Pushteti tretet, nderi mbetet…sepse çdo gjë tjetër vdes, veç nderi

Opinione

Pushteti tretet, nderi mbetet…sepse çdo gjë tjetër vdes, veç nderi

Nga: Nijazi Halili Më: 8 nëntor 2025 Në ora: 10:11
Nijazi Halili

Në këtë kohë të ngarkuar me hipokrizi dhe etje për pushtet, njeriu me parime duket sikur është specie në zhdukje. Shpesh, shohim fytyra që dje flisnin me pasion për moral, drejtësi e ndershmëri, ndërsa sot i shërbejnë verbërisht interesit, duke shkelur mbi çdo vlerë që dikur i bënte të respektuar. Ata e justifikojnë çdo kompromis me shprehjen “rrethanat ndryshojnë”, por në të vërtetë, nuk janë rrethanat që ndryshojnë njerëzit, janë njerëzit që braktisin karakterin për të ndjekur interesin.

Unë kam zgjedhur një rrugë tjetër. Nuk më josh karriga, as duartrokitjet e rreme, as privilegjet që të bën të ndihesh i pushtetshëm përkohësisht. Kam kuptuar se pushteti i vërtetë nuk është ai që ndan poste, por ai që lind nga ndërgjegjja e pastër, nga aftësia për të thënë “jo” kur gjithë të tjerët heshtin.

Të jesh i varfër në pushtet do të thotë të mos dorëzosh shpirtin për favore të vogla. Do të thotë të ruash lirinë e mendimit, të mos bëhesh peng i askujt. Sepse ai që shet integritetin për një post, nuk është më i lirë,  është rob i vetë lakmisë së tij.

Në çdo kohë dhe sistem, njeriu vlerësohet nga gjurma që lë pas, jo nga pozitat që ka mbajtur. Postet harrohen, lavdërimet treten, por nderi mbetet. Dhe ai nder është i vetmi kapital që nuk humbet me kalimin e kohës.

Prandaj, unë zgjodha të jem i varfër në pushtet, por i pastër në ndërgjegje.

Sepse mund të më mungojnë pasuritë, mund të mos kem ndikim, por do të kem diçka që shumë të tjerë e kanë humbur, paqen me veten.

Sepse çdo gjë tjetër vdes…veç nderi jo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat