Me leximin e kujdesshëm të nenit 95.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në versionin shqip dhe anglisht, vërehet se përpiluesi ka qenë i kujdesshëm që të përdorë terma të tillë që të përfshihen të gjitha mundësitë në tentimin e dytë të formimit të qeverisë. Kështu ai në këtë rast ka përdorur fjalën “tjetër” (ang. another) në kuptimin: që vjen menjëherë pas këtij, vijues, pasues (ang. additional-another action pending-autre action pendant- një veprim tjetër në pritje, shih Black's Law Dictionary, faqe 91).
Vetëm me një interpretim të tillë përfshihen të gjitha rastet e mundshme, pra tentimi tjetër i sërishëm vijues për herën e dytë dhe të fundit, brenda 15 ditëve, me kandidatin e njëjtë ose kandidat tjetër, nga partia fituese (thuhet: javën tjetër, orën tjetër…), por edhe kandidatin nga partitë tjera (thuhet: krahu tjetër, ana tjetër..).
Këtë e imponon edhe formulimi nga neni i përmendur i Kushtetutës: “emëron kandidatin tjetër sipas të njëjtës procedurë”. Pra veprimi tjetër dhe i fundit pasues në pritje pas tentimit të parë, bëhet duke përsëritur procedurën e njëjtë. Qëllimi i përpiluesit të tekstit është që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë e mundshme në mënyrë që ti iket përsëritjes së zgjedhjeve, dhe tek pas këtij tentimi të dytë të formimit të Qeverisë, nëse i njëjti është i pasuksesshëm, për Presidentin/ten e Republikës së Kosovës bëhet e pashmangshme shpallja e zgjedhjeve të sërishme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Nëse asnjëra palë nuk ia dëshmon Presidentes që e ka shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve, për të dëshmuar se nuk janë bllokues të formimit të Qeverisë, kanë mundësinë që të tregojnë gatishmërinë për votimin e një Qeverie të pakicës. Kjo përfundimisht do të dëshmonte konstruktivitetin e tyre, të premtuar pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të fundit, sipas të cilit partia e parë kishte një shumicë relative dominante me numër më të madh të deputetëve se numri i përgjithshëm i deputetëve të dy partive pasuese.
Në një situatë të tillë, a thua vërtetë është aq i madh mllefi dhe egoja e tyre, sa që të mos i përmbahen premtimit për konstruktivitet, dhe të bëhet e pashmangshme përsëritja e zgjedhjeve.
Me respekt,
Rexhep Hasani, prof.