Po vërehet, jo vetëm në mjetet serbe të informimit — portale dhe televizione — por edhe në deklaratat dhe prononcimet e zyrtarëve serbë, përfshirë vetë Vuçiqin, fillimi i një fushate të hapur anti-Trump, plotësisht e kundërt me narrativën që mbizotëronte para zgjedhjeve. Atëherë, përkrahja ishte e fortë dhe e motivuar kryesisht nga pritshmëritë për një ndryshim të qëndrimit të SHBA-së ndaj Ballkanit, e në veçanti ndaj Kosovës.
Ky ndryshim i menjëhershëm toni nuk është rastësi, por pasojë e një zhgënjimi të thellë: pritshmëritë e ngritura mbi iluzionin se politika amerikane mund të personalizohet, të blihet apo të devijojë përmes individëve. Është për t’u habitur se si, qëllimshëm ose jo, nuk kuptohet — apo nuk lejohet të kuptohet — se Amerika nuk është mall që blihet. Ushqimi i vazhdueshëm i popullit me narracionin se SHBA-ja mund të joshet me favore, lobime apo marrëveshje të errëta, është jo vetëm naive, por edhe mashtruese.
Serbia ka shpenzuar shumë në lobim, ka paguar lobistë dhe individë me ndikim, përfshirë edhe figura si Grenell. Por ajo që nuk po pranohet të kuptohet është se blerja e disa individëve nuk do të thotë blerje e Amerikës. Politikat amerikane nuk ndërtohen mbi vullnetin e një personi, por mbi një sistem institucional afatgjatë, të bazuar në Kushtetutë, ligje, ndarje pushtetesh dhe demokraci funksionale. Pikërisht për këtë arsye Amerika është superfuqi: sepse interesat e saj strategjike mbeten konstante, pavarësisht rotacionit politik apo emrave që kalojnë përkohësisht në skenë.
Individët apo grupet lobuese mund të kenë sukses vetëm atëherë kur kërkesat dhe synimet e tyre janë në përputhje me interesat strategjike të vetë shtetit amerikan. Jashtë kësaj harmonie, çdo lobim mbetet i përkohshëm, sipërfaqësor dhe pa ndikim real. Prandaj zhgënjimi aktual në Serbi nuk buron nga ndonjë “ndryshim qëndrimi” i Trumpit, por nga pritshmëritë e gabuara të ndërtuara mbi keqkuptimin e vetë natyrës së politikës amerikane.
Serbia, historikisht dhe aktualisht, është në kundërshtim me këto vlera themelore amerikane. Asnjë politikë e saj e ashtuquajtur “universaliste” — në thelb e rreme — nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë sukses. Edhe ndryshimet e brendshme politike, qofshin të mendueshme apo të pritshme, nuk do të sjellin ndryshim thelbësor në pozicionin e shtetit serb ndaj Perëndimit, e veçanërisht ndaj Amerikës.
Arsyeja është e thjeshtë dhe strukturore: Amerika përfaqëson të kundërtën e interesit politik serb për dominim, për hegjemoni dhe për nënshtrim të të tjerëve — qoftë popujve fqinjë, qoftë rendit demokratik ndërkombëtar. Dhe për sa kohë ky antagonizëm vlerash mbetet i pandryshuar, çdo iluzion për “ndryshim kursi” nga ana amerikane do të përfundojë sërish në zhgënjim.