Ikja e trurit, kriza e heshtur që po zbraz vendin!

Opinione

Ikja e trurit, kriza e heshtur që po zbraz vendin!

Nga: Nijazi Halili Më: 4 dhjetor 2025 Në ora: 14:37
Autori Nijazi Halili

Këto dy thënie përmbledhin thelbin e krizës që po përballet vendi ynë, ikja e trurit, profesionistët, të rinjtë e arsimuar dhe specialistët me përvojë po largohen për të kërkuar mundësi më të mira jashtë, duke lënë pas një boshllëk intelektual, ekonomik dhe shoqëror. Humbja e talentit më të aftë do të thotë largimi i kapitalit intelektual që mund të kishte shërbyer për zhvillimin e vendit dhe dobësimin e strukturave që mbajnë shoqërinë gjallë.

Shumë faktorë nxisin këtë eksod, mungesa e mundësive për zhvillim profesional, pagat dhe kushtet e punës të pamjaftueshme, pasiguria politike dhe sociale, si dhe nevoja për arsimin dhe specializimin në universitete të njohura jashtë vendit. Siç thoshte John Locke, “Përmirësimi i të kuptuarit ka dy qëllime së pari, rritjen e dijes sonë së dyti, të mundësojë që ta ndajmë atë dije me të tjerët.” Kur profesionistët largohen, zinxhiri i dijes në shoqëri prishët, duke e dobësuar aftësinë e vendit për të përparuar.

Ikja e trurit ka pasoja të thella. Ngadalësimi i zhvillimit ekonomik, pengesat për inovacion dhe progres shkencor, dhe boshllëku që krijohet tek brezi i ri janë të ndjeshme. Isaac Newton thoshte, Nëse kam parë më larg, ka qenë duke qëndruar mbi supet e gjigantëve. kur talentet largohen, gjeneratat e ardhshme humbasin mundësinë për të ndërtuar mbi dijen ekzistuese.

Dija dhe intelekti nuk janë vetëm aset personal, por kapital kombëtar. Siç theksonte Albert Einstein, arsimi është ajo që mbetet pas kur harrojmë atë që kemi mësuar në shkollë. Kur të rinjtë dhe profesionistët më të aftë largohen, vendi humb këtë trashëgimi të vlefshme, duke u dobësuar në çdo nivel, ekonomik, shoqëror dhe kulturor.

Për të frenuar këtë eksod, vendi duhet të krijojë mundësi reale zhvillimi, të përmirësojë kushtet e jetesës dhe stabilitetin politik, të investojë në arsimin dhe kërkimin shkencor, si dhe të nxisë bashkëpunime ndërkombëtare që të mbajnë lidhje të forta me talentet që largohen. Ikja e trurit nuk është vetëm një problem ekonomik, ajo është një sfidë shoqërore dhe intelektuale.

Siç kujtonte Marie Curie, “Në asgjë në jetë nuk duhet të frikësohemi, vetëm të kuptohet.” Vetëm duke investuar në dijen dhe duke krijuar mundësi që të rinjtë dhe profesionistët të qëndrojnë, vendi mund të shmangë boshllëkun intelektual dhe të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme.

Eksodi i trurit nuk mund të ndalet vetëm me fjalë, kërkohen masa konkrete. Bashkëpunimi i shtetit, universiteteve dhe shoqërisë civile është i domosdoshëm për të kthyer talentet dhe për t’i dhënë vendit mundësinë të qëndrojë konkurrues, inovativ dhe shpresëdhënës

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat