Gani Thaçi dhe kapja e heshtur e tregut të sigurimeve 

Opinione

Gani Thaçi dhe kapja e heshtur e tregut të sigurimeve 

Nga: Agim Vuniqi Më: 14 mars 2026 Në ora: 16:03
Agim Vuniqi

Në Kosovë ka emra që nuk kanë nevojë për poste formale për të ushtruar pushtet. Mjafton mbiemri, lidhja familjare dhe rrjeti i ndërtuar në hije. Rasti i Gani Thaçit është një shembull tipik i kësaj kulture të deformuar politike dhe ekonomike, ku sektori i sigurimeve nuk është perceptuar si treg i rregulluar, por si zonë ndikimi për njerëz të afërt me pushtetin. Emërimi i tij në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve në vitin 2012, pas pozitës si zëvendësdrejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve, u pa publikisht jo si triumf profesionalizmi, por si zgjerim familjar i pushtetit në një sektor me para dhe ndikim.

Ajo që e bën këtë rast edhe më të rëndë nuk është vetëm prania e gjatë në sistem, por mënyra si sistemi u soll ndaj tij. Kur një figurë e tillë del përfitues i një pensionimi të parakohshëm prej 176,400 eurosh nga BKS-ja, publiku me të drejtë pyet: a kemi të bëjmë me shtet, me rregull tregu, apo me privilegj të personalizuar? Në një vend ku qytetarët mezi e mbajnë familjen me paga minimale, këto marrëveshje duken si shpërblime të një kaste, jo si vendime normale administrative. 

Edhe më alarmante është se emri i tij nuk lidhet vetëm me privilegje financiare, por edhe me krizë të kulturës institucionale. Prokuroria e konfirmoi si të dyshuar në një rast përleshjeje fizike në ambientet e BKS-së. Kjo, edhe pa hyrë në paragjykim penal, mjafton për të ngritur pyetjen thelbësore: çfarë lloj klime drejtimi ka ekzistuar në një institucion kaq të rëndësishëm, kur drejtuesit apo ish-drejtuesit e tij përmenden në lajme policore, jo në raporte suksesi? 

Prandaj problemi me Gani Thaçin nuk është thjesht personal. Problemi është modeli që ai simbolizon: depërtimi i familjarëve të pushtetit në tregje strategjike, normalizimi i privilegjit, rrëshqitja e institucioneve në klientelizëm dhe krijimi i bindjes se disa emra janë mbi rregullin. Në një republikë serioze, një figurë e tillë do të ishte objekt hetimi publik, auditimi institucional dhe distance politike. Në Kosovë, për vite me radhë, ai u trajtua si pjesë normale e peizazhit të pushtetit. Ky është skandali i vërtetë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat