Për titullin dëshmor i atdheut

Opinione

Për titullin dëshmor i atdheut

Nga: Ilir Levonja Më: 9 tetor 2025 Në ora: 07:46
Autori Ilir Levonja

Ky, titulli ''dëshmor i atdheut'' është bërë tashmë bajat fare. Dëshmorë të atdheut janë ata që vriten në luftë me armikun e huaj, me ata që tentojnë të grabisin atdheun, qoftë territorialisht, qoftë ushtarakisht, qoftë me spiunllëqe a intriga deri në rendin kushtetues etj. Vritet dikush në rrugë pse proteston, e shpallim dëshmor të atdheut, proteston se është militant, prapë e shpallim dëshmor të atdheut. I jep makinës një i dehur, për fat të keq shkel një polic rrugor, e shpallim dëshmor të atdheut. Shkon e vrasin një gjyqtar në sallën e gjyqit, ta shpallim dëshmor të atdheut.

Kam parë një herë një gazetar që rrahën në mes të një qyteti, për fat nuk ndërroi jetë se do ta kishin shpallur edhe atë dëshmor të atdheut, megjithëse e rrahën për punë parash, kish marrë ca para dhe nuk i kishte nxjerrë vizën personit për në Greqi..., ky ishte shkaku. Kam parë të fortë që i shkonin pedagogut në tryezë për një notë kaluese për dashnoren, shyqyr Zotit dhe këtë nuk e vranë se do e kishim shpallur dëshmorë të atdheut. Tani t'i kthehemi relaitetit me këmbë në tokë..., problemet sociale nuk janë çështjet jetike të atdheut, por çështjet e brendshme të shoqërisë. Po t'i sillesh botës virtuale sot shoqëria jonë po shqyhet në dy palë, 1) janë me avokatin apo 2) me vrasësin, nga ana tjetër askush nuk ngre problemin që, pse ndodhin këto gjëra, a është drejtësia vërtet në nivelin e duhur se, të ikën mëndje e kokës kur dëgjon që një çështje gjyqësore ka zgjatur 13 vjet.

Çfarë ndodh me këtë administratën tonë publike ku shërbimet sociale janë një mallkim pervers shqiptar ku pa njohje dhe pa lekë nuk bën dot asgjë. Janë një katastrofë imorale sa që kur shikon sot qeveritar dhe ish qeveritarë, avoketër me firmato klasi që ankohen për pasiguri zero në institucionet e drejtësisë etj. Kujt i ankohesh more zotëri? Kujt, viktimës, popullit apo shtetit që ti je hallkë? Kujt i ankohesh ti kryetar i Gjykatës së Lartë që je zgjedhur aty me marifete dhe po me marifete mbron krimin ekonomik të shtetarit, mbron krimin politik të shtetarit, mbron krimin zgjedhor të votës për të mbajtur në pushtet qeveritarin, mbron me hile krimin mbi pronën për interesin e hirearkisë po provinciale ''bëje për mua'', më jep të të jap etj.

Kujt i ankohesh kur vet e lejon dhe e quan kushtetuese ndryshimin ligjor të statutit përshembull ''dëshmor i atdheut'' pse një figurë e shtetit përplaset me kriminilet, mund ta shpallësh dëshmor të shtetit, dëshmor të shoqërisë, të konflikteve të brendshme, por jo të Atdheut. Kështu po me kollajllëk ne kalojmë gjithçka, qoftë edhe besimin, qoftë edhe mendësinë, qoftë edhe arsmimin, mjafton të jesh me partinë se të gjitha i ke. Kushteta e vendit tonë është bastarduar deri në atë fare feje sa është ndryshuar me dhjetra herë, deri për luftëtarët vullnetarë jashtë shtetit, siç është rasti i Luftës civile në Spanjë (1936-1939). Ndofta shumë përfitues, shushunja, apo soji bëje për mua, ka harruar të kujtohet se shqiptarët shkuan edhe në Siri, edhe kjo luftë civile (2011-2025).

Duhet edhe ata të përfitojnë, sipas kulturës ''bëje për mua''. Ne kurrë nuk i pranuam firot sociale, rënien tonë si popull për shkak të ngarkesave të forta politike. Përshembull webet sociale sot, po çahen me skupet se si një artist i madh quan ''shkërdhatë'' një ish gjyqtar që deklaron se ka rënë shteti, por artisti i madh nuk i konsideron fare krimet kushtetuese apo krimet e Enver Hoxhës për gjatë luftës së ashpër të klasave, madje ka historianë me tituj që pohojnë se krimet ishin konform ligjit. Shkurt mes dhimbjeve njerëzore që na ndodhin, përballë një akti brutal të gjithë jemi fajtorë, problemi është se nervave të nxehta u duhen ca akull në byth për të kutpuar se shteti nuk bëhet me ironi, me bullizëm, me karshillëk, me propagandë, me pushtet të përjetshëm, me ministra robot, me gango ..., ne jemi në krizë sociale bash për shkak të dosave të larta politike, ndaj jemi gjithë kohën në konflikt social.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat