrën, sidomos qasjen në Alaska dhe atë në Kinë. Por në fakt duhet lexuar disi ndryshe. Por nëse Donald Trump në takimin e Alaskës tentoi t’i japë fund luftës në Ukrainë, unë besoj se edhe Samiti në Kinë dëshmoi përpjekjet për paqe dhe harmoni. Vladimir Putin është ai që nuk dëshiron paqe dhe samite të tilla, si atë të Alaskës dhe atë të Kinës, i shfrytëzon për të fituar kohë. Harmonia, paqja, koekzistenca dhe qeverisja e përbashkët e planetit, ishin mesazhet presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping. Kësisoj duket se në mënyra të ndryshme të dy palët folën për paqen. Përveç Vladimir Putin! Presidenti kinez, Xi Jinping, shtroi nevojën për një rend botëror me një qeveri të përbashkët legjitime dhe të aftë. Megjithatë deklarata e presidentit kinez u interpretua si kërkesë për rrënimin e rendit të sotëm. Ky interpretim e bëri zotin Xi të ritheksojë se ai është për modelimin e rendit të ri botëror, por jo për ta zevendësuar rendin e sotëm.
Në kohën e sotme ne jetojmë në një botë multipolare dhe në një botë të tillë është utopi të mendohet së njëra ose tjetra Fuqi e Madhe mund ta dominojë botën e vetme. Ndaj dhe presidenti kinez nxitoi të sqarojë domethënien e deklaratës së tij për rendin e ri botëror, duke theksuar modelimin e tij. A duhet modeluar ky rend që kemi sot? Këtë nuk e pranon vetëm Kina. Të gjitha vendet e mëdha e të vogla duan një rregull më të qëndrueshëm për rendin shoqëror, me qëllim që të mos ndodhin më në të ardhmen konflikte të tilla agresioni rus në Ukrainë, apo spastrimi etnik në Gaza.
Të gjithë ne e pranojmë se Këshilli i Sigurimit është i paaftë të marrë vendime për shkak të rregullit 80 vjeçar të vetos së pesë anëtarëve të Përhershëm të tij. Të gjithë e dimë se vendimet e Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk zbatohen, sepse mungojnë instrumentet për zbatimin e tyre. Madje nuk respektohet as Karta e OKB-së, dmth kushtetuta e “qeverisë së botës”, sepse mungon aparati “i dhunës” që imponon zbatimin e saj. Nëse sot Donald Trump u bën thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të mos blejnë naftë e gaz rus, kjo do të thotë se edhe sanksionet ndaj atyre që shkelin të drejtën ndërkombëtare e atë sovrane të shteteve janë mekanizëm pa efekt.
Por që të ndodhin të gjitha ndryshimet në dobi të njerëzimit, paqes, harmonisë dhe në dobi të sigurisë e stabilitetit planetar, do të duhet të plotësohet Karta e OKB-së, si dhe të vendosen instrumentet e zbatimit të vendimeve. Para së gjithash do të duhet një mekanizëm i ri në vendimmarrje. Ndaj dhe kur numri një i Republikës Popullore të Kinës tha diçka të tillë serioze, nuk ka pse kjo të deshifrohet përmes teorive konspirative!
Republika Popullore e Kinës është shprehur se respekton rendin e sotëm global. Dhe në këtë kuadër ajo është deklaruar edhe për një zgjidhje në Ukrainë, ku të ruhej integriteti territorial i saj. Ajo nuk e ka njohur pushtimin rus të Krimesë, por mban marrëdhëniet e trashëguara para luftës me Rusinë. A mos duhet përdorur ky fakt si aset për t’i kërkuar Kinës të ndërhyjë për ndaljen e luftës dhe krijimin e paqes në Ukrainë?! Ndoshta kjo do të ishte më e dobishme sesa qëndrimet arriviste të Emmanuel Macron.