Patjetër të hetohet dhe të rishikohet privatizimi në Kosovë

Opinione

Patjetër të hetohet dhe të rishikohet privatizimi në Kosovë

Nga: Ismail Muçiqi Më: 8 janar 2026 Në ora: 17:30
Gazetari Ismail Muçiqi

Shteti i së drejtës i mbetet borxh popullit të Kosovës që të hetojë në mënyrë të thelluar procesin e kriminalizimit të privatizimit në vend. Një nga dështimet më dimensionale dhe më të rënda në shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës ka qenë mënyra se si u privatizuan dhe u shkatërruan ndërmarrjet shoqërore. Këto ndërmarrje ishin ndërtuar me mund dhe kontributfinanciar të shumë gjeneratave të punëtorëve të Kosovës ku në sistemin e kaluar, punësonin qindra mijëra punëtorë.

Në këto ndërmarrje, përveç punëtorëve të prodhimit, dikur angazhoheshin edhe shumë ekspertë të ekonomisë, inxhinierë, teknologë, arkitektë dhe profile të tjera profesionale, të cilat i jepnin ekonomisë vendore një “infuzion” zhvillimi dhe stabiliteti. Fatkeqësisht, pas luftës, institucionet që qeverisën vendin e kriminalizuan procesin e privatizimit, duke shitur rreth 500 ndërmarrje shoqërore për vetëm 600 milionë euro. Ky nuk ishte privatizim, por rrëmbim i aseteve të pasurisë së Kosovës.

Këto asete u blenë nga individë të mafies biznesore dhe nga grupe oligarkësh të lidhur me partitë politike, duke lënë në rrugë më shumë se 200 mijë punëtorë të Kosovës. U privatizuan gjithashtu qindra mijëra hektarë tokë bujqësore me çmime qesharake, prej nga përfituan njerëz me pushtet politik, të cilët tokën e bukës së Kosovës e shndërruan në kantiere ndërtimi për banesa dhe lokale afariste, vetëm për interesa personale dhe përfitime marramendëse. Ky proces privatizimi, i organizuar dhe i zhvilluar në mënyrën më perfide dhe më të dyshimtë, do të duhej të ishte objekt i një vendimi të qartë të Parlamentit të Republikës së Kosovës për rishikim dhe hetim të detajuar. Nuk ka asnjë dyshim se janë bërë padrejtësi të mëdha në përzgjedhjen e ofertuesve, duke u favorizuar individë të caktuar dhe duke u anashkaluar njerëz meritorë nga konkurrenca. Bartës dhe përgjegjës kryesorë të këtij procesi korruptiv dhe tejet të dëmshëm për ekonominë e Kosovës ishte dhe mbetet Ahmet Shala, i cili ishte në krye të Agjencisë së Privatizimit, e për të cilin sot pothuajse është humbur çdo adresë përgjegjësie institucionale.

Duhet theksuar se vetëm fabrika e duhanit në Nish të Serbisë është shitur për mbi 500 milionë dollarë – pothuajse sa vlera e përgjithshme e privatizimit të rreth 500 ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Ky fenomen negativ i ka shkaktuar vendit dëme të pariparueshme dhe pakënaqësi të thellë qytetare, duke krijuar edhe ndarje të reja klasore në shoqërinë Kosovare. Ky privatizim i paligjshëm dhe korruptiv u mundësoi grupeve të interesit, të lidhura drejtpërdrejt me politikën, të krijojnë pasuri marramendëse duke shfrytëzuar djersën dhe mundin e qindra mijëra punëtorëve të Kosovës, të cilët dikur i ndërtuan ndërmarrjet shoqërore për të mirën e vendit.

Është fakt se pothuajse të gjitha fabrikat dhe ndërmarrjet shoqërore që dikur ishin në proces prodhimi sot ose nuk ekzistojnë më, ose ju është ndërruar destinimi. Me një fjalë, këto asete u rrëmbyen duke u shkelur ligjet dhe normat sistemore të privatizimit, siç zbatohet ky proces në shtetet me ekonomi liberale dhe funksionale.

Si pasojë e këtyre deformimeve, sot pjesa dërrmuese e të rinjve, punëtorëve dhe ekspertëve të shkolluar janë bërë të varur nga pronarë privatë që ndërmarrjet i kanë blerë me shuma simbolike, dhe të cilët shpesh i shantazhojnë shtresat e varfra dhe klasën punëtore që kërkon vetëm një vend pune për të mbajtur familjen. Andaj, edhe njëherë, theksojmë se Parlamenti i Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit, ka obligim moral, ligjor dhe kombëtar që ta rishqyrtojë dhe ta hetojë në mënyrë të plotë dhe të paanshme procesin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat