Pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk e dorëzon në organet e Kosovës kriminelin Milan Radoiçiq, një ndër udhëheqësit e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, edhe pse presionet nga bashkësia ndërkombëtare janë shumë të mangëta? Prapëseprapë, veprimet e Vuçiqit mbeten të njëjta: ky kriminel të mbrohet deri në përfundim të mandatit të tij si president.
Vuçiq po merr kohë që të mos e dorëzojë kriminelin Milan Radoiçiq organeve të drejtësisë së Kosovës, sepse nga njëra anë ndihet i “turpëruar” t’u nënshtrohet institucioneve të këtij shteti, ndërsa nga ana tjetër, Radoiçiq do ta nxirrte në shesh kryekriminelin dhe urdhërdhënësin e këtij plani e organizimi terrorist kundër shtetit të Kosovës.
Bandat kriminale serbe dhe rrjetet e tyre, në lidhje me Vuçiqin, ende veprojnë aty-këtu, bashkë me “Listën Serbe” në veri të vendit, për të minuar funksionimin e ligjeve të këtij shteti. Përmes tolerimit të kësaj Liste Serbe si instrument politik i Vuçiqit, dhe në bashkëpunim me njerëz përgjegjës të armatës së Serbisë, fshihet një sasi e madhe armatimi nëpër familje serbe. Policia e Kosovës pothuajse çdo ditë zbulon dhe konfiskon municione të ndryshme në këtë pjesë të vendit.
Çështja e veprimit terrorist dhe kriminal në Banjskë të Zveçanit, si dhe shpërthimi i kanalit mbi lumin Ibër-Lepenc, nuk mund të kalojnë dhe të harrohen aq lehtë. Këtë, sikur Vuçiqi mendon ta fshehë, por bota e ka të qartë se ky veprim terrorist dhe shumë organizime të tjera kundër shtetit të Kosovës janë plane të hartuara dhe të programuara qëllimshëm nga qeveria serbe, në krye me Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Serbisë, kundër shtetit të Kosovës.
Padyshim, edhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet të reagojë më thekshëm, duke ditur se përgjegjësia i takon urdhërdhënësit, që në këtë rast është Vuçiqi. Veprimi fillon prej tij dhe ai duhet të përgjigjet për akte të tilla terroriste ndaj një shteti demokratik. Këto veprime kalojnë nëpër një hallkë zinxhirore të monstrumit trashëgimor serb në vazhdimësi ndaj Kosovës.
Edhe gjatë takimit në Mynih të Gjermanisë, kryeministri Kurti në atë konferencë e bëri të qartë orientimin euro-atlantik dhe objektivat e angazhimeve të vazhdueshme për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE. Ndër temat e diskutuara ishte edhe raporti i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke i kërkuar Serbisë dorëzimin e kriminelit Milan Radoiçiq në organet e drejtësisë së Kosovës, si dhe tërheqjen e letrës së Bërnabiqit.
Populli i Kosovës reagon në përgjithësi dhe në vazhdimësi ndaj kësaj politike hegjemoniste të Serbisë. Në dialogun me Kosovën, në vend të një marrëveshjeje për zgjidhjen e problemeve mes palëve, qeveria e Serbisë, në krye me presidentin Vuçiq, po i jep edhe më shumë shkas problemeve të reja, duke nxitur popullatën serbe në Kosovë që të mos i bindet qeverisë së këtij vendi dhe ligjeve të këtij shteti.
Pala serbe, nën udhëheqjen e A. Vuçiqit, që nga fillimi i negociatave e deri më tani në Bruksel, nuk ka realizuar dhe implementuar asnjë nga marrëveshjet e parapara, por vetëm ka marrë kohë që këto marrëveshje të neglizhohen me qëllim ose të hidhen poshtë, sepse kjo palë është e prirur ta ruajë natyrën e saj denigruese dhe në këto rrethana nuk e ndryshon kursin për të përmirësuar imazhin karshi Kosovës.
Prandaj, kryeministri Kurti nuk duhet të lëshojë pe ndaj çështjeve bazike, sepse dredhitë dhe mashtrimet e palës serbe dhe të Vuçiqit janë të njëjta. Nëse pala serbe nuk i plotëson kushtet e paraqitura nga pala shqiptare, të cilat janë të arsyeshme, duhet të merren parasysh edhe ndjenjat e qytetarëve që edhe pas 26 vitesh ende vuajnë plagët e luftës në shpirt dhe në trup. Janë ende rreth 1600 persona të zhdukur nga lufta, të cilët familjarët e tyre i presin ende.
Reagimet e palës shqiptare janë të vazhdueshme dhe kanë bazë logjike e faktike, duke ditur se shqiptarët ishin viktima të një lufte barbare të shkaktuar nga Serbia. Serbia edhe sot luan me ndjenjat e tyre, duke paraqitur një fytyrë tjetër para bashkësisë ndërkombëtare dhe një tjetër në veprimet konkrete në Bruksel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit, i di shumë mirë të gjitha zhvillimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Ai i ka të gjitha informatat ushtarake e paramilitare të asaj lufte të tmerrshme, përfshirë edhe vendndodhjen e kufomave të fshehura nga lufta e fundit.
Në historinë e luftërave, rrallëherë ka ndodhur që kufomat e masakruara të transportohen me qindra kilometra nga një vend në tjetrin, siç janë bartur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë, duke u fshehur në varreza masive. Një pjesë e tyre konsiderohet se janë djegur nëpër furra industriale në Serbi, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimeve.
Aleksandër Vuçiq bën përpjekje të vazhdueshme ta bindë botën për mosnjohjen e shtetit të Kosovës dhe, sipas tij, populli shqiptar me kryeministrin Kurti gjoja kërkon luftë. Por bota demokratike këto propaganda i kupton ndryshe, sepse një popull i vrarë dhe i masakruar nuk ka pasur dhe nuk ka qëllime të tilla primitive; përkundrazi, ai lufton për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të vet demokratik.
Deri më tani është parë qartë se Vuçiqi nuk është njeri i zgjidhjes së problemeve mes palëve dhe nuk dëshmon gatishmëri për një paqe historike. Prandaj, Kosova dhe z. Kurti duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj labirinteve të rrezikshme që mund t’i paraqiten palës shqiptare në Bruksel gjatë negociatave të ardhshme.