Marrëveshja e munguar – ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

Opinione

Marrëveshja e munguar – ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

Nga: Agim Vuniqi  Më: 5 tetor 2025 Në ora: 08:12
Agim Vuniqi 

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kthyer në një spirale pa përfundim të qartë. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare, raundet e pafundme të takimeve në Bruksel dhe Ohër nuk prodhuan rezultatin e pritur: një marrëveshje të nënshkruar që do të mbyllte kapitullin e konfliktit ballkanik dhe do të hapte rrugën drejt njohjes reciproke.

Në fakt, Serbia, megjithëse në mënyrë formale pranoi planin franko-gjerman të mbështetur nga BE dhe SHBA, në fund refuzoi ta nënshkruajë. Presidenti Aleksandar Vuçiq, me një gjuhë të dyfishtë politike, pranoi përmbajtjen por mohoi aktin e nënshkrimit – një manovër tipike diplomatike që ruan imazhin e “bashkëpunimit” përballë Brukselit, por shmang çdo detyrim juridik përballë opinionit nacionalist në Beograd. Kjo strategji e kujdesshme, në thelb, është ajo që ka mbajtur të ngrirë procesin që nga 2011 e deri më sot.

Kjo situatë rikujton skenarin e njohur nga Lindja e Mesme – marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Yitzhak Rabin dhe Yasser Arafatit. Edhe aty, një mungesë nënshkrimi në momentet vendimtare çoi drejt fragmentimit të procesit të paqes dhe, për pasojë, në izolimin e Gazës. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, rreziku është i njëjtë: mungesa e vullnetit për të kurorëzuar me nënshkrim një marrëveshje mund ta çojë rajonin drejt një realiteti paralel, ku tensioni dhe mosbesimi mbeten norma e përditshme politike.

Në thelb të këtij debati juridiko-politik qëndron Neni 11 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969). Ky nen përcakton qartë se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve që nuk e kanë njohur njëri-tjetrin mund të ketë karakterin e një traktati ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, mungesa e njohjes reciproke nuk e bën të pavlefshme marrëveshjen. Parimi universal “pacta sunt servanda” – marrëveshjet duhen respektuar – garanton që çdo marrëveshje e arritur në mirëbesim, edhe mes palëve pa marrëdhënie diplomatike, mbetet ligjërisht e detyrueshme.

Ky parim është themeli mbi të cilin qëndron e drejta ndërkombëtare moderne. Ai e shndërron fjalën e dhënë në një obligim juridik dhe politik, duke ruajtur stabilitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në kontekstin e Kosovës dhe Serbisë, kjo do të thotë se marrëveshja e Ohrit, edhe pa nënshkrim formal, në parim krijon detyrime për palët – aq më tepër kur është pranuar publikisht dhe mbështetur nga aktorë ndërkombëtarë.

Por problemi nuk qëndron vetëm në aspektin juridik – ai është politik dhe moral. Serbia kërkon përfitimet e një procesi paqësor pa marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Kosova, nga ana tjetër, mbetet e kufizuar nga mungesa e njohjes dhe nga presioni për kompromis. Në këtë ekuilibër të brishtë, BE-ja shfaqet si ndërmjetës që s’ka instrumente detyruese, ndërsa SHBA ruan rolin e arbitrit moral, pa imponuar zgjidhje konkrete.

Në fund, mosnënshkrimi i marrëveshjes është simptomë e mungesës së guximit politik. Sikurse Arafati dikur hezitoi përballë realitetit të Gazës, Vuçiq sot heziton përballë nacionalizmit serb. Por historia dëshmon se refuzimi për të firmosur paqen, në fund, nënshkruan konfliktin.

Nëse Ballkani Perëndimor dëshiron të shmangë “Gazën e vet politike”, atëherë BE dhe SHBA duhet të tejkalojnë diplomacinë e fjalëve dhe të imponojnë respektimin e marrëveshjeve të arritura — sepse, sipas Konventës së Vjenës, fjala e dhënë është po aq e vlefshme sa nënshkrimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat