Propaganda mediale jashtë çdo kontrolli dhe kodi profesional!

Opinione

Propaganda mediale jashtë çdo kontrolli dhe kodi profesional!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 18 dhjetor 2025 Në ora: 19:56
Ismail Muçiqi

Me fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor, opinioni publik po ballafaqohet me një nivel jashtëzakonisht të ulët të kulturës mediale dhe profesionale që po u servohet qytetarëve këto ditë. Nuk mbaj mend, gjatë gjithë karrierës sime në gazetari, të ketë ndodhur ndonjëherë një situatë kaq dramatike, e krijuar dhe e plasuar nga politika redaktuese e disa mediave, të cilat janë themeluar nga pronarë të lidhur me mafien biznesore. Këto media janë krijuar për dy qëllime të qarta:
së pari, për të mbrojtur interesat ekonomike dhe financiare të kapitalit të përfituar në dy sisteme të ndryshme, përmes rrugëve më të dyshimta dhe kriminale;
së dyti, përmes propagandës destruktive dhe të njëanshme informative, për të sulmuar dhe diskredituar politikanë dhe institucione të shtetit, me qëllim frikësimin e mekanizmave shtetërorë që të mos hetojnë pasuritë dhe krimet e këtyre oligarkëve. Nuk ka asnjë dyshim se tashmë shumica e qytetarëve që ndjekin edicionet informative e kanë kuptuar se disa televizione, si Klan Kosova, T7 dhe së fundmi edhe TV21, i kanë harmonizuar politikat e tyre propagandistike kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë në detyrë, me theks të veçantë kundër kryeministrit Albin Kurti. Ky formacion i gërshetuar me pseudogazetarë dhe pseudoanalistë ka unifikuar detyrat programore, duke përdorur shpifje dhe mjete të ndryshme propagandistike për ta diskredituar Qeverinë në detyrë dhe Vetëvendosjen. Kjo vërehet qartë në pothuajse të gjitha emisionet, përmes debateve më të neveritshme, ku si pjesë përbërëse janë instaluar individë të dështuar në karrierën e tyre profesionale, politike dhe diplomatike. As agjencitë më ekstreme të sistemeve të ndryshme nuk janë marrë me aktivitete kaq konspirative kundër njerëzve që janë pjesë e institucioneve shtetërore: qeverisë, ministrave dhe strukturave të tjera të angazhuara në sistemin parlamentar demokratik të Kosovës. Tashmë opinioni publik e ka të qartë se kjo “luftë speciale” propagandistike ka dalë jashtë çdo kontrolli, me synim goditjen sa më të madhe të rivalëve politikë dhe institucionalë. Është interesante të theksohet se në disa televizione, të cilat dikur konsideroheshin më normale, më racionale dhe më të besueshme, sot politika redaktuese po diktohet nga ish-ambasadorë dhe diplomatë, të cilët pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti u shkarkuan nga pozitat e tyre dhe më pas u punësuan pikërisht në këto media. Këto televizione, tashmë të shndërruara në mollë sherri, janë bërë nxitëse të përçarjes së popullit. Përpos propagandës destruktive, disa prej tyre janë shndërruar edhe në “byro hetimesh”, duke gërmuar selektivisht në institucione dhe administrata që nga paslufta, për të ndërtuar kauza diskredituese pikërisht në kulmin e fushatës zgjedhore. Ky naivitet i kësaj strukture mediale dhe propagandistike kundër Vetëvendosjes, në fakt, vetëm sa po e rrit simpatinë dhe përkrahjen qytetare për Albin Kurtin. Ata duket se nuk janë të vetëdijshëm se pjesa dërrmuese e qytetarëve mendojnë ndryshe, gjë që u vërtetua edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë. Kjo gjendje e mjerueshme që po zhvillohet në disa mediume dhe portale po i shqetëson qytetarët, të cilët janë të etur për lajme pozitive, emisione edukative dhe reportazhe nga fshatrat dhe vendbanimet ku zhvillohet jeta reale e njerëzve që e fitojnë bukën me djersë. Qytetarët kanë nevojë të shohin, përmes mediave profesionale, rezultatet e punës së ndërmarrjeve prodhuese që kontribuojnë për Kosovën. Ata kanë nevojë të freskohen me emisione që e bashkojnë popullin, që e zhvillojnë shtetin dhe që e ngritin imazhin e Republikës së Kosovës. Qytetarët janë ngopur me kronika problematike dhe kronika të zeza që nga lufta e fundit qe e shkaktoj Serbia.
Më thotë mendja: mjaft më!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat