Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Lëvizja e Vetëvendosjes deklaroi se Bekim Jashari do të ishte kandidati perfekt për president të Republikës dhe do të krijonte konsensus me opozitën për zgjedhjen e tij. Po. Bekim Jashari do të ishte kandidati më i përshtatshëm për të dy arsyet, sepse i takon Familjes ikonë Jashari dhe, sepse garantonte votat e opozitës njëkohësisht. Por ai nuk e pranoi postin e presidentit, pra refuzoi të kandidojë për të qenë kryetar i shtetit të Kosovës. Arsyetimi i tij për këtë refuzim më është dukur jo racional. Është jo racional, sepse të jesh kryetar i shtetit të Kosovës nuk është nëpërkëmbje e Familjes Jashari, nuk është as post që e ul imazhin dhe zhvleftëson meritat e kësaj familjeje.
Të jesh president i Republikës së Kosovës është përgjegjësia më e madhe kombëtare, sepse në atë pozicion ti duhet të jesh balanca e unitetit dhe ekuilibrit të shtetit e të shoqërisë. Nëse Bekim Jashari apo çdokush tjetër i kësaj familjeje ka aftësinë dhe vullnetin për të ruajtur këto balanca, atëherë nuk ka pse frikësohet në angazhimin e tij sidomos në këtë post. Nëse Bekim Jashari ushtroi detyrën e kryetarit të Komunës së Skenderajt, pse nuk do të duhej ta ushtronte detyrën e presidentit! Këto komplekse e dëmtojnë Familjen Jashari dhe Kosovën më shumë sesa veprimtaria shtetërore e ndershme dhe me përkushtim për fatin e vendit.
Nejse! Pas refuzimit të zotit Jashari mazhoranca dhe opozita janë sërishmi në kërkim të një kandidati tjetër për president, kur ky kandidat është sot në zyrën e presidentit. Mundet që Vjosa Osmani të kritikohet. Mundet që të mos pëlqehet nga disa, përfshirë edhe zotin Kurti. Por nuk mund të injorohet fakti se Kosova dhe shteti kanë nevojë për Vjosa Osmanin. Nuk është fjala për ta mbështet Vjosën. Fjala është për të garantuar suksesin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me faktorin ndërkombëtar. Po pse emri i Vjosa Osmanit nuk po vjen në konsideratë, ndërkohë që vijnë në medie edhe emra të tillë si Rexhep Qosja, i cili mund të konsiderohet si përçarësi më i madh i politikës dhe shoqërisë së Kosovës, pas Edi Ramës?! Apo emra të tjerë. Të gjithë ata emra që propozohen ose vetë propozohen për postin e presidentit, përveç akademikut Arsim Bajrami, nuk rezultojnë kurrsesi si personalitete ose persona politikë që sjellin harmoni dhe kohezion në ushtrimin e funksioneve të kreut të shtetit.
Vjosa Osmani është e konfirmuar tashmë për përkushtimin dhe profesionalizmin e saj politik dhe kombëtar në këtë detyrë. Kushtetuta e lejon atë që të ushtrojë këtë post edhe në një mandat të dytë. Ajo i ka shanset e provuara tashmë se mund të garantojë sidomos mbështetjen amerikane për vendin, një mbështetje e domozdoshme për sendërtimin e plotë të shtetit dhe njohjen ndërkombëtare të tij. Vjosa Osmani mund të ketë mbajtur qëndrime ndryshe nga ato të kryeministrit në momente të caktuara. Por kjo duhet të shihet si normalitet në marrëdhëniet midis institucioneve të vendit, madje si vlerë, për shkak se nëse diçka nuk funksionon në një anë, kompensohet në krahun tjetër. Pra krijon ekuilibër për vendin dhe jo për emrat e përveçëm. Kësisoj diferencat vetëm përforcojnë idenë e rikandidimit të Vjosa Osmanit.
Duket qartë se mazhoranca e kryesuar nga Vetëvendosja nuk e do më zonjën Osmani në zyrën e presidentit. Arsyetimi është se “Nuk marrim dot votat e opozitës”! Dhe kjo arsye qëndron. Vetë Vjosa mund të bënte diçka që të garantonte mbështetjen e LDK-së së paku, me qëllim evitimin e zgjedhjeve të reja në rast dështimi. Por edhe ajo këto kohë ka heshtur. Ndoshta e sheh si mision të pamundur kandidimin kësaj radhe. Megjithatë opozita vetë dhe sidomos Lidhja Demokratike, do të duhej të reflektonin. Të publikonin qëndrimin e tyre pro kandidaturës së Vjosa Osmanit. Kësisoj edhe mazhoranca nuk do të kishte alibi për ta refuzuar kandidaturën e saj. Por mesa duket as opozita, as mazhoranca nuk e duan atë në krye të shtetit! Arsyet nuk më bindin edhe pse është e drejta e tyre të gjykojnë dhe vendosin për këtë. Sipas logjikës, punët që janë nis nuk i çon përpara vetëm qeveria, por edhe presidenti/ja dhe institucionet e tjera të pavarura të shtetit!