Besnik Tahiri i Aleancës e quajti qeverinë autokratike vetëm pse Kurti, në mënyrë krejt demokratike, fitoi mbi 51% të votave.
Kur u ankua për një “qeveri të madhe” me 21 ministra, në fakt sulmoi drejtpërdrejt shefin e vet, Ramushin, i cili pat krijuar një qeveri monstrum me rreth 100 ministra e zëvendësministra dhe diku 300 këshilltarë.
Kulmi i ironisë: këtë fjalim vetë-diskreditues një portal e kishte shpallur “epik”!
Për Gjykatën e Hagës nuk e tha asnjë fjalë përfaqësuesi i AAK-së. Nuk e përmendi as Abdixhiku, i cili kërkoi të peshojë më shumë sesa ia mundësoi vota dhe u vetëngushëllua se pushteti fitohet ngadalë, me durim… ndoshta edhe pa votues.
Madje, LDK-në e quajti parti të Rugovës. Zakonisht, të ndjerit nuk posedojnë parti; por në Kosovë, siç duket, ata jo vetëm që i posedojnë, por edhe i drejtojnë.
Në të vërtetë, ajo ishte e Rugovës; sot është e Abdixhikut. Dhe këtë nuk e vendosi metafizika, bota tjetër, por Kuvendi me vota…
2.
Pse nuk duhet të marrin pjesë në protestë kryeministri dhe kryetarja?
Sepse kur pushteti ekzekutiv del në rrugë kundër drejtësisë, nuk kemi më protestë qytetare, por protestë institucionale.
Kryeministri dhe kryetarja nuk janë aktivistë, por garantë të rendit kushtetues. Gjykata e Hagës nuk sfidohet me protesta, por me fakte në gjykatë.
Shteti serioz respekton institucionet; nuk i imiton zakonet e shtetit të kaluar. Kurti e tha mendimin e vet dhe kjo mjafton!