Zgjedhjet e fundit treguan se manipulimi i votave vazhdon të jetë plagë e demokracisë në Kosovë, ndërsa institucionet heshtin ose reagojnë vakët dhe jo me ashpërsinë e duhur.
Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, realiteti i vjedhjes së votës duket më i qartë se kurrë: manipulimi dhe blerja e votave nuk janë më incidente të izoluar, por fenomene të përsëritura që rrezikojnë themelet e demokracisë. Pas më shumë se dy dekadash zgjedhjesh dhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk ka garantuar integritetin e votës.
Deriasa partitë arrijnë t’i ruajnë votat nga njera tjetra, vjedhja ndodh brenda vetë subjekteve politike. Komisionarë të politizuar dhe struktura partiake shndërrojnë procesin e numërimit në formalitet, duke përshtatur vullnetin e qytetarëve sipas interesave të individve dhe klaneve te caktuara.
Vjedhja e votës është më shumë se një shkelje ligjore: ajo cenon rendin kushtetues dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Heshtja ose reagimi i vakët i autoriteteve përkatëse përbën bashkëpërgjegjësi dhe i jep mesazh shkelësve se krimi zgjedhor tolerohet.
Pa ndëshkime konkrete, pa përgjegjësi politike dhe pa reformë të thellë të sistemit zgjedhor, përfshirë aplikimin e teknologjisë, se paku në numërim, manipulimi i votës rrezikon të shndërrohet në normë. Demokracia shkatërrohet gradualisht, kur vjedhja e votës normalizohet dhe dështimi institucional justifikohet me heshtje.
Kosova ka nevojë për institucione të fuqishme dhe për një drejtësi të vendosur, që të mbrojë votën e qytetarit dhe të ruajë themelet e demokracisë. Pa ndëshkimin e duhur për vjedhësit e votave, do te rrezikohet ekzistenca e demokracisë dhe shtetit. Deputeti me vota te vjedhura do te jetë kancer në Kuvendin e Kosovës.