Poshtë komunizmi, rroftë kriptokomunizmi pervers, thotë Ben Blushi!

Opinione

Poshtë komunizmi, rroftë kriptokomunizmi pervers, thotë Ben Blushi!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 16:07
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ben Blushi, një nga përfaqësuesit e filozofisë së Sorosit në Shqipëri, në ditën e 8 dhjetorit, që përkujton atë tetë dhjetor të vitit 1990, shkruan e thotë se “Komunizmi ka vdekur”, “por kanë mbetur idiotët”, duke evokuar “humbjen e këpucëve në baltë, si pasojë e luftës së tij pikërisht kundër komunizmit”! Është një nga ato qasjet e zakonshme të zotit Blushi, por jo pa axhendë. Edhe unë them se komunizmi klasik vdiq, iku bashkë me rendin e vjetër të regjimit diktatorial.

Në fakt, nuk ka më një Shqipëri ateiste, por kemi një Shqipëri ku manipulimi me religjionet shkon deri te diabolizmi i formimit të një shteti bektashi. Nuk ka më një Shqipëri të izoluar me tela me gjemba, por kemi tashmë një Shqipëri që përzë nga vendi i vet rininë dhe të arsimuarit, me qëllim asgjësimin e rezistencës. Nuk ka më një Shqipëri të shtetëzuar, por kemi një Shqipëri të cilën kryeministri i vendit e trajton si pronë të vetën për t’ua dhënë besnikëve të tij. Nuk kemi më Shqipërinë e votave me 99 për qind për të vetmin kandidat, por kemi një Shqipëri në të cilën kryeministri, në një paketë cigare publikisht e një muaj para zgjedhjeve, thotë se do marrë 83 deputetë dhe i merr ata! Nuk kemi më një Shqipëri të Sigurimit të Shtetit, por kemi Shqipërinë e patronazhistëve. Nuk ka më një Shqipëri të gjyqeve politike si aso kohe, por kemi një Shqipëri që sërish dhunon kundërshtarët politikë! Neokomunizmi është i frikshëm, sepse prodhon ankth e dhunë të frikshme! Kësisoj, nëse themi se ka vdekur sistemi komunist, nuk mund të themi se ka vdekur pushteti i ish-komunistëve. Pushteti i komunistëve u shndërrua në një makineri përbindëshe të sundimit dhe të shfrytëzimit të pushtetit për pasuri dhe lavdi.

Sot Shqipëria është një vend tipik që dëshmon të kundërtën e asaj që thotë Ben Blushi. Sepse në vendin tonë nuk është më në pushtet Hoxha, Shehu, Koleka, Beqiri, Petriti (Dume), Gegprifti etj., por pushtetin që ata e patën për 45 vjet tashmë e ushtrojnë bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e tyre. Djali ose nipi i Enver Hoxhës vërtet është privuar të bëhet deputet, por jo të ngrejë laborator kokaine në Xibrakë, bashkë me vëllain e kryeministrit. Nipi i Spiro Kolekës dhe djali i Kristaq Ramës u përzgjodh me rekomandimin e Sofo Lazrit që të marrë në dorë Partinë Socialiste dhe të vijë në pushtet me forcën e parasë së përfituar nga grabitja e pasurisë së shqiptarëve dhe nga bashkëpunimi me kartelet e drogës deri në Meksikë dhe Kolumbi.

Ka disa javë që shoqëria shqiptare vlon për aferën korruptive të mbesës së Beqir Ballukut, Belindës, e cila ka abuzuar me miliona e miliarda dollarë amerikanë të buxhetit të shtetit shqiptar. Sigurisht, nën drejtimin e kreut të mafies, me emrin Edi Rama. Erion Veliaj, një përfaqësues tipik i ideologjisë perverse, të cilën në teori dhe praktikë e mbron Ben Blushi sipas doktrinës së neoliberizmit të Sorosit, është gjithashtu në burg për abuzim me pushtetin. Në qelitë e burgjeve shqiptare janë aq shumë ministra e ish-ministra, kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë të Rilindjes, sa mund të bëhen mbledhje të dy qeverive të njëpasnjëshme po në ato qeli. Të gjithë për vjedhje, korrupsion, grabitje të pasurisë së shqiptarëve, bashkëpunim me kartelet e grupet e trafikut të drogës, nga kanabisi e deri te kokaina e heroina.

Dhe në këto kushte Ben Blushi guxon e thotë se “Komunizmi vdiq më 8 dhjetor 1990”, madje duke shkruar rrenën e madhe se ai paska qenë heroi i “vrasjes” së komunizmit. Vrasja e komunizmit për shqiptarët ishte një mashtrim i madh. Komunizmi vetëm ndërroi taktikë. Porositi Dritëro Agollin të fliste kundër diktatorit, megjithëse i kishte bërë elozhe dhe elegji në rastin e vdekjes. Dhe shqiptarët e besuan. Ndërkaq, Ramiz Alia u kujdes të ndryshojë pushtetin politik përkohësisht dhe të bënte një tërheqje taktike për të marrë në dorë paratë dhe ekonominë shqiptare. Përzgjodhi injorantë e analfabetë dhe i shpalli sipërmarrës e biznesmenë, për të maskuar kontrollin e ish-Sigurimit të Shtetit mbi kompanitë e fuqishme të regjistruara në emrin e injorantëve. I fuqizoi këto kompani me paratë e buxhetit të shtetit, me koncesione dhe tendera fiktivë. Dhe ja ku jemi.

Pushtetin tashmë e kanë në duar sërish ish-komunistët. Natyrisht, jo idealistët ish-komunistë, por perversët ish-komunistë. Të dy variantet e komunizmit ishin dhe mbeten të rrezikshëm. Por ka një ndryshim midis idealistëve të një ideologjie të caktuar dhe perversëve: perversët nuk njohin turp as marrë. E dikush që nuk ka turp, dikush që nuk skuqet kur bën faj, ai është një mijë herë më i rrezikshëm. Perversiteti dhe korrupsioni pa limite ka zëvendësuar komunizmin e vjetër të para vitit 1990. Ky perversitet quhet nga njerëzit e Sorosit, si Blushi, neoliberalizëm, ose neokomunizëm.

Pushtetin e kanë në duar jo thjesht bijtë e nipërit e ish-byroistëve të totalitarizmit komunist; e kanë perversët neoliberalë. Në pushtet janë ata që duan ta shkatërrojnë familjen, atdheun, kombin dhe pronën më keq se regjimi i vjetër komunist. Këta jo vetëm na vjedhin e na grabisin, jo vetëm na dhunojnë në të drejtat tona, por bëjnë ligje të drejtpërdrejta kundër Shqipërisë. Komunizmi, që sipas Blushit ka vdekur, pati vënë tela me gjemba për ta izoluar Shqipërinë. Neokomunizmi pervers i sotëm gëzohet e lumturohet kur shqiptarët ikin nga ky vend, kur fasoneritë mbushen me punëtorë nga Azia dhe Afrika. Të gjithë ne kemi parë dhe shohim se si mburret Edi Rama dhe rilindasit e tjerë me ikjen e shqiptarëve dhe zëvendësimin e tyre me afganë, pakistanezë, filipinas, bangladeshas e afrikanë në Shqipëri.

Dhe e gjitha kjo është një axhendë, të cilën Ben Blushi dëshiron ta maskojë me rrenën e madhe se “Komunizmi ka vdekur”! Jo! Të gjithë do të donin që vërtet komunizmi të mos jetonte më. Por fatkeqësisht ai jeton në një formë tjetër shfrytëzimi e grabitjeje: në formën e kapjes së ekonomisë, biznesit e sipërmarrjes; në kushtet e krijimit të oligarkisë politike, ekonomike e mediatike; në kushtet e bashkëpunimit me grupet kriminale dhe kartelet e drogës; në kushtet e diktatit të zgjedhjeve dhe grabitjes së votave!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat