Figurë e rezistencës dhe e organizimit kombëtar në Mirditë

Opinione

Figurë e rezistencës dhe e organizimit kombëtar në Mirditë

Nga: Gjon Marku Më: 30 mars 2026 Në ora: 07:10
Gjon Marku

Gjon Shkurt Lufi (1882–1922) përfaqëson një nga figurat më të spikatura të qëndresës patriotike në Mirditë gjatë fillimit të shekullit XX, një periudhë e karakterizuar nga trazira të mëdha politike, kryengritje të armatosura dhe përpjekje të pandërprera për çlirimin kombëtar.(1) Veprimtaria e tij lidhet ngushtë me organizimin e kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane, mbështetjen e lëvizjes kombëtare dhe rezistencën ndaj ndërhyrjeve të huaja në trojet shqiptare.

I lindur në Lufaj të Selitës, në një familje me tradita të spikatura atdhetare, Gjon Shkurt Lufi u rrit në një mjedis ku nderi, besa dhe mbrojtja e trojeve përbënin vlera themelore.(2) Fillimi i shekullit XX e gjeti Mirditën dhe gjithë trevat veriore shqiptare në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur autonominë dhe për të fituar pavarësinë.

Në këtë periudhë, krahinat shqiptare përjetuan represione të ashpra nga Perandoria Osmane, sidomos gjatë viteve 1909–1910, kur ekspeditat ndëshkimore shkatërruan zona të tëra në Kosovë dhe Malësinë e Madhe. Këto zhvillime forcuan bindjen se liria mund të arrihej vetëm përmes luftës së armatosur.(3)

Gjon Shkurt Lufi u shqua herët për aftësi organizative dhe trimëri. Ai ishte ndër mbështetësit aktivë të çetave kryengritëse që vepronin në hapësirat shqiptare, duke ofruar strehë dhe ndihmë për luftëtarët e ardhur nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare.(4)

Kulla e tij në Selitë u kthye në një qendër të rëndësishme logjistike dhe strehuese për kryengritësit, ndër ta edhe figura të njohura të lëvizjes kombëtare. Ky rol e vendos atë në një pozicion kyç në rrjetin e rezistencës së armatosur.

Në vitet 1911–1912, në kushtet e përshkallëzimit të kryengritjeve, ai u angazhua në organizimin e kuvendeve ndërkrahinore, ku lidhej besa për luftë të përbashkët. Në Kuvendin e mbajtur më 15 maj 1912 në Qafë të Kishës (Selitë), ai ishte një nga organizatorët kryesorë, duke kontribuar në bashkërendimin e veprimeve ndërmjet bajrakëve të ndryshëm.(5)

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), Shqipëria u përball me destabilitet të brendshëm dhe ndërhyrje të jashtme. vendi u përfshi në një periudhë të trazuar politike dhe ushtarake.Ndërhyrjet e fuqive të mëdha, konfliktet e brendshme dhe lëvizjet rebele e bënë situatën tejet të paqëndrueshme. Në këtë kontekst, Gjon Shkurt Lufi Shkurt Lufi luajtën rol në ruajtjen e rendit dhe në mbështetje të strukturave shtetërore në formim(6).Mbështeti përpjekjet për ruajtjen e rendit dhe të shtetit shqiptar, duke iu përgjigjur thirrjeve për mobilizim në mbrojtje të qeverisë kombëtare.

Ngjarjet e vitit 1915 përbëjnë një moment kulmor të veprimtarisë së tij. Mirdita u gjend nën presionin e ushtrive serbe dhe të forcave të Esat Pashës(7).

Një nga episodet më domethënëse të veprimtarisë së tij lidhet me ngjarjet e vitit 1915, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në këtë kohë, Mirdita u gjend nën presion të shumëfishtë: nga ushtritë serbe në veri e lindje dhe nga forcat e Esat Pashës në brendësi.

Më 12 tetor 1915, Gjon Shkurt Lufi organizoi një aksion të mirëkoordinuar kundër forcave esadiste, duke përdorur një strategji që çoi në asgjësimin e tyre dhe në ndalimin e operacionit në këtë zone(8) pasi ndërmori një akt të guximshëm dhe vendimtar. Ai kishte organizuar një grup luftëtarësh të përzgjedhur dhe, në një strategji të mirëmenduar, ftoi drejtuesit esadistë në kullën e tij.

Sipas dëshmive të kohës, në momentin vendimtar u dha urdhri për rrethimin e kullës dhe asgjësimin e forcave kundërshtare. Shpërthimi i kullës dhe përballja e armatosur që pasoi shënuan një kthesë të rëndësishme, duke i dhënë fund operacionit esadist në Mirditë. Ky akt u interpretua si një sakrificë e lartë për mbrojtjen e krahinës dhe të nderit kombëtar.

Burime të ndryshme historike dhe publicistike e kanë vlerësuar këtë ngjarje si një shembull të rrallë të vendosmërisë dhe vetëflijimit në historinë shqiptare.

Djegia e kullës së tij konsiderohet një akt sakrifice për mbrojtjen e krahinës(9).

Në vitin 1920, Gjon Shkurt Lufi mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, një nga ngjarjet më të rëndësishme për konsolidimin e shtetit shqiptar. (10) Pas kthimit, ai u angazhua aktivisht në zbatimin e vendimeve të këtij kongresi, duke kontribuar në forcimin e institucioneve dhe të rendit shtetëror në zonën e tij.

Ai mbante gjithashtu lidhje të ngushta me figura të njohura të kohës, duke dëshmuar rolin e tij si një ndërmjetës dhe bashkërendues i rëndësishëm në jetën politike dhe ushtarake të vendit.

Figura e Gjon Shkurt Lufit mbetet një simbol i qëndresës, organizimit dhe sakrificës për çështjen kombëtare. Ai përfaqëson një model të prijësit lokal që ndërthur rolin e organizatorit, luftëtarit dhe përfaqësuesit të komunitetit.  Veprimtaria e tij është dëshmi e angazhimit për çështjen kombëtare dhe për ruajtjen e identitetit shqiptar(11).

Veprimtaria e tij përfshin disa dimensione thelbësore:

·        Organizimin e kryengritjeve dhe kuvendeve ndërkrahinore

·        Mbështetjen logjistike të luftëtarëve të lirisë

·        Rezistencën e armatosur ndaj forcave pushtuese dhe kundërshtare

·        Kontributin në jetën politike pas shpalljes së pavarësisë

·        Në traditën historike të Mirditës, ai përfaqëson tipin e prijësit lokal që ndërthurte urtësinë e kuvendit me vendosmërinë e luftëtarit.

Gjon Shkurt Lufi zë një vend të rëndësishëm në historinë e rezistencës shqiptare të fillimit të shekullit XX. Jeta dhe veprimtaria e tij dëshmojnë për një angazhim të palëkundur në mbrojtje të lirisë, të dinjitetit dhe të identitetit kombëtar. Ai mbetet një figurë që meriton vëmendje të veçantë në studimet historike dhe në kujtesën kolektive shqiptare. Kontributi i tij në organizimin e rezistencës dhe në mbështetjen e shtetit shqiptar e vendos atë ndër personalitetet që meritojnë vëmendje të veçantë në historiografinë shqiptare(12).

Literatura

Historia e Shqipërisë, vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2002.

Marku, Gjon. Mirdita - vend i kuvendeve vetëqeverisëse, Tiranë, 2026.

Frashëri, Kristo. Historia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Tiranë.

Prenndi, Simon. Kujtime dhe dëshmi historike.

Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH), fondet për kryengritjet e viteve 1911–1912.

Puto, Arben. Pavarësia Shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë.

Fischer, Bernd J. Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore, Tiranë.

Dëshmi gojore dhe burime lokale të Mirditës.

Fjalori Enciklopedik i Mirditës, botim lokal.

Historia e Kongresit të Lushnjës, botime dokumentare.

Revista Hylli i Dritës, nr. 1934.

Literatura historike dhe studime mbi Mirditën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat