- Shqipëria është vendi, ku për rreth 84 vjet janë vrarë, burgosur dhe internuar nga duar dhe armë të një partie dhe qeverive të saj gjase shqiptare më shumë shqiptarë se nga armët dhe duart e ushtrive pushtuese italiane dhe gjermane!? - Shqipëria është nga vendet me sipërfaqe dhe popullsi ndër më të voglat në Europë dhe njëherazi ka rezerva nga më të mëdha mineralesh, edhe të rralla si dhe me naftë e gaz dhe nivelin e jetesës më të ulët apo të varfërisë më të lartë!? - Kosova, MV, Mali i Zi...nuk kanë rezerva nafte dhe i kanë çmimet e litrit të tyre rreth 40- 50% më lirë se sa Shqipëria, me rezerva shumë të mëdha nafte dhe gazi...!?
- Shqipëria ka burime dhe rezerva uji të pijshëm për të furnizuar gjysmën e Europës dhe nuk ka ujë as për 4-8 orë në ditë për shumicën e qyteteve, kur vende me rezerva më të pakta kanë 24 orë ujë të pijshëm në ditë në çdo shtëpi! - Shqipëria, me as 2.5 milionë banorë, ka 1 punonjës administrate dhe "patronazhist" për 10 banorë, kur vende me sipërfaqe dhe popullsi rreth 5-35 herë më të mëdha e kanë këtë raport në 1 me 200- 500 banorë!? - Shqipëria e vogël ka 1 deputet për rreth 12.000- 15.000 banorë, për më tepër, më të pasur në depozita bankare dhe pasuri të patundshme se shumica e homologëve të tyre në vendet me nivele më të larta zhvillimi dhe mirëqenieje, kur vende me popullsi e sipërfaqe 20- 50 herë më të madhe e kanë këtë raport 1 deputet për 100.000- 200.000 banorë...!? - Shqipëria është vendi ku deputetët dhe pushtetarët janë jo vetëm ndër më të pasurit e më të korruptuarit e njëherazi edhe më të privilegjuarit financiarisht, juridikisht, administrativisht, institucionalisht!?
Edhe më të paprekshmit nga drejtësia, nëpërmjet parzmores së imunitetit dhe të privilegjeve të deputetit, edhe kur me dosjet me fakte të korrupsionit të tyre mund të mbushen furgona dhe dhoma të tëra...!? Ku, ish zv.kryeministrja dhe ish ministrja Linda Balluku, mund tu bëjë karshillëk SPAK-ut, GJKKO-së, Gjykatës Kushtetuese, deputetëve të opozitës, shumicës së SHQIPTARËVE, ndërkombëtarëve...,duke u thënë me mend apo edhe me fjalë: “Kam bërë korrupsion dhe fitime sa më ka dasht qejfi, por nuk ka lind akoma prokuror e gjyqtar në Shqipëri, që të më mbyllë në një burg dhe qeli! Se më thonë Linda Balluku, që nga unë kanë frikë edhe Edi Rama, dora e këmba vetë; edhe Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu, Ulsi Manja, Niko Peleshi, Taulant Balla...; edhe ausha e ariu dhe ulkonja e ujku...!
- Shqipëria, vendi me dy qeveri, një në zyra e liri e tjetra nëpër burgje e qeli!? Për më tepër, kur pas burgut minimal, sa për pastrim figure e pasurie, del më i pasur se ditën e hyrjes, me konsensusin paraprak "futu se në qeli do të jesh si në një dhomë hoteli me 2- 3 yje"! - Shqipëria është vendi ku oligarku, ortak qeveritar e konsideron Kushtetutën një "kosh mbush me ligje e letra" dhe rrëmben për kulla e komplekse turistike dhe banimi pronën e ligjshme e të trashëguar nga të parët, edhe me dokumente krejt të rregullta; ku merr si mall pa zot e në sytë e një qyteti plot, shtëpi, tokë për të mbjellë e për kullota; burime uji...!? - Shqipëria, vendi ku shumëçka e paligjshme dhe kriminale, bëhet edhe ditën me diell, nën hundën dhe pas kurrizit të kryeministrit dhe ai justifikohet dhe mbrohet me përrallat se "përgjegjësia është personale" dhe se “kanë ngenë dardha pas kurrizit tim, kur kam qenë në mbledhje ose gjumë të rëndë”!? -
Shqipëria, vendi me pagat dhe pensionet më të ulta dhe me varfërinë më të lartë në Europë, i cili paradoksalisht apo shqiptarisht, ka çmimet më të lartë e më të çmendur të artikujve ushqimorë; të higjienës dhe kozmetikës; të farmaceutikës; elektronikës, veshmbathjeve, për më keq edhe me cilësinë më të ulët e të rrezikshme...!? - Shqipëria është vendi ku për propagandë e mashtrim thuhet se "mjekësia publike është falas" e ku në të vërtetë, duke u mbush xhepa mjekëve dhe infermiereve, ajo kushton jo fort më lirë se në spitalet private...!? - Shqipëria është vendi ku shumica e qytetarëve nuk ndihen, nuk reagojnë e protestojnë në mënyrë të organizuar dhe masive, edhe pse kanë shumë më tepër se popujt e tjerë shkaqe dhe arsye, jetike dhe kritike, "dhurata bujare" nga keqqeverisja mbi 12 vjeçare Rama e nga 1001 problemet e mbijetesës allashqiptare!
Edhe pse për ditë qeverisja Rama jep shkaqe e arsye për përkeqësim, zhgënjim, pakënaqësi, revoltim, protesta, sidomos me rritjen e çmendur autoritarizmit dhe të diktatit nëpërmjet 83 kartonave apo kukullave si dhe të korrupsionit e të çmimeve, të pandjeshmërisë njerëzore e sociale, përsëri shumica e shqiptarëve, sidomos pensionistë dhe të rinj, të punësuar e jo, nuk shkulen nga karriget nëpër kafene e stolat nëpër lulishte; nga kompjuterat, laptopët, celularët...As nga televizorët, duke parë shumë herë në ditë, në emisionet e lajmeve, Edi Ramën duke përrallisur për suksese në të gjitha fushat e për përkujdesje ndaj qytetarëve. Por, edhe duke e mbrojtur si veten, zëvendësen e tij, Belinda Balluku, bashkëpërgjegjëse për shumë pisllëqe jo vetëm për nga firmat në shumë vkm të gjëmshme...
Para e pas emisioneve të lajmeve, shumica e shqiptarëve, edhe pse halle përmbytur, mbeten pengje të serialeve të telenovelave turke; të ndeshjeve të futbollit të kampionateve më të fortë në botë e të debateve në “Opinione”, ku shumica e opinionistëve, bëjnë, natyrisht jo falas avokatin mbrojtës dhe “bojaxhiun” e kryeministrit dhe të disa ministreshave të tij...! - Shqipëria “parajsa tokësore” për pushtetarët e korruptuar të tre niveleve të “piramidës qeverisëse”, ku vetë shumica e qytetarëve i lejojnë, votojnë, mbrojnë... si e sa në asnjë vend tjetër, që buxhetin e shtetit më të varfër në Europë, ta shikojnë si "thesarin e Ali Babës dhe të 40 hajdutëve të tij" apo si të SHBA-së, të sheikëve arabë...dhe ta vjedhin pa ndjerë pikë përgjegjshmërie, dhembshurie, turpi, pendese...për t'u multimilionarizuar apo sheikizuar individualisht dhe familjarisht? - Porsa nis lufta SHBA&IZRAEL - IRAN, çmimi i litrit të naftës dhe benzinës në Tiranë, rritet edhe më shpejt e më shumë se në Teheran dhe në Amsterdam...!? -
Shqipëria është bërë në këta 10 vjet republika apo shteti i kafeneve, pensionistëve, të korruptuarve, të urinuesve nën ura, edhe mbi lumenj e përrenj në mes të qyteteve...!? Edhe vendi i tregtimit lirisht e me çmime të shtrenjtë të ushqimeve dhe ilaçeve të skaduar prej muajsh dhe me doza të larta përbërësish të rrezikshëm...!? - Edhe vendi ku kanë gjetur shesh e bëjnë përshesh "hakerat iranianë", për të vjedhur apo "për të zhdukur fakte dhe dëshmi korrupsioni" të zyrtarëve qeveritarë, shtetërore parlamentarë...shqiptarë, për t'i shfrytëzuar si leksion e përvojë se si mund të vidhet "nën hundën e shefave" një institucion qeveritar...!? Shtoni vetë fakte si këto sa të doni...! Nuk është e vështirë të gjeni, edhe pa e shtrydhur fort kujtesën, sepse janë të përjetuara e të përditshme! Po e përmbyll me thirrjen: hajdeni mos i besoni dhe i kundërshtoni ata shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që referuar fakteve dhe veprave e jo shifrave qeveritare, mendojnë dhe thonë se Shqipëria është vendi më i pasur në botë për absurditete, paradokse, çudira, marrëzira...!?