Ideja për ndarjen territoriale të Kosovës ka origjinë më të hershme dhe nuk është produkt i zhvillimeve të fundit. Ajo daton që nga Pleniumi i IV-të i Lidhjes Komuniste të Serbisë, në maj të vitit 1968, kur Dobrica Qosiq artikuloi për herë të parë kërkesën për coptimin e Kosovës. Më vonë, pas vitit 1981, Qosiq e shprehu publikisht dhe hapur këtë synim politik dhe gjeostrategjik.
Gjatë luftës së vitit 1998, Zoran Angjellkoviq – kryetar i të ashtuquajturit "Këshilli Provizor i Kosovës dhe Metohisë" – i bëri thirrje delegacionit rus që të marrë seriozisht në konsideratë ndarjen e Kosovës. Megjithatë, përgjigjja që mori ishte zhgënjyese për të: ishte "tashmë shumë vonë".
Këtyre përpjekjeve për ndarje dhe fragmentim të brendshëm të Kosovës iu bashkua edhe Bernard Kouchner, administratori i dytë i OKB-së në Kosovë. Ai propozoi kantonizimin e vendit, duke u përfshirë në diskursin që i jepte hov narrativave serbe. Por ky propozim u refuzua nga bashkësia ndërkombëtare, pasi nuk përputhej me vizionin e atëhershëm për një Kosovë unitare dhe funksionale.
Përpjekjet për kantonizim dhe coptim nuk kanë reshtur as pas luftës; përkundrazi, ato janë intensifikuar veçanërisht që nga viti 2018, kur këto ide filluan të artikulohen hapur. Këto skenarë u ndalën përkohësisht nga reagimi i fuqishëm i kancelares gjermane Angela Merkel, por fatkeqësisht nuk janë varrosur përfundimisht. Serbia vazhdon të ushtrojë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare, në përpjekje që Kosova të bëjë lëshime të njëanshme, duke shprehur qartë se synimi final mbetet coptimi i Kosovës.
Deri më sot, pala serbe ka bllokuar çdo iniciativë për paqe, nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje të nënshkruar – as nuk i ka trajtuar ato si marrëveshje shtetërore – dhe ka vepruar në mënyrë joserioze, të pasinqertë dhe destruktive në raport me Kosovën.
Në këtë kontekst, ka qenë një gabim strategjik që Kosova, që nga viti 2012, hyri në bisedime politike me Serbinë. Këto bisedime do të duhej të ishin ndërprerë atëherë, pasi u bë e qartë që Serbia nuk po negocionte në mirëbesim. Në vend të kësaj, diplomacia kosovare duhet të kishte kaluar në ofensivë diplomatike, duke i bërë të qarta qëndrimet ndaj Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe nuk mund të negociojë për çështje të brendshme apo për statusin e saj ndërkombëtarisht të njohur.
Kosova duhet të jetë e gatshme të dialogojë vetëm nëse ndaj Serbisë ushtrohet presion serioz ndërkombëtar për:
Zbulimin dhe kthimin e eshtrave të viktimave shqiptare të zhdukura gjatë gjenocidit serb në Kosovë,
Kompensimin për dëmet e shkaktuara gjatë luftës,
Ekstradimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë të luftës për krimet e kryera gjatë gjenocidit.
Deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka pohuar se "nuk ka një agjendë për bisedime me Prishtinën" dhe se "jemi gati për luftë", dëshmojnë qartë se Serbia nuk është e interesuar për paqe. Ky është një kërcënim i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dhe për këtë arsye duhet të shfrytëzohet nga diplomacia kosovare si argument për të ndërprerë menjëherë çdo dialog me Serbinë.
Serbia, përmes politikës së saj kërcënuese dhe procesit të armatosjes së vazhdueshme, e minon çdo përpjekje për paqe dhe stabilitet në rajon. Kërcënimet e Vuçiqit nuk përfaqësojnë më kërkesën për një asociacion të komunave me shumicë serbe, por një qëllim më të thellë – atë të një pushtimi total të Kosovës.
Serbia, nëpërmjet këtyre kërcënimeve, kërkon të faktorizojë veten ndërkombëtarisht dhe të ushtrojë presion mbi Kosovën për të bërë lëshime. Ajo e di mirë se nuk mund të pushtojë të gjithë territorin e Kosovës, por qëllimi i saj final mbetet ndarja e Kosovës, është diçka që unë them se nuk do ta arrij. Këtë synon ta arrijë përmes "bosnjëzimit" të vendit – përkatësisht, përmes krijimit të një asociacioni me kompetenca ekzekutive.
Në bazë të parimit juridik Rebus Sic Stantibus, që nënkupton ndryshimin e rrethanave, Qeveria e Kosovës e ka të drejtën legjitime – si nga sovraniteti i popullit ashtu edhe nga e drejta ndërkombëtare – që të mos zbatojë asnjë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, apo marrëveshje të tjera të ngjashme që rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.
Serbia është e përqendruar veçanërisht në veriun e Kosovës, me një fokus të theksuar në Mitrovicë. Kjo zonë përfaqëson një objektiv strategjik për Serbinë, për shkak të pasurisë së saj të madhe nën-tokësore. Profesori dhe akademiku Apollon Baçe ka cituar librin e Paul Stuart “Trepça Mining Complex”, ku vlerësohet se pasuritë minerare të Trepçës kapin një vlerë rreth 500 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, dijetari serb Dragan Cvjetiçanin ka pohuar se me rezervat e thëngjillit që ka Kosova, Serbia do të mund të mbulojë nevojat energjetike për njëzet shekujt e ardhshëm.
Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se pasuritë nën-tokësore të Kosovës janë shumë më të mëdha sesa ato që janë zbuluar deri më tani, por këto të dhëna mbahen të fshehura nga shtete të fuqishme – përfshirë vetë Serbinë. Hulumtimet zyrtare janë të cekëta dhe nuk përfshijnë shpime të thella apo studime të thelluara mbi gjithë territorin e Kosovës. Kjo shton bindjen se pasuritë natyrore janë një nga arsyet kyçe pse Serbia ka një interes kaq të theksuar për veriun dhe Mitrovicën.
Për më tepër, Serbia nuk lufton për kishat dhe manastiret në Kosovë – siç pretendon në diskursin publik – por për pasuritë e Trepçës, dhe për të arritur këto qëllime ajo instrumentalizon kishat ortodokse dhe ekstremizmin fetar ortodoks si mjet për ekspansion dhe propagandë shoviniste.
Menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, më 9 qershor 1999, Dobrica Qosiq deklaroi:
"E humbëm Kosovën, por do ta rikthejmë përmes kishave ortodokse në Kosovë."
Kjo është dëshmi e qartë e përdorimit të fesë për qëllime politike dhe territoriale