Mbrojtja e mësuesve dhe rivendosja e disiplinës në shkolla

Opinione

Mbrojtja e mësuesve dhe rivendosja e disiplinës në shkolla

Nga: Nijazi Halili Më: 9 shkurt 2026 Në ora: 21:04
Nijazi Halili

E nderuar Znj. Nagavci,

Sot, në shumë shkolla të Kosovës, po shohim një fenomen shqetësues dhe të rrezikshëm, arsimtarët sulmohen, poshtërohen dhe lihet e pambrojtur roli i tyre. Nxënësit, të cilët dikur mësonin respektin dhe disiplinën, po marrin frikën dhe përgjegjësinë si diçka të panevojshme. Ky nuk është arsimi që i nevojitet këtij vendi, dhe nuk është e ardhmja që duam për fëmijët tanë.

Arsimtari nuk është thjesht një mësues. Ai është prindi i dytë i nxënësit, udhërrëfyesi që formon karakterin, vlerat dhe qytetarinë e nesërme. Kur ai lihet i pambrojtur, kur sistemi toleron sjellje kapadaie dhe dhunë, shkolla nuk është më vend mësimi, por vend ku sundon kaosi. Çdo nxënës duhet të dijë pse është në shkollë, çdo mësues duhet të ndihet i sigurt, dhe çdo rregull duhet të respektohet. Pa këto, arsimi nuk ka kuptim.

Rrjetet sociale e kanë bërë situatën edhe më delikate. Pamjet e dhunës shpërndahen me shpejtësi, komentet shpesh justifikojnë ose glorifikojnë agresionin, dhe mesazhi që u përcillet të rinjve është i rrezikshëm, dhuna sjell famë, jo përgjegjësi. Kjo është një mësim i gabuar, i cili po ndërton breza pa respekt dhe pa ndjenja përgjegjësie.

Prandaj, i bëj thirrje Ministrisë së Arsimit, drejtorive të shkollave dhe prindërve reagoni. Rivendosni disiplinën, mbrojeni arsimtarin dhe edukoni nxënësit përmes rregullave, respektit dhe përgjegjësisë. Nuk mund të ketë arsim të shëndoshë pa autoritet dhe pa rregulla. Çdo heshtje dhe indiferencë sot është një ftesë për dhunë nesër.

Shkolla duhet të jetë vend i dijes, i respektit dhe i zhvillimit, jo arenë ku sundon agresioni dhe frika. Nxënësit duhet të mësojnë të jenë njerëz, të rriturit duhet të japin shembull, dhe mësuesit duhet të mbrohen dhe të respektohen. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të fortë, të drejtë dhe me të ardhme.

Ky është një alarm për të ardhmen. Nëse nuk veprohet tani, humbja nuk do të jetë vetëm e shkollës, do të jetë e gjithë shoqërisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat