Ç' do ndodhë kur të ikë shqiptari i fundit në Perëndim...?

Opinione

Ç' do ndodhë kur të ikë shqiptari i fundit në Perëndim...?

Nga: Xhevat MUSTAFA Më: 20 tetor 2025 Në ora: 15:25
Autori Xhevat Mustafa

"Nga viti 2008 deri në 2024 rreth 1 milionë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian... Shqiptarët me leje qëndrimi të rregullt përbëjnë rreth 41% të popullsie që jeton ende këtu. Por totali i shqiptarëve jashtë vendit është më i lartë, po të përfshihen emigrantët që jetojnë në Britani, USA, Kanada dhe në vende të tjera jashtë BE-së. Vetëm nga 2021 deri në 2024, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shqiptarët në BE u shtua me mbi 230 mijë, duke e çuar totalin kumulativ në pothuajse 1 milion (999,138) në fund të vitit 2024...!(Eurostat, Monitor, Telegraf, Shqiptarja.com, 15, 16 shtator 2025) informacionit zyrtar nga drejtoria arsimore e Korçës për këtë vit shkollor, 2025-2026, janë regjistruar në klasën e parë 1302 nxënës nga 1698, që u regjistruan vitin e kaluar. Në klasën e 10 janë regjistruar 502 nxënës më pak.

Në pesë vitet e fundit, në qarkun e Korçës janë mbyllur 22 shkolla për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Fshatra si Dardha, Boboshtica, Polena apo Kodras në Kolonjë, Kapshticë në Devoll, Mjaltas, Desmirë, Zvarisht dhe Osojë në Bashkinë e Maliqit, po përballen me mbyllje shkollash dhe boshatisje si pasojë e emigracionit dhe lindjeve të pakta...Aktualisht Shqipëria ka humbur thuajse 1/3 e nxënësve...”.(Ora News, Euronews Albania, 24 e 23 gusht 2025)

 “...Njësia administrative Frashër në Përmet, që përfshin tetë fshatra, kishte vetëm dy fëmijë të moshës 0–14 vjeç në vitin 2023. Situata është po aq alarmante në Zagori, Leskovik, Ngraçan, Pogon dhe Voskopojë dhe duke u rënduar edhe më shumë më 2025, ku numri i fëmijëve është aq i ulët sa nuk justifikon më funksionimin e institucioneve arsimore. Ky realitet po i kthen këto zona në vendbanime të braktisura, duke përshpejtuar plakjen e popullsisë dhe boshatisjen e fshatrave. Në total, 14 njësi administrative në rang vendi kanë më pak se 5% të popullsisë nën 14 vjeç, shumica në Jug, ndërsa 32 të tjera kanë mes 5–10% fëmijë. Mplakja dhe zbrazja e fshatrave, shprehur sidomos në mbylljen e shkollave, të qendrave shëndetësore dhe të pushtetit lokal, ka prekur edhe Beratin, Gramshin, Librazhdin...”(Monitor, Gazeta SHQIP, 09.09.2025)

Mund të vazhdohet me fakte e shifra të tjera, por, edhe këto sa u vunë në dukje, janë të bollshme për të krijuar bindjen se emigracioni masiv është një fenomen bashkëkohor me rrjedhoja të rënda demografike, sociale, arsimore, ekonomike, kombëtare...Edhe me viktima, të moshuar prej vitesh në vetmi apo braktisje të gjatë, edhe nga familjarë, kushërinj e komshinj, që janë gjetur të vdekur pas shumë ditësh e javësh. Fatkeqësisht, kjo hemorragji demografike është karakterizuar me rritje të pandalshme edhe në qarqet, qytetet e fshatrat, e Sarandës, Vlorës, Fierit, Lushnjës, Elbasanit, Durrësit, Krujës, Mirditës, Matit, Dibrës, Shkodrës, Pukës, Kukësit,...!

Disa përfundime nga ky varg shifrash...

Për të mbuluar me qethe fiku, Surreli e Roshniku, dështimet në përmbushjen e premtimeve, sidomos në drejtim të rritjes së ndjeshme të nivelit të jetesës; të uljes së korrupsionit, emigracionit, kriminalitetit dhe të ndaljes së ngjitjes së vrullshme të çmimeve e të varfërimit..., kryeministri Rama kapet në mënyrë qesharake pas disa lajmeve "bombë" apo sihariqe, që "ta mbushin lëkurën me pupurriqe", nga çudia se si mund të mashtrojë një kryeministër pa pikë turpi e se si mund ta besojë një popull, që e mban veten për të mençur, kaq lehtë dhe kaq gjatë, mbi 12 vjet!? Kështu, ndërsa Rama dhe "Diellat" e tij prej mishi, kockash, gjaku..., me shumicën e organeve, të larta e të poshtme, njerëzore, përpiqen t'i dehin dhe drogojnë shumicën e popullit me deklarata të tyre ose të disa diplomateve të BE, se "po vrapojmë drejt Brukselit" dhe se "do të arrijmë atje para parashikimeve të më optimistëve", realiteti dhe përditshmëria i nxjerrin bllof apo mashtrues, siç janë treguar në këta 12 vjet qeverisje. Në të vërtetë, për nga veprat dhe rezultatet e tyre, del dhe shprehet se Shqipëria e këtyre viteve të fundit, po vrapon drejt Kolumbisë, Ekuadorit, Venezuelës...!

I ndjerë prej vitesh kaps për vepra konkrete e të përjetueshme në dobi të rritjes së nivelit të jetesës së shumicës së popullit, jo me rritje pagash e pensionesh në 2.5%, por me 2-3 fish, kryeministri mbi 12 vjeçar Edi Rama, përpiqet t'ua prishë apo marrë mendtë me aksione jetëshkurtër dhe premtime, që i harron të nesërmen; me “tullumbace” dhe fishekzjarre; me koncerte, me muzikë në volume shurdhuese dhe ndotëse akustike, me veprimtari sportive; konferenca ndërkombëtare; me raketa në qiell dhe Diella pranë vetes... Mund të numërojnë fare pak prej tyre. Po e filloj me premtimin për ndërtimin e pistës së automobilizmit në Elbasan me kosto rreth 190 milionë euro, ose sa do të mjaftonte për të rritur pensionet e ultë e të mesëm, në 100- 200 euro, me rreth 50 euro çdo muaj! Në shtator përhapi "lajmin sensacional" se më 1 tetor do të fillojë rimbursimi i pensioneve për rreth 713 mijë pensionistët, me 2.5% në muaj, shumë me të cilën ata nuk mund të blejnë për dimrin që po vjen, as 1 palë benevrekë, 1 palë pandofla, një fanellë...Apo, jo më shumë se një biletë 1 drejtimeshe me autobuz për Pogradec, Vlorë, Shkodër, Dibër...! Më 18 tetor përhapi "lajmin bombastik" se më 2025 në Durrës do të zhvillohet Kampionati Evropian i Snoocer- Bilardos, a thua se shumica e shqiptarëve i shtyjnë ditët nëpër salla bilardosh!?

Më 17 tetor, edhe pse nuk qe fizikisht i pranishëm, u kuptua se Edi Rama ishte regjisori i protestës në mbështetje të 4 ish drejtuesve të UÇK, prej rreth 5 vitesh në burg, në Hagë, në një proces gjyqësor si serialet e Hollivudit në Gjykatën Speciale, paradoksalisht krijesë e tyre, kuptohet, për tu bërë gropën të tjerëve, sidomos Albin Kurtit, me shokë e shoqe.

Nga skenari dhe shfaqja dhe nga shumë detaje të saj, më 17 tetor në Tiranë, u bë sikur u protestua! Apo u inskenua dhe aktrua një protestë. Në të vërtetë, edhe nga fjalimet dhe këngët, edhe nga veshja, pamja dhe gjestet e shumë pjesëmarrësve, dukej më shumë sikur festohej!? Mesazhi ishte lehtësisht i nënkuptueshëm: "Hashimi me shokë le të vazhdojnë në Hagë, ne po bëjmë, edhe në Tiranë, nja dy orë qejfe e gallatë...!" Gjyqtarët dhe prokurorët e Hagës dhe Hashimi me shokë, le ta kuptojnë e përkthejnë si të duan, si protestë apo si...manifestim! Ne bëjmë lojën tonë, ata le të bëjnë të vetën! Se kush do të fitojë, le t'ia lëmë kohës, që do të vijë e shkojë!

Në këto kushte, në debate familjare, kafenesh e lulishtesh, autobusësh, aeroportesh, avionësh..., me të drejtë e me shqetësim të justifikueshëm, nga plot SHQIPTARË, janë shtruar të paktën tri pyetje: Deri kur do të vazhdojë kjo hemorragji demografike? Deri kur do të vonohet ikja nga pushteti e Edi Ramës me shoqe e shokë? A do të arrijmë më shpejt në BE apo...nëpër botë e nën dhe...?

Kur isha para pak ditësh në Korçë, takova një mik të vjetër, koleg në gazetari e krijimtarinë letrare, prej mbi 10 vitesh me "mender pension shqiptar". Biseduam edhe për këtë temë trishtuese. Ai më tha në intimitet dhe me një dozë sarkazme se këtyre tri pyetjeve u ka dhënë përgjigjen më të saktë e më bindëse një ish aktor i Teatrit të Korçës. Sipas tij, Edi Rama, si kryeministër, president, mbret...do të ikë nga froni, kur të ikë shqiptari i fundit nën 50 vjeç, emigrant për në Itali, Gjermani, Angli, AMERIKË...?! Në vijim, miku im korçar, më njoftoi se një kushëri i tij, emigrant e paralli në AMERIKË, pasardhës i një prej familjeve më atdhetare apo më SHQIPTARE të Korçës, i kishte thënë, kur kishte ardhur para 3 muajve në vendlindje, se, nëse nuk ia arrin të jetë i gjallë, do ta lërë si amanet, se do të paguaj një skulptor, që të realizojë dhe vërë, pikërisht atë ditë, pranë bustit të Mitsotakis-it në Derviçan, një bust edhe më të madh të Edi Ramës! Me këtë ai ka ndërmend t’u përcjellë brezave të ardhshëm dhe historisë mesazhin: atë që nuk e bënë me ushtri Serbia dhe Greqia, e bëri Enver-Rama-parti-qeveria!?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat