“Petulla me ujë”!

Opinione

“Petulla me ujë”!

Nga: Agron Shabani Më: 27 shkurt 2026 Në ora: 08:29
Autori Agron Shabani

Të ëndërrosh nën diell, të hash nën shi dhe të dashurosh në terr ose errësirë të plotë, thonë se janë tri marrëzitë më të mëdha dhe kryesore të botës ose civilizimit tonë njerëzor.

Xhakomo Kazanova dhe Don Zhuani, thuhet se nuk u dashuruan kurrë, por dashuruan aq shumë, sa që gjithmonë u kënaqën dhe hallakatën me të dashurat (dashnoret) e veta, që nuk i kishin njohur e as takuar kurrë më parë.

“Kazanovët” ose “Don Zhuanët” tanë, ndërkaq, si duket, u dashuruan dhe ejakuluan shumë herët… në shikim të parë.

Dashuria i qëlloi ose i goditi (si shigjetë në zemër) mu në moshën e pubertetit.

Thonë se në Prishtinë asokohe ishte stinë pranvere në verë…

Stina e lulëbozhureve dhe dashurisë që çelin në muajin maj. E sidomos në sytë e lazduar të vashave (gocave) të nxehta dhe me temperament të kryeqytetit të paujë, i cili gjithmonë sikur vaditej me “lotët” e dashurisë së “Romeove” dhe “Xhulietave” shqiptare ose kosovare, për shkak të inateve, interesave, hasmërive dhe konflikteve të ndryshme tribale ose lokaliste të “Montekëve” ose “Kapuletëve” të Kosovës.

Kështu që “Don Zhuanët” ose “Kazanovët e Kosovës” gjithmonë kishin frikë nga dielli dhe drita, ndërsa ato “skifterët” e alpeve të ftohta dhe dheut të huaj, kishin frikë nga terri ose errësira e dendur e kryeqytetit kosovar, ku shefat ose menaxherët turq sot shpesh i fikin ose i ndalin dritat në pikën (pikun) e qejfit dhe sevdasë.

Ua bëjnë shpesh terr – turqeli shqiptarëve-kosovarëve në “shtetin e lirë, sovran, integral dhe demokratik” të Kosovës. Bile, edhe u duket pak.

“Le të hanë, pijnë, vriten, mbyten, dehen, ethen, kapen, ç’kapen, martohen e ç’martohen në terr ky kaur milet i egër dhe i pabesë!”, sikur i thonë shpesh njëri-tjetrit në vesh shefat dhe pronarët turq, të cilët disa atje i quajnë miq, vëllezër dhe aleatë natyrorë e historikë.

Punë e madhe edhe kjo!

Me rëndësi është ajo tjetra që “Don Zhuanët” dhe “Kazanovët e mëdhenj të Kosovës” dhe “zonjat e para, të dyta, të treta…” të mos ngelin pa dritë.

Për “popullin (miletin) e ri kosovar”, kush po lodhet?

Kujt po i kërset leshi për ta?

Katra e i karricë.

Aiiii, allahile!

S’e harrova për pak edhe xhematin e madh turk për “iftar” dhe “syfyr” allatyrçe në qendër të “Prishtinës (Kosovës) evropiane” e “proamerikane” në muajin e Ramazanit, ku edhe “Kazanovët” ose “Don Zhuanët” kosovarë nuk guxojnë me ra me gra dhe me çuar dashuri.

“Është haram”, u thonë imamët e Turqisë dhe Serbisë në Kosovë.

“Beli vallah po!”, zukat dhe pëshpërit me miratim aprovues “tufa ose masa e madhe e xhematit, myhybëve, fidainjve, bejtexhinjve dhe muxhahedinëve” të Kosovës.

Një hoxhë nga Turqia, në “Xhaminë e Hadumit” në Gjakovë dikur, thuhet se i nguli (rrasi) pahiri çibukun ose kamishin një myhybi bektashi nga Gjakova në prapanicë.

Përderisa Nastradinit diku më larg asokohe i shkoi gjak hundëve.

“Uuu, uhuuu hoxha i shkretë… po çka paska kërkuar në Gjakovë, ku në vend të minderit, jastëkut ose postoqisë së ogiçit, të shtrohen zharava në prapanicë”, i cituar nga analet, kishte thënë Nastradini.

“Nuk shkoi kurrë më në atë shehër sërt të çafirëve arrnaut!”, tregohet se kishte thënë hoxha turk, i cili kishte ikur nga aty me gishta në prapanicë.

Ç’t’i bësh fatit kur “Kazanova” ose “Don Zhuani i madh nga Kosova” vazhdimisht kanë frikë nga drita e diellit.

U pëlqen dashuria në terr… tinëz… me havale…

“Terri i dendur ose errësira e madhe, edhe femrën (gruan) më të keqe dhe më të shëmtuar, e shndërron në mis ose kukull misterioze-enigmatike”, tha dikur shkrimtari, eseisti, romancieri dhe novelisti i madh kroat, Mirosllav Kërlezha.

Edhe Jul Cezari, i cili u martua disa herë – me Pompejen, mbesën e diktatorit Sula, dhe me Kalpurninë e klanit të pasur të plebejve – thuhet se u dashurua dhe u martua në terr.

Ndërkaq, nga dashuritë martesore me Kornelinë e Romës dhe Kleopatrën e Egjiptit, gjenerali Cezar kishte një vajzë, e cila iu martua Gai Pompeit, dhe një djalë me Kleopatrën, të quajtur Cezarion, të cilin gjenerali Jul Cezar nuk e pranoi kurrë për djalë të vetin.

“Është kopili i Mark Antonit”, u thoshte në besim dhe konfidencë të plotë oficerëve dhe të besuarve të tij.

Ndërkaq, Kosucia e bukur, ekskluzive dhe ekzotike, thonë se i iku nga shtrati një natë para se Jul Cezari të vritej mizorisht në Forumin e Romës nga Jul Bruti dhe 23 senatorë ose aristokratë të lartë romakë.

Për një kohë shumë të gjatë në Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, kanë gjetur strehë dhe audiencë të plotë shtypja, diskriminimi, poshtërimi, robëria ose skllavërimi total dhe absolut i femrës shqiptare.

Atë “traditë kanunore dhe fisnike” na e lanë “vëllezërit, miqtë dhe aleatët e fortë natyrorë e historikë” nga Stambolli etj.

Prandaj, femra shqiptare në Kosovë ose ish-Jugosllavi, për një kohë të gjatë më tepër ishte objekt epshesh dhe instinktesh të ndryshme dimorfiste ose animaliste, sesa subjekt shpirti, kulti dhe respekti.

Prandaj, edhe sot e kësaj dite, femra shqiptare në Kosovë akoma nuk është tërësisht e lirë, e aftë dhe e përgatitur për të udhëhequr, qeverisur, menaxhuar dhe dashuruar.

Vendin ose primatin e saj, falë “Don Zhuanëve” ose “Kazanovëve” vendorë, shpeshherë atje e marrin “skifterët” ose “zonjat hijerënda” prej përtej gardhit.

Çudi!

“Ne gjithmonë duhet të ndiejmë keqardhje dhe protestë të thellë për të gjitha gjërat e këqija dhe veprat e liga që na kanë ndodhur më herët, por nuk bën të bëhemi viktima të tyre.” (Konfuqi)

Volteri dikur tha: “Një thënie e mprehtë, një mendim i thellë dhe një humor ose metaforë e latuar dhe elokuente nuk provokojnë asgjë dhe askënd, por vërtetojnë gjithçka.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat