Ngjarjet e fundit kanë zbuluar më shumë se një krizë brenda LDK-së ato kanë treguar një humbje të plotë të busullës morale dhe politike të kësaj partie. Ndërsa në Vushtrri, kryetari i degës, Xhafer Tahiri, vendosi të mbështesë kandidatin e Vetëvendosjes për të mirën e qytetit, në Prishtinë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u përfshi në një incident të turpshëm duke goditur fizikisht një qytetar. Në vend që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dënonte dhunën e një deputeti të tij, ai paralajmëroi masa ndaj Tahirit, i cili zgjodhi dialogun politik në vend të përçarjes.
Ky është standardi i dyfishtë i LDK-së së sotme: të heshtë ndaj dhunës, por të ndëshkojë bashkëpunimin politik.Në çdo parti serioze, dhuna e një deputeti do të ishte e papranueshme, ndërsa bashkëpunimi institucional do të përshëndetej. Por në LDK-në e Abdixhikut, përparësi kanë lojalitetet personale dhe jo vlerat demokratike.
Nëse Lumiri kërkon të rikthejë dinjitetin e LDK-së, masa e parë që duhet të marrë nuk është kundër Xhaferit që kërkon aleanca për të mirën e qytetarëve, por ndaj Armend Zemajt që i turpëron qytetarët me sjellje të dhunshme e të papërgjegjshme. LDK nuk mund të reformohet duke ndëshkuar njerëzit që bashkëpunojnë, por duke përjashtuar ata që e njollosin emrin e saj.
Prandaj, Lumir, përjashtoje Armendin, jo Xhaferin. Sepse një parti që mbron dhunën dhe ndëshkon bashkëpunimin, nuk është më parti e Rugovës, por hije e vetvetes.