Në çdo shoqëri, intelektuali ka pasur një rol të pazëvendësueshëm: të mendojë kritikisht, të analizojë realitetin dhe të sfidojë padrejtësitë. Pikërisht për këtë arsye, ai shpesh është bërë objekt sulmesh, përçmimesh dhe abuzimesh, sidomos në shoqëritë ku mediokriteti dhe interesat e ngushta mbizotërojnë mbi dijen dhe vlerën.
Por çfarë shikojmë në ditët e sotme? Sulmi ndaj intelektualit nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë. Shpesh ai vjen në forma te ndryshme dhe të maskuara: tallje, etiketime, shpifje, diskreditim publik apo relativizim i dijes. Nderkohe intelektuali shpallet “i shkëputur nga realiteti”, “i panevojshëm”, ose dhe “armiqësor ndaj traditës”, vetëm pse guxon të mendojë ndryshe dhe të flasë me argumente të qarta.
Një nga format më të rrezikshme të abuzimit është banalizimi i dijes. Në një kohë kur mendimi i cekët dhe zhurma mediatike apo ajo e rrjeteve sociale marrin më shumë vëmendje se analiza e thellë, fjala e intelektualit shpesh humbet në kaos. Kjo krijon një klimë ku mendimi kritik shihet si kërcënim dhe jo si pasuri e vlerë shoqërore.
Pushteti, në forma të ndryshme – politik, ekonomik apo mediatik – e ka parë shpesh intelektualin si rrezik. Qartesisht e kuptueshme eshte se një intelektual i lirë nuk manipulohet lehtë, nuk shërben verbërisht dhe nuk pranon të heshtë përballë padrejtësive. Prandaj, sulmet ndaj tij synojnë jo vetëm individin, por duan te vrasin vetë lirinë e mendimit.
Apo kërcenohet e ardhmja? Abuzimi ndaj intelektualit ka pasoja të rënda për shoqërinë. Kur heshtin zërat kritikë, forcohet padituria, normalizohet padrejtësia dhe shoqëria humbet busullën morale të saj. Një shoqëri që nënçmon intelektualët e saj, në fakt nënçmon të ardhmen e vet.
Prandaj, mbrojtja e intelektualit nuk është mbrojtje e një elite, por mbrojtje e dijes, e mendimit kritik dhe e dinjitetit shoqëror të vendi. Intelektuali nuk ka nevojë për glorifikim, por për hapësirë të lirë për të menduar dhe folur. Sepse aty ku hesht intelektuali, flet frika; dhe aty ku sundon frika, shoqëria ndalon së ecuri përpara.