E kam parë Sizifin në ëndërr, si duket!

Opinione

E kam parë Sizifin në ëndërr, si duket!

Nga: Agron Shabani Më: 24 shkurt 2026 Në ora: 14:14
Autori Agron Shabani

Po ç’kohë sfiduese dhe koherente…!

Në Europë pamje të njëjta, fotografi të njëjta, imazhe të njëjta, panoramë e njëjtë, fotosintezë e njëjtë… Njerëz që nguten, ikin, kthehen, shkojnë e vijnë prej nga diku me nxitim.

Njerëz që nuk i njeh.

Pemë të ftohura ose të mbërdhira nga acari i dimrit dhe lisa të moçëm që mezi presin t’i çelin sytë.

Vajza dhe zonja (dama) të bukura, ekskluzive dhe ekzotike që të lënë pa frymë.

Në Romë thonë se Lavinia e bukur, hyjnore dhe profetike, i ka mbushur mbi 2 mijë vjet. Edhe Rea Silvia gjithashtu.

Edhe Koloseu, Forumi Romak dhe Panteoni…

Diku më larg tyre, romaket e hijshme, elegante, tunduese dhe temperamentale që të ledhatojnë trupin dhe të ngacmojnë shpirtin.

Në hyrje të kryeqytetit italian (Romë), kolona të gjata automjetesh dhe sirena të zhurmshme që vazhdimisht ia prishin gjumin qytetit të diellit.

Lumenj të pafund njerëzish ose vizitorësh të shumtë nga e gjithë bota aty… Në Romë, në Vatikan…

Njerëz ose besimtarë të shumtë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan…

Sigurisht se secili prej tyre ka lutjet, sakramentet, ndjenjat, kremtimet dhe arsyet e veta.

Edhe Ati i Shenjtë (Pontifiku) në Vatikan ka qëlluar zemërgjerë, shpirtbardhë dhe liberal për të gjithë. Shkëlqesia e Tij, Papa Leoni, që disa e quajnë Luan. Është me origjinë nga SHBA-ja.

Në Londër – Princesha e bukur, intelektuale, inteligjente dhe karizmatike e Uellsit, Catherine (Kate) Middleton, si kushërirë ose pasardhëse e denjë, dinjitoze dhe biogjenetike e George Washingtonit dhe një mbreti të famshëm anglez, sikur bën përgatitjet dhe performancën e fundit për fronin e lartë të Mbretëreshës së ardhshme të Britanisë së Madhe dhe Commonwealth-it.

Në “Trafalgar Square”, “Piccadilly” si dhe në sheshet tjera të kryeqytetit – metropolës së famshme britanike (Londër) që gumëzhijnë dhe buçasin nga zhurma dhe gjallëria mpirëse, dehëse, hallakëse, metropolitane dhe kozmopolitane e Londrës dhjetëmilionëshe: njerëzit ose qytetarët e shumtë mezi presin të shohin një ditë Mbretëreshën e re, të bukur, inteligjente, akademike, ekskluzive dhe ekzotike, Catherine (Kate) Middleton, duke i përshëndetur nga pallati i lashtë i Buckingham-it.

Shumë njerëz gjithandej globit thonë: po qe se nuk e keni parë dhe vizituar asnjëherë Londrën, nuk keni parë asgjë nga ekskluziviteti dhe delikatesa e zonjave (damave) të njohura mondane dhe metropolitane.

Në Paris, fotografi, portrete, figura ose personalitete të reja me parulla, pamflete, slogane dhe banderola të vjetra.

Fytyra të buzëqeshura, flegra buzësh dhe lëvizje gjuhësh zonjash të mbërdhira dhe skuqura nga sharmi ose “mish-mashi” i dashurisë së mbetur në gushë, ose në fyt diku në ndonjë cep të pandriçuar të qytetit të artit dhe bukurisë.

Parisi sikur i bluan dhe i absorbon bashkë, pa e ditur dhe hetuar as vetë, edhe bukurinë, edhe dashurinë, edhe borgjezinë, edhe aristokracinë, edhe skllavopronarinë, edhe luftërat e ndryshme dhe revolucionet, të cilat gjithmonë sikur ia kanë ngrënë kokën njëra-tjetrës, edhe, edhe…

Aty diku pari është edhe sheshi i njohur i “St. Just-it”, ku Maksimilian Robespieri thuhet se kaloi natën e fundit mbi tokë, i përndjekur nga Napoleoni dhe “apostujt e lirisë”…

Ç’koincidencë!

Në Berlin… personeli dhe lokomotiva e fuqishme gjermane, gjithmonë në tërheqje dhe pilotim të vështirë të një kompozicioni të madh të kontinentit dhe një pjese të madhe të planetit tonë.

Para Portës së Brandenburgut, në Alexanderplatz dhe gjithandej, pëllumbat ose zogjtë e mbërdhirë shtegtarë sikur paralajmërojnë ardhjen e shpejtë të stinës së re…

Në një shesh të mbushur plot në Prishtinë, ndërkaq, janë tubuar me dhjetëra mijëra, apo qindra mijëra qytetarë shqiptarë për të protestuar kundër paraburgosjes ose arrestimit maratonik të ish-liderit politik të UÇK-së dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe bashkëluftëtarëve të tij shqiptarë në Hagë.

Mund të dëgjohen edhe thirrje, parulla, brohoritje dhe ovacione të fuqishme e frenetike për luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së në arrest.

Në mesin e tyre edhe Presidentja e Kosovës, Dr. Osmani, ish-komandanti legjendar i Dukagjinit dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Gjenerali Agim Çeku dhe shumë të tjerë në shesh.

Ndërkohë që në Prishtinë bie edhe pak shi i përcjellë me pika loti të nxehta në faqet e bashkëfamiljarëve dhe bashkëluftëtarëve të Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit etj.

Kështu që edhe festa e pavarësisë së Kosovës, si papritur e pa e kujtuar as vetë, sakaq sikur shndërrohet në protestë.

Si duket, ka një problem të madh kardinal dhe ekzistencial në politikën dhe politikëbërjen e Kosovës dhe Shqipërisë. Cili është ai?

Edhe pas më shumë se 30 vjetësh, Kosova nuk është tërësisht e lirë, e pavarur, sovrane, integrale dhe demokratike.

As Shqipëria londineze me afro 113 vjet shtet e pavarësi – gjithashtu.

Jo çfarë.

Çudi e madhe, paradoks.

Hëmm…

Sidoqoftë, Kosova gjatë këtyre ditëve prapë ndodhej në festë…

Në mënyrë solemne u shënua (kremtua) 18-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Po jetojmë në një botë sfiduese, turbulente, konfuze dhe kaotike, çfarë nuk e njohim të gjithë!

Lufta e rrezikshme dhe apokaliptike e Rusisë në Ukrainë, së bashku me luftërat ose krizat tjera gjithandej globit, vazhdojnë të paraqesin një thembër Akili dhe ekuacion të madh me shumë të panjohura e të papritura për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme botërore ose ndërkombëtare.

Në këtë kontekst të dyshimtë duhet kuptuar, pranuar dhe justifikuar edhe “bordin e paqes dhe sigurisë botërore”, por jo edhe zotimin solemn të Presidentit Trump për t’i shpallur luftë të hapur tregtare, ekonomike, financiare dhe kabinetike Brukselit.

“Cash and carry” (paguaj dhe merr), po thotë kaherë Presidenti Trump.

Kuptohet se rrugët e njohura detare dhe ajrore në mes Brukselit (Europës) dhe Uashingtonit (SHBA-së) janë të njëjtat, por kanë ndryshuar kohërat dhe koordinatat, së bashku me njerëzit ose personelin komandues në bord.

Në muret e stolisura të “Zyrës Ovale” të Shtëpisë së Bardhë në Washington DC, ndërkaq, qëndrojnë të palëkundura dhe tepër krenare freskat, pikturat, portretet dhe fotografitë e ndryshme të presidentëve amerikanë që nga George Washingtoni e deri te Presidenti Trump, së bashku me ato të figurave dhe personaliteteve eminente nga historia e famshme amerikane, që kanë parë dhe njohur aq shumë të qara e të qeshura përnjëherë.

Ironi…

Presidenti Trump dhe Presidenti Putin, si duket, i kanë përzier letrat dhe “zarët” në “pokerin e madh” gjeopolitik e gjeostrategjik të globit.

Sigurisht se “ruleti rus” e ka bërë të vetën.

Sipas z. Trump, “muaji i mjaltit” në mes Uashingtonit dhe Brukselit ka ikur përgjithmonë. Në pakthim.

Në Bruksel vazhdimisht sikur kërkohet një “shankist” ose “krupier i ri” në “kazinon” ose “pokerin e madh” të globit.

Ndonëse edhe ato kryqëzime të shpeshta duarsh në gjoks apo në stomak, së bashku me ato lëvizje të tensionuara gishtash dhe grushtash mbi tavolina nga ana e liderëve të ndryshëm botërorë ose ndërkombëtarë, zgjojnë kureshtjen, duke tërhequr dhe trazuar vazhdimisht mendjen e publikut – auditorit të gjerë botëror.

“Është fat i madh që pesha dhe ngjyra e rëndë e stilolapsit akoma nuk janë derdhur dhe nuk kanë rënë mbi letrën e bardhë!”, siç thonë shpesh me një humor të latuar dhe elokuent gazetarët dhe moderatorët e bukura, ekskluzive dhe ekzotike nga Kosova, Shqipëria, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Austria, Kroacia, Greqia, Portugalia, Rusia, Izraeli, Arabia, Magrebi etj.

Zoti, fati, natyra, gjeografia kanë vendosur asisoj që me serbët dhe popujt tjerë sllavë të jemi fqinjë ose komshinj, ndërsa luftërat e ndryshme dhe historia na kanë bërë armiq të përjetshëm me ta.

Imagjinoni një botë futuriste, inkarnative, atraktive ose interaktive, ku neurokirurgjia, neurokimia ose neurobiologjia astrale, interstelare ose galaktike mundohet të na shpjegojë edhe “gjuhën e Zotërave ose Perëndive”, së bashku me gjuhën e alienëve ose jashtëtokësorëve, ndërkaq shumica absolute e politikanëve shqiptaro-kosovarë as në shqip nuk e kuptojnë dhe nuk e honepsin dot njëri-tjetrin.

Imagjinoni sot politikanët ose diplomatët shqiptarë ose kosovarë me “Trepçën”, “Ujmanin” ose fatet e kombit dhe atdheut nëpër çantat ose valixhet e tyre “politike ose diplomatike” nëpër “kazinot e globit”, në emër të “liberalizimit të vizave” dhe “integrimeve” të ndryshme imagjinare ose fiktive!

Edhe Kryeministri Albin Kurti, lexova diku se paska thënë se nuk e mbështet rikandidimin e Dr. Vjosa Osmanit për Presidente të Kosovës, edhe pse Dr. Osmani – Kurtit ia siguroi edhe postin e Kryeministrit dhe shumicën e elektoratit kosovar.

Por në Kosovë dhe Shqipëri marrja (turpi), tradhtia, pabesia, mashtrimi, interesat, nebuloza, mediokriteti, cinizmi dhe injoranca hahen me bukë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat