Rasti i Fatmir Shehollit ka rikthyer në qendër të debatit publik lidhjet e errëta mes politikës, shërbimeve sekrete dhe grupeve të interesit në Kosovë. Emri i tij është përmendur prej kohësh në qarqe të ndryshme si njeri me lidhje të dyfishta — dikur i afërt me strukturat politike në Prishtinë, por edhe me elementë të lidhur me shërbimin e fshehtë serb, BIA. Arrestimi i tij, i cilësuar nga disa si “spiuni që vepronte nën hije”, hap shumë pyetje mbi mënyrën se si janë menaxhuar informacionet sensitive shtetërore në Kosovën e pasluftës.
Nga Tribunalet te dosjet e “sekreteve”
Sheholli, i njohur në opinion si një ish-bashkëpunëtor i afërt i disa figurave politike dhe të mediave, del të ketë luajtur një rol të dyfishtë në disa procese delikate — përfshirë rastet që lidhen me Tribunalin e Hagës, me procesin e Kleçkës dhe më pas me Gjykatën Speciale. Burime të ndryshme kanë përmendur se ai ka qenë ndërmjetës për sigurimin e dokumenteve të klasifikuara, të cilat më vonë kanë përfunduar në duar të individëve të interesuar, duke u paguar me para publike.
Sipas hetimeve paraprake, përmes tij janë zbuluan edhe të dhëna për dëshmitarë të mbrojtur në disa procese gjyqësore, çka përbën rrezik serioz për sigurinë e atyre personave dhe integritetin e vetë drejtësisë ndërkombëtare.
Misteri i dokumenteve të “rrjedhura”
Në qendër të skandalit janë disa dokumente të cilat u publikuan nga figura publike, kryesisht nga përfaqësues të shoqatave të veteranëve të UÇK-së, dhe që tronditën opinionin. Publiku asnjëherë nuk mori një përgjigje të qartë se kush ua kishte dorëzuar ato materiale mediave. Tani, me arrestimin e Shehollit, është rihapur pista që ai mund të ketë qenë ndërmjetësi i atyre “rrjedhjeve” – duke ushqyer një kaos mediatik që i shërbente interesave të caktuara politike e ndërkombëtare.
Naivitet apo papërgjegjësi shtetërore?
Ky rast, më shumë se përfshirja e një individi, dëshmon dobësinë e institucioneve të Kosovës në ruajtjen e informacionit konfidencial dhe në mbrojtjen e interesit kombëtar. Është befasuese se si persona të rangjeve të larta, përfshirë presidentë, kryeministra apo ministra të mëparshëm, kanë pasur kontakte të afërta me një individ që tashmë akuzohet për spiunazh dhe ndërmjetësim me shërbime të huaja.
Kjo tregon një mungesë të theksuar të mekanizmave të kontrollit dhe verifikimit institucional. Për më tepër, tregon një shoqëri politike që shpesh ka preferuar lojalitetin personal mbi profesionalizmin dhe përgatitjen shtetërore.
Kultura e bashibozukëve politikë
Rasti “Sheholli” zbulon një simptomë të thellë të politikës kosovare: lidhjen mes individëve të papërgjegjshëm dhe pushtetit. Në një klimë ku njerëzit pa integritet, por me lidhje të dyshimta, arrijnë të depërtojnë në nivelet më të larta të shtetit, rrezikohet vetë ideja e sovranitetit.
Nuk është e rastësishme që emra të njohur politikë ma “background” gradash te larta ushtarake, përkundër faktit se ish liderët kryesorë te vendit që po gjykohen në Hag, përmes avoketërve dhe dëshmitarëve mbrojtës po mohojnë strukturën shtabore te UÇK-së, në rrafshin vërtikal lart-poshtë, duke i dhënë mbrojtjes një dimension provincial dhe fisnorë. Shumë nga ta por edhe të tjerë kanë ndërtuar kapital politik mbi figurën e luftëtarit, por shpesh të shoqëruar me afera të errëta, që përmenden në të njëjtën frymë. Këta, të cilët në popull përshkruhen si “bashibuzukë politikë”, janë bërë simbol i mungesës së përgjegjësisë publike.
Në kërkim të transparencës
Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet ta trajtojnë këtë rast me seriozitetin më të madh. Nuk mjafton vetëm arrestimi i Shehollit. Duhet hetuar i gjithë zinxhiri i bashkëpunëtorëve, përfshirë edhe ata që kanë përfituar politikisht ose financiarisht nga qasja në dokumente të ndaluara.
Nëse dëshmohet se informacione shtetërore janë përdorur për manipulime politike ose përfitime personale, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me skandal, por me tradhti ndaj besimit të qytetarëve dhe vetë themeleve të shtetit të Kosovës.
Një test për shtetin ligjor
Rasti “Sheholli” është më shumë se një histori personale; është një provë për pjekurinë institucionale të Kosovës. Do të shihet nëse shteti është i aftë të pastrojë rrjetet e vjetra të ndikimit dhe të ndëshkojë tradhtinë, apo do të mbetet peng i një sistemi që vazhdon të ushqehet nga injoranca, servilizmi dhe interesat e fshehta.