Duke u nisur nga fakti (mendim personal), ndjenjat subjektive në thellësi janë jo vetëm për një vend, por janë ndjenja të thella për shtëpinë, e cila lidhet me aromën, shijen dhe emocionet.
Pra, për shtëpinë — vendin në të cilin edhe vet i varfëri është mbret!
Po ashtu, shtëpia në të vërtetë është burim i dinjitetit dhe i sigurisë.
Vendlindja, me shtëpinë ku kemi lindur, qofshim larg apo afër saj, është malli dhe dashuria e shpirtit që nuk përshkruhet.
Vendlindja është një forcë e lidhjes me një vend ose person që mbush zemrën, edhe kur mungon afërsia fizike.
Vendlindja është gjithmonë aty ku guri ka peshën e vet, si askund tjetër në botë.
Vendlindja është aty ku zemra, pavarësisht largësisë, me shpresë rreh dhe “tik-tak-ton” për kohën e caktuar të takimit të rradhës me të afërmit tanë.
Fotografia e tyre, që nga largimi i vizitës së fundit prej shtëpisë, vendlindjes sonë (sipas meje), deri në takimin tjetër të rradhës me ta, dhe të gjitha momentet e shkuarjes e kthimit, m’i programojnë memoriet e trurit, të cilat shpesh herë, edhe me një nano-shpejtësi dhe me zemër reflektive, i thërrasin për të larguar mallin, për të cilin mendoj se çdo njeri i mërguar apo gyrbetqar e ndjen në shpirtin e vet.
E di!
Po, shumica thonë: “Kthehuni?!”
Por si të kthehemi kur prioriteti i kohës së dashurisë ndërnjerëzore, përkatësisht ndërfamiljare, moti ka “humbur”, sipas “ligjit” të fjalëve të urta popullore që thonë:
„Sa më larg syve, aq më larg zemrës.“
Po ashtu edhe:
„Një faqe që nuk puthet, nuk duhet.“
Ne, që moti kemi ngelur në një pozitë abstrakte, siç thuhet:
„As në tokë, as në qiell.“
Ose, siç themi ne në Gjakovë, neve, me përndjekjet nga fashoqet e Millosheviqit dhe me largimin e shumicës së popullit tonë shqiptar nga vendlindja për shkak të politikave shoveniste serbe, kemi mbetur si thotë fjala jonë e urtë Gjakovare:
„O Fetah, as me ne e as me ata.“
Por një gjë unë, personalisht, e ndjej dhe e di, dhe jam shumë krenare për atë: ne, gyrbetqarët, jemi edhe për juve, siç kemi qenë gjithmonë, edhe për vendlindjen tonë — Shtetin tonë Kosovë, Dardani.
Andaj, nesër mos voto për mandat 4-8-12 vjet politik, por VOTO PËR LIRINË E MËTUTJESHME TË SHTETIT TONË KOSOVË, DARDANI, bashkë me vendimmarrësit ligjorë, për kultivimin dhe aplikimin e LIRISË me të gjitha të drejtat e saj vakante dhe ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për një bashkëjetesë sa më të shëndetshme, të lumtur dhe të gëzuar me të gjithë ata që duan dhe respektojnë shtetin tonë. Ata që nuk duan, le të shkojnë në P.S. (P.S. do të thotë Post Scriptum — në gjuhën tonë bukuroshë, do të thotë Pas Shkrimit).
P.S.
Ose, siç thotë fjala e urtë popullore gjermane:
„Wer nicht will, hat’s gehabt.“
Pra: „Kush nuk don, e ka pasur.“