Shqipëria dhe Kosova ndajnë gjuhën, historinë dhe ëndrrën për një të ardhme të përbashkët, por politika shpesh tregon të kundërtën. Në vend që liderët të bashkojnë qytetarët dhe të ndërtojnë ura besimi, ata ndajnë, një fytyrë për fjalë të mëdha dhe premtime, tjetra për ego, interes personal dhe përçarje që lë qytetarin të pafuqishëm.
Çdo tension, çdo përplasje dhe çdo shpërfillje e nevojave reale krijon një hendek të thellë. Fjala “non grata” apo akuza të ashpra nuk janë thjesht deklarata; ato janë simbol i përçarjes dhe arrogancës që shpesh sundon mbi bashkëpunimin. Në këtë klimë, qytetari i zakonshëm mbetet viktimë, ai që pret stabilitet, zhvillim dhe mundësi për brezat e rinj, por përballet me retorikë që largon shpresën dhe veprime që nuk ndjekin fjalët.
Politika nuk duhet të jetë teatër i përfitimit personal, por instrument për shërbimin e njerëzve. Kur fytyrat e saj ndahen, njëra e bukur për publikun, tjetra e errët pas perdeve, uniteti kombëtar tronditet. Humbësi nuk është lideri, por çdo qytetar që ëndërron një të ardhme më të ndritur dhe sheh shpresën të shuhej nga egoja dhe arroganca.
Megjithatë, shpresa mbetet. Shpresa që një ditë fytyrat e politikës do të bashkohen, që veprimet të ndjekin fjalët, dhe që pushteti të shërbejë për qytetarët dhe jo për vetveten. Një komb, dy fytyra politike nuk është thjesht një titull, është një kujtesë e hidhur, por e domosdoshme: pa respekt, dialog dhe përgjegjësi, çdo ëndërr e përbashkët mund të mbetet vetëm një ëndërr.
Ky shkrim i imi është thirrje për reflektim, për qytetarët, për liderët dhe për të gjithë ata që besojnë se politika mund të jetë ura, jo muri që ndan.