Ne, qytetarët e Kosovës që jetojmë në Norvegji, shprehim zhgënjimin dhe indinjatën tonë për mënyrën se si është trajtuar e drejta jonë për të votuar në balotazhin e fundit. Deri më sot, asnjë votues në Norvegji nuk ka marrë fletëvotimin me postë, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte premtuar dërgimin e tyre në kohë.
Sipas të dhënave të dërguara nga KQZ, fletëvotimet janë nisur nga Kosova më 27 tetor 2025, përmes Sllovenisë. Sipas gjurmimit postar, ato kanë qëndruar në Slloveni deri më 3 nëntor 2025 dhe janë dërguar drejt Norvegjisë më 4 nëntor 2025. Megjithatë, deri më sot, asnjë qytetar nuk i ka pranuar ende fletëvotimet.
Ky nuk është një rast i izoluar. Nga informacionet që kemi marrë, situata është e ngjashme edhe në Suedi, Finlandë dhe Çeki, ku gjithashtu fletëvotimet nuk kanë arritur tek votuesit me kohë.
Pasojat e këtij dështimi janë të qarta, mijëra qytetarë të Kosovës janë privuar nga e drejta e tyre kushtetuese për të votuar.
Në këto rrethana lind pyetja legjitime:
A ka mundësi që të zgjatet afati i votimit për disa ditë, në mënyrë që edhe ne të mund ta kryejmë obligimin tonë qytetar?
Ne nuk kemi asnjë faj që të ndëshkohemi për gabimet dhe vonesat institucionale të të tjerëve.
Është e papranueshme që në vitin 2025, kur çdo proces administrativ mund të ndiqet dhe garantohet brenda ditësh, një institucion shtetëror të dështojë në detyrën më elementare të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ne, qytetarët që jetojmë dhe punojmë në mërgatë, nuk jemi qytetarë të dorës së dytë. Kontributi ynë për Kosovën është i përditshëm – ekonomik, kulturor dhe moral, dhe kërkojmë që shteti ynë të na trajtojë me dinjitet të barabartë.
E drejta për të votuar është themel i demokracisë dhe asnjë arsye teknike nuk mund ta justifikojë mohimin e saj.
Prandaj, kërkojmë nga KQZ:
Të japë menjëherë një sqarim publik mbi arsyet e këtij dështimi dhe statusin aktual të dërgesave postare.
Të përcaktojë përgjegjësinë institucionale për vonesat që kanë çuar në pamundësinë e votimit.
Të shqyrtojë seriozisht mundësinë e zgjatjes së afatit të votimit, në mënyrë që të mos ndëshkohen qytetarët që kanë vepruar me korrektësi dhe kanë pritur me durim.
Në të kundërt, çdo thirrje për pjesëmarrje demokratike dhe respekt ndaj votës së qytetarëve mbetet pa vlerë.
Demokracia nuk matet me fjalë, por me veprime konkrete për të garantuar barazi dhe drejtësi zgjedhore.
Në emër të shumë qytetarëve të zhgënjyer nga Norvegjia dhe vendet nordike, kërkojmë që ky dështim të bëhet i ditur në opinionin publik dhe të trajtohet me seriozitetin që meriton.