Mitrovica, një qytet me histori industriale të pasur, po përballet sot me sfida mjedisore që nuk mund të injorohen më. Ndërkohë që shumë kandidatë për kryetar komune përqendrohen te infrastruktura dhe ekonomia, pak ose asnjë nuk kanë përfshirë një strategji serioze për ekologjinë. Kjo mungesë vizioni ka pasoja konkrete dhe të matshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Një studim i fundit mbi distribuimin e merkurit në tokën e Mitrovicës tregoi se sasitë e Hg (merkur) në sipërfaqe (5 cm thellësi) variojnë nga 0.02 deri në 11.16 mg/kg, me një mesatare prej 0.49 mg/kg. Kjo shifër është 13.2 herë më e lartë se mesatarja evropiane (0.037 mg/kg) dhe 8.2 herë më shumë se mesatarja botërore (0.06 mg/kg). Studime të tjera në rajonin e Mitrovicës kanë identifikuar nivele të larta të plumbit (Pb), zinkut (Zn), arsenikut (As) dhe metaleve të tjera në tokë: p.sh. plumbi arrin nivele që tejkalojnë standardet e lejuara të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian. Zona industriale e Mitrovicës ka sipërfaqe të ndotura që shtrihen mbi dhjetëra hektarë, afër lumenjve dhe zonave të banuara, duke e bërë ndotjen jo vetëm një problem ambiental, por edhe një problem direkt shëndetësor.
Cilësia e ajrit dhe grimcat PM2.5 / PM10
Raporti i UNICEF-it për Kosovën vë në dukje se nivelet e PM2.5 në ditë kanë arritur deri në 25 herë më shumë se limitet e sigurisë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo tregon se ajri që thithin fëmijët dhe të rriturit përbëhet shpesh nga grimca shumë të imëta që kanë kapacitet të depërtojnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut. Raportet e Agjencisë së Mjedisit dhe organizatave ndërkombëtare tregojnë se nivelet mesatare mujore të PM10 dhe PM2.5 shpesh tejkalojnë normat e lejuara, sidomos në stinën e dimrit dhe në zonat urbane me ngrohje me lëndë djegëse jo të filtruar. Sipas IQAir, për Kosovën në vitin 2024, niveli vjetor mesatar i PM2.5 është mbi rekomandimet e OBSH-së. Ky ekspozim i vazhdueshëm lidhet me rritjen e sëmundjeve kronike respiratore, kardiovaskulare dhe me rrezik të shtuar për kancer. Sipas një raporti të Bankës Botërore, ndotja e ajrit (sidomos PM2.5) kontribuon në viktima të parakohshme dhe në humbje të konsiderueshme ekonomike për Kosovën. Humbja e produktivitetit dhe rritja e shpenzimeve shëndetësore ndikojnë drejtpërdrejt në GDP dhe në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë. Askush nuk paraqet shqetësim për gjendjen alarmante të Spitalit të Mitrovicës në Bair, i cili gjendet në zonën më të ndotur të qytetit, ku toka është e kontaminuar deri në 80 cm thellësi. Nuk përmendet as indeksi i cilësisë së ajrit (AQI), i cili shpesh e tejkalon shumëfish normën e lejuar. Ndërkohë, trotuaret janë mbushur me mbeturina plastike, të cilave u duhen qindra vjet për t’u shpërbërë. Gjatë ditëve të nxehta, grimcat e plastikës (PM2.5) ngjiten në ajër dhe thithen nga popullata, substanca kancerogjene me pasoja fatale për shëndetin. Një tjetër problem i rëndë është mosmenaxhimi i qenve endacak. Në vend që të trajtohen me metoda humane e profesionale, ata shpesh lihen pas dore edhe helmonen, ose mbrenda natës depërtohen ne vise malore për të humbur tragje, duke krijuar një krizë shtesë humane dhe shëndetësore. Mitrovica ka nevojë urgjente për një plan ekologjik serioz që të përfshijë: Pastrimin dhe rehabilitimin e tokës së kontaminuar, monitorim të përhershëm dhe publikim transparent të cilësisë së ajrit, menaxhim modern të mbeturinave, reduktim të plastikës dhe riciklim funksional, trajtim human dhe program të qëndrueshëm për kafshët endacake, investime në edukim ekologjik dhe përfshirje të komunitetit. Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë mbi gjithçka tjetër. Pa një vizion ekologjik, çdo projekt tjetër për Mitrovicën mbetet i cunguar dhe i pakuptimtë.
Një grimcë PM2.5 ka diametër ≤ 2.5 mikrometra (µm), kurse një flokë njeriu ka diametër mesatar 70–100 µm. Kjo do të thotë se një flokë njeriu është rreth 28-40 herë më i trashë se një grimcë PM2.5. Pra, një grimcë PM2.5 është aq e vogël sa mund të depërtojë thellë në mushkëri dhe të kalojë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar sëmundje të rënda. Mitrovica po përballet me një krizë ekologjike dhe shëndetësore që nuk mund të injorohet më. Toka e ndotur, ajri i mbushur me grimca PM2.5 dhe PM10, mbeturinat e plastikës dhe mungesa e trajtimit të kafshëve endacake tregojnë qartë pasojat e mungesës së vizionit ekologjik. Çdo ditë e kaluar pa veprim është një rrezik për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht fëmijëve dhe të moshuarve. Mitrovica ka nevojë për politika konkrete dhe përfshirje aktive të qytetarëve për të siguruar një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Shëndeti, ajri, toka dhe jeta e qytetarëve duhet të jenë prioritet mbi çdo interes politik. Pa një vizion ekologjik të qartë, çdo përpjekje tjetër zhvillimore është e mangët.
Asnjë nga kryetarët e deritashëm të Komunës së Mitrovicës, përfshirë edhe kryetarin aktual, nuk ka zhvilluar konsultime me ekspertë të kësaj fushe dhe asnjëher nuk jan zhvilluar debate publike ose konsultime profesionale, për të marrë vendime të bazuara në njohuri shkencore. Në shtetet e civilizuara, ekologjia është prioritet kryesor dhe politikat merren mbi baza profesionale dhe shkencore. Pa një vizion të tillë, çdo përpjekje tjetër zhvillimore mbetet e mangët.