Vaso Çubrilloviçi dhe krimet ndaj shqiptarëve

Opinione

Vaso Çubrilloviçi dhe krimet ndaj shqiptarëve

Nga: Driton Tali Më: 26 dhjetor 2025 Në ora: 22:46
Driton Tali

“Arnautët është e pamundur të shtypen vetëm me kolonizim gradual.

E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar, gjë në të cilën ne (serbët – sqarim imi) gjithmonë kemi qenë mbi ta.

Mund të mbijetojë vetëm ajo tokë që është e banuar nga populli i vet.”

Sipas Vaso Çubrilloviçit, kolonistëve duhej t’u shpërndahej armë dhe të nxitej konflikt i drejtpërdrejtë midis shqiptarëve në Kosovë.

Duhej të përhapej frikë dhe pasiguri në popullin shqiptar: djegie të fshehta të fshatrave dhe lagjeve shqiptare në qytete; me kërcënime ose me para t’i detyronin shqiptarët të shpërnguleshin.

Parashiheshin:

- vendosja e gjobave të rënda mbi një popullatë tashmë të varfëruar,

- prerja e pyjeve,

- lëshimi i qenve,

- detyrimi për punë të detyruar,

- mbledhja e pamëshirshme e taksave,

- konfiskimi i kullotave shtetërore dhe komunale.

Këto janë, në pika të shkurtra, idetë kryesore të memorandumit “Dëbimi i Arnautëve”, të shkruar në vitin 1937 nga Vaso Çubrilloviçi, atëherë docent në Fakultetin Filozofik të Beogradit.

Memorandumi iu paraqit Klubit Kulturor Serb, i cili në atë kohë drejtohej nga Sllobodan Jovanoviç (një nga intelektualët më të shquar serbë të shekullit 20 — Rektor i Universitetit të Beogradit dhe President i Akademisë Serbe) dhe Dragisha Vasiç (një nga intelektualet me te shqur të kohës - ideolog i lëvizjes çetnike).

Vaso Çubrilloviqi ishte akademik, historian, dy herë ministër i RSFJ'së (Jugosllavisë së Titos), profesor univerzitar, fitues i Çmimit të Tetorit dhe Çmimit të 7 Korrikut, anëtar i organizatës revolucionare “Bosnja e Re”, e cila organizoi atentatin ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez – atentat në të cilin Çubrilloviçi ishte pjesëmarrës.

Ky tekst edhe sot konsiderohet si një nga dokumentet themelore të ideologjisë së Serbisë së Madhe të shekullit XX–XXI.

Në atë kohë, qeveria e Millan Stojadinoviçit nuk arriti ta zbatojë memorandumin për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shkatërrimit të Mbretërisë së Jugosllavisë.

Por pjesërisht u zbatua më vonë, në RSFJ'en e Titos, fillimisht nga Rankoviçi, e pastaj në mënyrë brutale nga Millosheviçi.

Ndërsa sot, Vuçiçi është ende në tentativë – akoma nuk është bindur se kjo rrugë është e kotë dhe e dënuar nga historia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat