Moskoordinimi i partive politike të Kosovës, për të formuar qeverinë e re për shkak të inateve partiake e personale, do të ishte një shkrepëtimë rrufeje mbi institucionet e vendit tonë, që lë pasoja të rënda në shtrirjen dhe zhvillimin e jetës njerëzore në këtë vend.
O, shqiptarë të dashur, shpejt e kemi harruar çekanin mbi kokë; kjo nismë e këtij lloji të çakordimit politik nuk na shpie larg, sepse herë pas here po merr një kahe tejet të palakmueshme, që me këtë kryeneqësi dhe urrejtje ndërpartiake po e drejtojmë vetveten në drejtim të gabuar.
Nga ajo që kemi fituar, që e ëndërruam me shekuj, tani zë fill një puqje e pazakonshme në mes hovit dhe krijimit të formës arkitekturore politike, që e karakterizon imazhin e të ardhmes së këtij populli, i cili, pas shumë e shumë vuajtjeve shekullore, përpiqet t’i japë formë botës së vet demokratike.
Ku jemi tani? U bënë 9 muaj pas zgjedhjeve qendrore dhe akoma nuk e gjejmë çelësin e zgjidhjes së problemit për të krijuar qeverinë e re, për shkak të mosakordimit dhe mungesës së harmonisë politike ndërpartiake, në mundësinë e zotërimit dhe ushtrimit të pushtetit në këtë vend.
Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e sheh të arsyeshme të veprojë në përputhje me nenin 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, që përcakton kompetencat e presidencës për emërtimin e mandatarit tjetër për qeverinë e re, duke vepruar në këtë rast me mandatarin e ri z. Glauk Konjufca, që e propozoi z. Albin Kurti nga partia më e madhe, LVV.
Para së gjithash, jo vetëm pozita, por duhet të reflektojë edhe opozita, që t’i shmanget zgjedhjeve të reja, sepse ato, në fund të fundit, nuk do të mungojnë, edhe pse kanë një kosto të dyfishtë. Por e rëndësishme është të krijohen kushtet për krijimin e qeverisë së re, që në thelb e ka shërbimin dhe mirëqenien ndaj popullit, sikurse miratimi i buxhetit dhe shumë shërbime të tjera obligative ndaj shtetit.
Ka shumë zëra të ndryshëm se Albin Kurti po e teston situatën, duke përfituar kohë, dhe lëvizja e tij e këtij formati e favorizon vetëm LVV-në. Por, nëse e marrim të arsyeshme miratimin e buxhetit, një ndër elementet më kryesore në interes të popullit dhe shtetit, do të ishte shumë logjike të thuhet se veprimet e kryeministrit në detyrë janë shumë të arsyeshme, ndërsa në anën tjetër, propozimi i Konjufcës për kryeministër është edhe një sakrificë e pashoqe që po e bën Albin Kurti.
Kuptohet se z. Glauk Konjufca është një figurë e njohur jo vetëm nga LVV-ja, por si figurë politike e vendit, në veçanti kohët e fundit si kryekuvendar, ka qenë njëri ndër më të shquarit që e ka mbajtur pozicionin neutral dhe pa dallim ndaj partive politike, dhe është një ndër kandidatët më të përshtatshëm që u shërben interesave të qytetarëve të këtij vendi.
Është e ditur se protagonisti si njeri i vetëm nuk mund ta zhvillojë dhe avancojë pushtetin pa ndihmën e figurave të tjera që e rrethojnë dhe e plotësojnë pushtetin njerëzor. Prandaj, në këtë rast, kryeneqësia e ish-opozitës PDK, LDK, AAK, me diskursin e tyre, duke mos arritur në pajtim me këto alternativa, duke e refuzuar për kryeministër Albin Kurtin, pastaj edhe propozimin e Glauk Konjufcës, nuk e marrin me seriozitet. Atëherë, çfarë fshihet pas kësaj skene politike, e cila do të tregonte se do të kemi jo vetëm një ngecje në hapat tanë, por edhe një papjekuri politike për të mbajtur dhe zotëruar shtetin tonë.
Përmes këtij propozimi, duke emëruar Glaukun për kryeministër të vendit, nuk është një « lojë » politike që e ka zgjedhur Albin Kurti, por e ka sakrifikuar pozitën e vet, të cilën rrallë do ta bënte një figurë tjetër politike, duke e vlerësuar kandidatin dhe duke ia dhënë besimin me seriozitet anëtarit të kabinetit të vet, njëherazi duke treguar akordimin dhe harmoninë brenda kësaj partie, të cilët janë të gatshëm të marrin vendime të përbashkëta, në veçanti kur bëhet fjalë për kauza të mëdha me vlera shtetërore dhe kombëtare.
Dhe përmes këtij propozimi që përformon Albin Kurti dhe LVV-ja, e dëshmojnë se nuk janë pjesë e bllokimit të formimit të qeverisë së re, por promovues të këtij procesi, që të mos shkohet drejt zgjedhjeve të reja. Duhet të jetë e vetëdijshme secila palë se Kosova nuk e ka luksin të bëjë zgjedhje në çdo kohë pa kohë, duke i ngjarë një inskenimi të pazakonshëm në njërën anë dhe në tjetrën, duke e përdorur këtë lojë si një shërbim të ndonjë partie politike që nuk i beson vetvetes për shkak të humbjeve, duke vënë veten edhe njëherë në sprovë.
Sikur në këtë situatë vjen pyetja normale: cilat janë mundësitë e daljes nga kjo krizë momentale e vendit dhe të hapen rrugë të reja përmes iniciativave që do të nisen nga vetë partitë politike të këtij vendi, dhe jo të pritet deri aty ku të tjerët do të na detyrojnë apo të na i kryejnë punët dhe detyrat tona të rëndësishme të shtetit.
Kjo situatë do të kalohet dhe do të arrihet shumë lehtë deri te një zgjidhje e mundshme, vetëm nëse së pari hiqen inatet dhe urrejtjet ndërpartiake dhe me një përpjekje të vendosur dhe të përkushtuar t’i qelim sytë mbi vetveten, para se të na kanoset ndonjë rrezik i mundshëm që do të na detyronte domosdo të akordohemi… që ky fakt e bën njeriun të detyrueshëm, duke e vënë përballë dënimit apo shpëtimit.