Bllokada që po i kushton Kosovës

Opinione

Bllokada që po i kushton Kosovës

Nga: Shefqet Avdimetaj Më: 20 nëntor 2025 Në ora: 08:52
Autori Shefqet Avdimetaj

Kosova sot nuk është peng i krizës, është peng i një pakice politike që ka zgjedhur bllokimin si strategji të vetme. Opozita nuk po bën kritikë, nuk po kërkon llogari, nuk po propozon zgjidhje. Ajo është thjesht e barrikaduar, duke bllokuar formimin e Qeverisë dhe miratimin e buxhetit, dy shtyllat themelore të funksionimit të shtetit.

Ashtu si te Ferma e Kafshëve e Orwellit, ku rregullat rishkruheshin sipas interesit të derrave, edhe këtu procedurat parlamentare përdoren si armë për të shkatërruar sistemin nga brenda. Buxheti nuk trajtohet si mjet publik, por si peng i një pakice të nervozuar.

Kjo sjellje, siç do thoshte Hannah Arendt, nuk është politikë, është “banalitet i destruktivitetit” dëm i qëllimshëm, i mbështjellë me retorikë boshe. Popper do ta quante këtë pikë “momentin kur pakica e mbyll hapësirën demokratike për shumicën”.

Ndërkohë, dëmi është real, komunat nuk planifikojnë, bizneset presin në pasiguri, investimet ndalen, projektet kapitale ngrijnë. Qytetari paguan faturën e lojërave parlamentare.

E gjithë kjo për një qëllim të vetëm,ta shndërrojnë krizën në kapital politik.

Ironikisht, opozita po luan me të njëjtin mekanizëm që Orwelli e denoncoi, prodhimin e një “armiku të vetëm”, të personalizuar, për të mbuluar mungesën e vizionit të vet. Sot ai armik është Albin Kurti, pretekst për t’i vënë drynin shtetit.

Nietzsche paralajmëronte: “Kush lufton shumë gjatë me përbindësha, rrezikon të bëhet vetë përbindësh.”Kjo është fotografia e politikës sonë sot.        Kosova nuk meriton të kthehet në një fermë të re kafshësh, ku pakica e zhurmshme mban peng shumicën e heshtur. Demokracia nuk është pronë e bllokuesve, është pronë e qytetarëve. Dhe qytetarët kanë të drejtë t’u thonë mjaft atyre që po e përdorin bllokadën si profesion.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat