Kosova do të ketë edhe në të ardhmen probleme në zgjedhjen e presidentit, prandaj është e domosdoshme që të ndryshohet Kushtetuta e vendit, e cila deri më tani e përcakton zgjedhjen e presidentit përmes shumicës së deputetëve në Kuvend.
Shoqëria jonë kosovare do të ndihet më e sigurt në hapat e saj, duke marrë formën dhe modelin e një shteti të vërtetë demokratik. Prandaj është e domosdoshme t’i marrim me seriozitet përgjegjësitë politike që na takojnë për vendin dhe shtetin.
Në realitet, konceptin e qeverisjes dhe të vetëqeverisjes demokratike duhet ta kuptojmë si vlerë shoqërore të kohës moderne, që nënkupton mundësinë e veprimit për të krijuar mirëqenie dhe një jetë më të mirë, aq më tepër kur kemi modele të mira në shoqëritë e zhvilluara perëndimore.
Pas krijimit të qeverisë së re në Kosovë, tani pritet zgjedhja e presidentit, në mënyrë që secili të marrë detyrat e veta në pushtetin drejtues, i cili do të organizohet në bazë të marrëdhënieve mes pozitës dhe opozitës, që marrin përgjegjësi duke e plotësuar njëra-tjetrën.
Kosova, në këto momente, ndodhet përballë një sfide vetësfiduese që po shkakton ngatërresa në zgjedhjen e presidentit. Këto rrethana vijnë edhe nga moskoordinimi mes partive politike, të cilat mund të na kthejnë në një gjendje të pakëndshme, siç janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kuptohet se edhe demokracia ka gjëra të padëshiruara, por ajo që po bëhet e neveritshme dhe monotone në politikën e shoqërisë kosovare nuk janë modele që do t’i lakmonte dikush për të mirë, duke ngjallur një ndjenjë të pakëndshme, të përcjellë përmes urrejtjes dhe përçarjes ndërpartiake. Deri dje ishim të ngulfatur e të robëruar, ndërsa sot jemi të lirë, por të vetësfiduar.
Kuptimi i një shoqërie të mirëfilltë demokratike do të vërehet në cilësinë e të drejtave dhe lirive njerëzore. Ndër këto vlera, e rëndësishme është ruajtja e besimit dhe përkushtimi ndaj kauzave të mëdha shtetërore dhe kombëtare.
Atëherë, ku jemi si shoqëri shqiptare shumicë e këtij vendi, duke mos anashkaluar edhe pakicat e tjera pa dallim, në ndërtimin e këtij shteti? Në këtë realitet kemi mangësi dhe shumë vërejtje, sepse deri këtu ku kemi arritur kemi pak arritje me të cilat mund të mburremi.
Nëse vazhdojmë me lojëra dhe aventura të njëjta, duke i bërë “bishta” njëri-tjetrit, duke krijuar ndasi dhe përçarje politike, urrejtje ndërpartiake e klanore, në këtë mënyrë jemi duke e mashtruar vetveten, sepse rezultatet janë dëshmi të padobishme që tregojnë pasqyrën e kësaj shoqërie.
Kjo gjë na bën të pasigurt në rrugëtimin tonë dhe në kohën që po vjen, kur njeriu i këtij vendi dhe i kësaj bote properëndimore do të duhej vetë t’i shpalosë qëndrimet dhe vendimet e veta në këto kushte lirie dhe pavarësie, për realizimin e vetëqeverisjes dhe përmirësimin e mirëqenies së vet.
Prandaj, nëse zgjedhja e presidentit nuk realizohet në këto momente të veçanta dhe të rëndësishme për vendin, duke na çuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo nuk do të thotë se është një skandal i paparë dhe i padëgjuar në shoqëritë demokratike. Por për shoqërinë tonë ka një peshë të madhe si sinonim i zhvlerësimit ose rënies së shtetit, që vjen nga një strukturë e tillë politike, e cila nuk është në gjendje të krijojë kushte për qeverisje të qëndrueshme. Për më tepër, bëhet fjalë për një mjedis dhe shoqëri politike që, brenda këtij organizimi, duhet të ketë forma dhe plane për një jetë më të begatë në të ardhmen e këtij vendi dhe populli.