Çfarë po na ofron opozita?

Opinione

Çfarë po na ofron opozita?

Nga: Nexhmedin Shehu Më: 16 dhjetor 2025 Në ora: 20:40

A ka diçka që vërtet “hahet e pihet” në ofertën opozitare? Sepse ajo që po shohim sot është më shumë riciklim sesa alternativë reale. Thirrjet për “bashkim që çan çdo rrethim” dhe refreni i njohur për “Albinin si rrezik” nuk po sjellin as ide të reja, as perspektivë të besueshme.

Ne njihemi si popull që këngën e kemi shoqëruese të proceseve shoqërore e politike. Kemi këngë për udhëheqës e figura historike, për të gjallë e për të vdekur: për Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn — dhe tani paskemi edhe për Albin Kurtin.

Unë personalisht jam adhurues i lirikës dhe edhe pa këto jam mirë, por ka njerëz që i duan këngët politike: le t’i këndojnë, le t’i dëgjojnë. Shoqëri e lirë jemi, apo jo? Ajo që nuk shkon është kur dikush sillet sikur do të ringjallë metoda të tipit enverist, si pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, kur arti u shpall rrezik dhe u ndëshkua politika e shprehjes.

Kjo nuk është as opozitarizëm, as demokraci. Ndërkohë, opozita do të duhej të merrej me çështje reale e thelbësore. Sepse këto refrene nuk po e hapin perspektivën; përkundrazi, po e mbyllin edhe më shumë rrethin politik ku sillet vendi prej vitesh. Qeveritë, për nga natyra e tyre, janë inerte: ruajnë pushtetin dhe status quo-në.

Pikërisht për këtë arsye ekziston opozita — për të hapur shteg, për të sjellë ide dhe për të ndërtuar besim. Por një opozitë që matet me përqafime dhe fotografi të përbashkëta, pa vizion dhe pa ofertë të re politike, mbetet simbolike, jo bindëse. Publiku nuk kërkon zhurmë e etiketime, por përgjigje të qarta: çfarë ndryshe, si më mirë dhe pse kësaj here? Pa këto, as bashkimi nuk mjafton. Sepse politika nuk fitohet me refrene, por me ide.

Sepse në fund të ditës, qytetari nuk po kërkon as këngë, as anatema, as kore politike. Po kërkon ide që e nxjerrin vendin nga rrethi i mbyllur ku sillet prej vitesh. Po kërkon një opozitë që mendon përpara, jo që këndon kundër.

Dhe derisa kjo të mungojë, çdo “bashkim” do të tingëllojë si refren pa melodi — i dëgjuar, por i harruar sapo mbaron kënga. Politika, në fund, nuk ka nevojë për zë më të lartë, por për mendje më të thellë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat