A do të na shpijnë “Dardanët” në Botëror?

Opinione

A do të na shpijnë “Dardanët” në Botëror?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 27 mars 2026 Në ora: 16:48
Xhavit Kryeziu

Fitorja shumë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës në futboll ndaj Sllovakisë i ka gëzuar dhe ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët anekënd botës. Punë e madhe nëse na njeh apo nuk na njehë Sllovakia! Djemtë tanë më të mirë i bënë sllovakët të na "njohin" mu në mes të kryeqytetit të tyre, Bratisllavë!

Sa i përket Shqipërisë amë, ajo na zhgënjeu mbrëmë ndonëse fitoren e pati në grusht. Edhe humbja duhet të pranohet, mirëpo humbje të turpshme si ajo e mbrëmshmja nuk mund të gëlltitet dot. Te kombëtarja Shqiptare duhet urgjentisht të bëhen ndryshime radikale, dhe atë që nga kreu i saj, privatizuesi i FSHF-së, Armando Duka, e deri te trajneri i huaj, por amator, Sylvinjo. Jo se Shqipëria nuk ka lojtarë cilësorë, por për fat të keq, vendin e tyre nuk e lëshojnë të tillët që nuk dinë as topin ta stopojnë, e lëre më të bëjnë gol kur është më vështirë të huqet sesa të realizohet! Sa i përket trajnerit, brazilianit "të madh", Sylvinjo, ne shqiptarët duhet ta flakim një herë e përgjithmonë mentalitetin tonë “demode” se çdo i huaj vlen më shumë se çdonjëri i joni. Kam bindje të plotë se çdo trajner Shqiptar do të ishte më i mirë se i huaji Sylvinjo. Nëse jo, të paktën, ai do të paguhej më lirë, dhe kështu, sado pak do ta kursenim arkën e shtetit.

T'i kthehemi përfaqësueses sonë, Kosovës së sotme - Dardanisë së nesërme. Djemtë tanë luftarakë që ishin në gjendje ta linin edhe shpirtin në fushë, vetëm e vetëm ta bënin të lumtur popullin tonë, meritojnë përkrahje të pakufishme. Ata që na bënë krenarë mbrëmë, por edhe herëve të tjera më parë, duhet t'i mbështesim kur fitojmë, por edhe kur humbim. Jo secila ndeshje mund të fitohet, ngase asnjë përfaqësuese në botë nuk ka mundur të fitojë çdo ndeshje.

Jo që nuk duam ta mposhtim edhe turkun, përkundrazi. Mirëpo, edhe në rast humbjeje ndaj Turqisë pas katër ditësh, nuk guxojmë t'ua kthejmë shpinën "trimave" tanë!

A do të kishte gëzim dhe krenari më të madhe për popullin liridashës Shqiptar sikur Dardanët dhe flamurin Kombëtar do t’i shihnim në Botërorin e kësaj vere në SHBA, Meksikë e Kanada krahas flamujve dhe kombëtareve më të forta të rruzullit tokësor?

Urojmë që dëshira dhe synimi ynë të bëhet realitet të Martën e ardhshme, më 31 Mars 2026, në Prishtinë!

Përpara Dardania jonë antike!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat