Parashkrimi (vjetërsimi) i së drejtës së pronës

Opinione

Parashkrimi (vjetërsimi) i së drejtës së pronës

Nga: Muhamet Kelmendi Më: 28 janar 2026 Në ora: 09:15
Autori prof. Muhamet Kelmendi

Në teorinë juridike është e përcaktuar dhe e rregulluar e drejta e pronës dhe vetë prona si faktor esencial i së drejtës.¹ Teori të ndryshme juridike kanë përkufizime të ndryshme mbi pronën dhe mënyrën e fitimit të saj.

Aktualisht dallohen disa sisteme juridike mbi pronën: sistemi i së drejtës kontinentale, ai anglo-saksone, e drejta e sheriatit, si dhe sisteme të tjera si ajo japoneze apo kineze.²

Në këtë analizë ndalemi në të drejtën e pronës sipas sistemit kontinental, pasi në Evropë ky sistem është dominues. Duhet theksuar se edhe sistemi anglo-saksone, në thelb, nuk paraqet dallime thelbësore nga ai kontinental në çështjen e pronës.

Shkaku i trajtimit të kësaj teme lidhet me mohimin e së drejtës së pronës ndaj shqiptarëve, konkretisht: çamëve nga Greqia, shqiptarëve të dëbuar nga krahinat e Nishit, Leskovcit, Vranjës, Pirotit në vitet 1876–1878, si dhe çështjen e pronave në Kosovë pas pushtimeve dhe kolonizimeve serbe.

Pas vitit 1918, serbët janë vendosur si kolonë në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve vendas. Mohimi sistematik i së drejtës së pronës nga autoritetet serbe dhe greke ndaj shqiptarëve përbën bazën e kësaj analize juridike.

Pse qyetaret shqiptare nuk i realizuan te drejten e prones ne Geqi, ne Serbi, ne Maqedoni dhe ne Malin e Z?

Qytetarët shqiptarë janë përjashtuar nga ushtrimi i së drejtës së pronës dhe nuk kanë pasur mundësi reale për ta realizuar atë brenda afateve ligjore.

Sipas së drejtës kontinentale, e cila zbatohet në Greqi, Kosovë, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, prona ndahet në dy kategori kryesore:

1. Prona e paluajtshme

2. Prona e luajtshme

Për secilën kategori parashikohen afate të ndryshme të parashkrimit.

1. Prona e paluajtshme

Në pronën e paluajtshme përfshihet çdo send që nuk mund të lëvizë pa u dëmtuar thelbi i tij, si toka, shtëpitë, objektet shoqërore, shtetërore dhe sociale.

Për këtë kategori ekzistojnë afate të ndryshme parashkrimi.

Në ish-Jugosllavi, sipas Ligjit mbi Marrëdhëniet Detyrimore, afati i parashkrimit për realizimin e së drejtës së pronës së paluajtshme ishte 45 vjet.⁴ I njëjti afat ka qenë edhe në Greqi sipas Kodit Civil.⁵

Pas viteve ’90, ky afat është shkurtuar ndjeshëm dhe sot në shumicën e këtyre shteteve është rreth 20–25 vjet.⁶

Megjithatë, parashkrimi rrjedh vetëm nëse pronari ka pasur mundësi reale për të ushtruar të drejtën e tij.

Kur shteti ka penguar pronarët me dhunë – duke mos i lejuar të kthehen në pronat e tyre, duke i ndjekur penalisht, arrestuar apo duke përdorur forma represioni – afati i parashkrimit pezullohet.⁸

Për këtë arsye, si për çamët, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë, e drejta e pronës nuk është parashkruar dhe vazhdon të ekzistojë.

Çamët dhe qytetarët e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës kanë mundësi t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.³

Kjo gjykatë, në praktikën e saj gjyqësore, ka pranuar se konfiskimi i pronës pa kompensim dhe pa mundësi efektive ankimi përbën shkelje të Konventës Evropiane.⁷

Pengesë juridike kanë vetëm qytetarët e Kosovës, pasi Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.

2. Prona e luajtshme

Prona e luajtshme vjetërohet në afate më të shkurtra. Në këtë kategori hyjnë mallrat, sendet e luajtshme, borxhet monetare dhe detyrimet kontraktore.

Afatet e parashkrimit zakonisht janë 3 ose 5 vjet, në varësi të legjislacionit përkatës.⁹

Edhe këtu, parashkrimi ndërpritet nëse paraqitet kërkesë juridike me kohë, dhe afati fillon të rrjedhë nga e para.

Megjithatë, çështja kryesore e këtij punimi lidhet me pronën e paluajtshme.

Perfundim

Tashmë është e qartë se shqiptarët e dëbuar nuk kanë pasur mundësi objektive ta ushtrojnë të drejtën e pronës. Ata janë penguar me dhunë shtetërore.

Edhe sot, çamët nuk lejohen të kthehen në pronat e tyre në Greqi, ndërsa shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi përballen me pengesa të vazhdueshme.

Në këto rrethana, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbetet mjeti kryesor juridik për kërkimin e pronës së konfiskuar.

Prona është e drejtë themelore e njeriut dhe mbrohet nga e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare.³

Kjo e drejtë përbën bazë të rëndësishme të rendit juridik evropian dhe gëzon mbrojtje të posaçme në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Fusnota

1. Hans Kelsen, Teoria e Përgjithshme e së Drejtës dhe Shtetit, Tiranë.

2. René David, Sistemet juridike bashkëkohore, Paris.

3. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Protokolli Nr. 1, neni 1.

4. Ligji mbi Marrëdhëniet Detyrimore i ish-Jugosllavisë (1978).

5. Kodi Civil i Greqisë, dispozitat mbi fitimin e pronës me parashkrim.

6. Kodet civile të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

7. GJEDNJ, Papamichalopoulos kundër Greqisë, 1993; Brumărescu kundër Rumanisë, 1999.

8. Praktika gjyqësore e GJEDNJ-së mbi pezullimin e parashkrimit për shkak të pamundësisë objektive.

9. Dispozitat civile mbi parashkrimin e kërkesave detyrimore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat