Në romanin alegorik Animal Farm( Ferma e kafshëve) të George Orwell, kafshët ngriten me idealizëm për barazi dhe drejtësi. Por dalëngadalë, parimet deformohen, rregullat ndryshohen, dhe pushteti përqendrohet në duart e pakicës. Parulla e famshme shndërrohet nga “Të gjitha kafshët janë të barabarta” në “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat.”
Sot, duke parë moskoordinimin e pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, është e pamundur të mos më rikthehet kjo analogji. Sepse ajo që po shohim nuk është thjesht një mospajtim politik, është një rrëshqitje e rrezikshme nga përgjegjësia drejt kalkulimit.
Dhe këtu qëndron dëshpërimi im.
Jam i dëshpëruar sepse e njëjta opozitë që sot deklaron pamundësi bashkëpunimi për një proces kushtetues, ka ditur të gjejë koordinim kur janë votuar çështje shumë më të mëdha dhe më të ndjeshme për shtetin. U siguruan vota për Gjykatën Speciale. U shty përpara procesi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. U ratifikua demarkacioni me Mali i Zi, mes polemikave për mijëra hektarë tokë. U morën vendime për pasuri publike si Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Atëherë kishte vota, kishte marrëveshje e mbi të gjitha kishte edhe “arsye shtetërore”.
Sot, për zgjedhjen e Presidentit, papritmas mungon gjithçka.
Në “Ferma e Kafshëve”, rregullat shkruheshin në mur dhe ndryshoheshin natën. Askush nuk e kuptonte saktësisht kur ndodhte transformimi, por në fund, gjithçka ishte ndryshe nga ajo që ishte premtuar. Edhe sot duket sikur standardet politike ndryshojnë sipas momentit, kur u konvenon, kompromisi quhet përgjegjësi, kur nuk u konvenon, quhet tradhti.
Ky standard i dyfishtë është ajo që e lodh qytetarin. Është ajo që e bën njeriun të ndjejë se po e sheh të njëjtën shfaqje me aktorë të ndryshëm, por me skenar të pandryshuar.
Dëshpërimi nuk vjen sepse ka debat politik, demokracia ka nevojë për debat, por dëshpërimi vjen kur parimet përmenden vetëm si mjete retorike. Kur uniteti kërkohet vetëm kur i shërben interesit partiak. Kur përgjegjësia shtetërore bëhet selektive.
Në fund të romanit të Orwell-it, kafshët nuk arrijnë më të dallojnë derrat nga njerëzit. Pushteti kishte ndryshuar fytyrë, por jo logjikë. Dhe sot lind një pyetje e hidhur, a po ndryshojnë vetëm pozicionet në sallë, ndërsa kultura politike mbetet e njëjtë?
Jam i dëshpëruar sepse do të doja të shihja një opozitë që bashkohet kur rrezikohet funksionimi institucional i shtetit. Një opozitë që e sheh Presidentin jo si fitore apo humbje partiake, por si garanci të stabilitetit.
Sepse nëse edhe ky proces kthehet në lojë bllokadash, atëherë muri i fermës është rishkruar sërish, dhe qytetari mbetet vetëm duke lexuar parulla që ndryshojnë, por realiteti mbetet i njëjtë.