Edi Rama duket i mësuar të ndërhyjë në vendimet e gjykatave e në punët e drejtësisë; nuk e fshehu praktikën e tij dhe publikisht i kërkoi presidentit të Amerikës të ndërhynte në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, për të mos dënuar katër shqiptarët, shtetas të Kosovës, që po gjykohen aty.
Mendoj se Edi Rama kështu pohoi botërisht praktikën e tij të punës, mënyrën e tij të të bërit drejtësi, ndërhyrjen dhe diktimin në vendimet e drejtësisë. Shkëlqim i mendësisë dhe praktikës komuniste, pohim se komunizmi është mënyrë drejtimi në Shqipëri.
Kujtoi z. Rama se edhe presidenti amerikan Trump ndërhyn sa herë të dojë në vendimet e gjykatave. Ndoshta. Por po dëgjojmë se gjykata në Amerikë shpesh ia prish planet z. Trump. Dhe ngatërresa tipike shqiptare e udhës ishte kur i tha z. Trump se ai prokuror që të ka ndjekur ty, ka arrestuar edhe Hashim Thaçin.
Krekosja ia shqeu supet e kostumit, sepse Rama pohoi para botës dhe presidentit të shtetit më të fortë se ai është de fakto udhëheqësi apo lideri suprem edhe i Kosovës; ai flet edhe në emër të Kosovës dhe nuk e përmend fare Shqipërinë, ani se presidentja e Kosovës, zj. Vjosa Osmani, ishte aty e pranishme, rrezatuese dhe tërhoqi gjithë vëmendjen e përqendruar të presidentit amerikan. Ndërsa fjalët e Ramës u tretën si flokët e borës në tokë të lagur dhe patën efekt vetëm në organizatat e partisë socialiste e komuniste në Tiranë e Prishtinë, ndërsa në Amerikë apo kancelaritë e tjera i fshiu era.
Kjo praktikë megalomane e përsëritur e z. Rama, sikur ai është mbret edhe për Kosovën, u shfaq edhe në një mbledhje botërore kaq solemne. Këtë e ka bërë në Beograd z. Rama, e ka bërë në Bruksel, e ka bërë në Prishtinë.
Duket se vuan lideromaninë për Kosovën, e cila i duket e huaj, e pasundueshme dot prej tij, edhe pse disa politikanë partizanë të Kosovës, me mendësinë e komunistëve të Enver Hoxhës e të Titos të pasluftës partizane, e duan dhe e quajnë aleat Ramën.
Akoma Edi Rama nuk e ka gjetur dot derën nga hyhet me dinjitet në Kosovë dhe, ndaj, e fyen Kosovën dhe liderët e saj që nuk e përfillin. Akoma Rama vuan rëndë pse Sali Berishën e duan edhe zogjtë e malit në Kosovë dhe ai, me mend, lufton natë e ditë për ta mundur Sali Berishën në Kosovë.
Munde Sali Berishën në Kosovë, z. Rama, por mos i nënvlerëso, mos i ul, mos i poshtëro si karagjoz liderët e Kosovës sa herë të jepet rasti për ta ngritur veten. Gaboi ndoshta shumë dikur Ramush Haradinaj që nuk ta mbështolli një shuplakë fytyrës dhe do të kishte marrë fund fyerja e liderëve të Kosovës prej teje.
Lëre Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë në punë të vet; mos u mundo t’i bësh presion me Trumpin apo me turmat që frymëzon udhëve, se këto praktika komuniste e bolshevike nuk i favorizojnë të akuzuarit që ndodhen në gjyq.