Shqipëria po hyn në një nga periudhat më të pazakonta të jetës së saj institucionale. Përplasja mes qeverisë dhe drejtësisë po shfaqet si simptomë e një modeli të konsumuar qeverisjeje.
Sot, kur rrjetet e patronazhit, varësisë politike dhe vendimmarrjes së centralizuar janë zhveshur nga iluzionet dhe makiazhi propagandistik, realiteti duket më i qartë se kurrë. Institucionet e reja të drejtësisë, të ngritura nën retorikën e reformimit të thellë, nuk kontrollohen më nga ata që deri dje i quanin “krijesë të projektit tonë”.
Ndërhyrjet e Prokurorisë së Posaçme në instancat qeveritare nuk përfaqësojnë thjesht hapjen e disa dosjeve penale. Ato shenjojnë një ndarje epokale mes së shkuarës së pandëshkueshmërisë dhe një të ardhmeje potenciale ku askush nuk qëndron mbi ligjin.
Kjo është arsyeja pse reagimi politik nuk ka qenë i matur, por shpërthyes, i çekuilibruar dhe i orientuar drejt prodhimit të panikut publik.
Retorikat e Kryeministrit Edi Rama për “kërcënime institucionale”, skenarët e një “bllokimi të shtetit” dhe apelimet dramatike në dyert e Gjykatës Kushtetuese janë shprehje e një frike shumë më të thellë sesa çdo polemikë e ditës.
Kjo frikë buron nga fakti se sistemi, i ndërtuar për më shumë se një dekadë mbi disa shtylla kyçe — vendimmarrje e përqendruar, menaxhim i fondeve publike pa transparencë të mjaftueshme, krijimi i një elite qeverisëse që nuk funksionon mbi meritokracinë, por mbi besnikërinë — po lëkundet në themele.
Hetimet që prekin figura të larta të kabinetit qeverisës, përfshirë përgjegjësit kryesorë të sektorëve strategjikë, nuk rrezikojnë vetëm karrierat individuale. Ato kanë potencial të minojnë të gjithë arkitekturën politike që ka siguruar vazhdimësinë e pushtetit.
Nuk është rastësi që argumentet e qeverisë në këtë moment vijnë të paketuar me tone alarmante. Alibia e Kryeministrit Rama se pezullimi i një ministri mund të paralizojë projektet madhore të vendit është jo vetëm e vjetëruar dhe e tejkaluar, por edhe e rrezikshme. Ajo rikthen konceptin e individit-kyç në qendër të administrimit shtetëror.
Kjo logjikë përbën në vetvete pranim të një problemi shumë të madh: institucioni nuk funksionon mbi hierarkinë, ligjin dhe profesionalizmin, por mbi varësinë personale nga drejtuesit e qeverisë.
Narrativa se “askush tjetër nuk mund t’i çojë përpara projektet kombëtare” tregon një shtet që nuk po frikësohet nga vakumi administrativ, por nga humbja e kontrollit.
Ndërkohë, prania e theksuar e partnerëve ndërkombëtarë, e shprehur së fundi edhe në deklaratat e ambasadës amerikane, tregon se shqetësimi nuk lidhet thjesht me çështjet teknike të drejtësisë, por me rrezikun e cënimit të sigurisë institucionale.
Shtimi i masave mbrojtëse për organet e hetimit është një tregues serioz se kriza nuk është më vetëm politike. Ajo ka kaluar në një dimension ku ndërhyrja e jashtme bëhet e domosdoshme për të ruajtur ekuilibrin demokratik.
Në këtë panoramë të tensionuar, çështja kyçe mbetet përgjegjësia politike. Shqipëria, si çdo demokraci në tranzicion, ka nevojë të ndërtojë kulturën e llogaridhënies dhe të rikthejë rendin institucional mbi bazë parimesh, jo individësh.
Në vend të një mobilizimi për të krijuar iluzionin e një rreziku kombëtar, do të ishte e natyrshme që qeveria të pranonte rolin e drejtësisë si mekanizëm kontrolli dhe balancimi.
Megjithatë, zgjedhja e Kryeministrit Rama për konfrontim me organet e drejtësisë, SPAK dhe GJKKO, tregon se prioritet nuk është stabiliteti institucional, por mbrojtja e një strukture që po shembet nën peshën e dyshimeve të arsyeshme për korrupsion domethënës, hetimeve dhe akuzave të akumuluara në kohë.
Për këtë arsye, vendi ndodhet përballë një prove historike. Nëse institucionet e reja të drejtësisë do të jenë në gjendje të ruajnë integritetin e tyre përballë trysnive politike, atëherë Shqipëria mund të kalojë në një stad të ri demokratik. Në të kundërt, rreziku i kthimit mbrapa është real dhe i prekshëm.
Opinioni publik pret transparencë dhe qartësi në këtë çështje kaq sensitive, që lidhet pazgjidhshmërisht me organet e pavarura kushtetuese dhe demokracinë, me të ardhmen e Shqipërisë. Pret guxim dhe përgjegjësi politike e morale njëkohësisht. Në fund të fundit, kjo situatë nuk lidhet as me projektet strategjike, as me retorikën e radhës, as me lojën e perceptimeve. Lidhet me pyetjen themelore: a mund të ndërtohet një shtet që nuk varet më nga pazaret okulte korruptive, marrëveshjet në errësirë dhe individët që e shohin pushtetin si mburojë?
Nëse kjo krizë do të shërbejë si moment reflektimi dhe si pikë kthese drejt një qeverisjeje të përgjegjshme, vendi mund të përfitojë. Por nëse shndërrohet në një betejë për mbijetesë politike, rreziku i humbjes së besimit në institucione do të jetë shumëfish më i dëmshëm se çdo dosje penale.
Shqipëria gjendet në prag të një prove themelore. E ardhmja e saj varet nga fakti nëse ligji do të mbizotërojë mbi politikën, apo politika do të përpiqet të shtypë ligjin. Kjo është pyetja që vendos në rresht të parë jo vetëm fatin e qeverisë së sotme, por edhe modelin e shtetit të së nesërmes.