Të gjithë ata politikanë, deputetë, OVL-UÇK, kuazi gazetarë, analista dhe media mercenare, duke përfshirë Edi Ramën me strukturën e tij anti-Kosovë, dhe jo vetëm, që ishin përfshirë në propagandën e fuqishme dhe arrogante në përkrahjen e themelimit të Gjykatës Speciale, ia arritën qëllimit, si rezultat prodhuan Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Pothuajse e vetmja parti që me këmëngulje insistonte kundër kësaj gjykate, ishte LVV-ja madje duke organizuar protesta.
Mirëpo, pas formimit të Gjykatës Speciale më 2015, filloi një fushatë kundër saj, kështu përmes mediave të paguara, u aktivizua një makineri e tmershme propaganduese për t’a zhbërë. Me qëllim që propaganda të ishte sa më « kredibile », H. Thaçi kishte angazhuar edhe personalitete të shquara të huaja, sikurse James Rubin, port-parol i DASH-it, të cilin e kishte angazhuar si këshilltar të tij, dhe për dy vite e kishte paguar nga 52 mijë euro në muaj, kryesisht për të lobuar për ndarjen e Kosovës dhe kundër Gjykatës Speciale, dhe sikur mos të ishte proçesi gjyqësor i Hagës, ku u zbulua kjo informatë, opinioni kurrë nuk do t’a kishte kuptuar këtë lajm. Edhe një profesor të mirënjohur amerikan, Thaçi e kishte angazhuar si këshilltar, dhe në momentin kur atij, Thaçi i kishe kërkuar të merrej me projekte për ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale, ai ishte larguar nga Kosova, duke i thënë Thaçit se, kjo është në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Si rrjedhojë e kësaj propagande, shumë shpejt, në opinion situata filloi të përmbyset, respektivisht ata që ishin për formimin e kësaj gjykate, u bënë kundërshtar të përbetuar, kurse ata – LVV-ja, që asokohe kundërshtonte, filluan t’a etiketojnë si tradhtare. Zhurmën më të madhe dhe më të pistë po e bëjnë PDK-ja, AAk-ja, Nisma, OVL - UÇK-ët me zhurmagjinjtë dhe matrapazët, të cilët nën petkun e gazetarit, punojnë për shërbime të huaja, dhe që çdo mbrëmje tregojnë pallavra nëpër mediat që paguhen me çanta nga Serbia.
Madje, ditë më parë, një grup gazetarësh nga Kosova dhe Shqipëria, iu kishin drejtuar institucioneve të BE-së dhe SHBA-ve duke i ngritur shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën se si po zhvillohet proçesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve. Dhe vetëm nëse i shikojmë emrat e këtyre gazetarëve, çdo gjë bëhet e qartë, pikërisht janë po ata zhurmues dhe propagandues, që kritikojnë dhe shajnë Gjykatën Speciale, e që më 2015 propaganduan për formimin e saj, madje disa nga këta thonin se, Gjykata Speciale nuk do të kishte kuptim, nëse në Hagë nuk shkojnë Thaçi, Veseli dhe të tjerët.
Andaj, shtrohet pyetja se, çka ndryshoi dhe ndikoi për një kthesë të tillë !? Konsideroj se, në momentin kur Hashim Thaçi kuptoi se edhe ai do të jet pjesë e akuzës, menjëherë filloi propaganda kundër Gjykatës Speciale. Dhe për t’a senzibilizuar dhe « kredibilizuar » luftën kundër Gjykatë Speciale, propaganduesit shpikën narrativën e rrejshme, kinse, në Hagë po gjykohet UÇK-ja me çlirimtarët, që nuk është aspak e vërtetë. Për t’a arritur këtë përmbysje të opinionit, ndër vite nëpër mediat mercenare iu dha hapësirë e madhe të ashtuquajturve gazetar dhe analistë që ftonin politikanët e PDK-së, AAK-së, Nismës, OVL-UÇK, dhe jo vetëm, të cilët e mbronin propagandën dhe narrativën e njëjtë.
Në këtë kontekst, javë më parë, me propozimin e PDK-ës, Kuvendi i Kosovës në mbledhje plenare, pa votat e LDK-së, miratoi Rezolutën që i doli në mbrojtje ish krerëve të UÇK-së, me theks të veçantë se në Hagë po gjykohet UÇK-ja, që është një rrenë e kulluar dhe manipulim me opinionin. Sëkëndejmi, shtrohet pyetja se, a ka vepruar mirë Kuvendi që miratoi Rezolutën në fjalë ? Konsideroj se, jo, sepse kjo e politizon proçesin gjyqësor, prejudikon natyrën e Aktgjykimit, interferon në administriminn e drejtësisë, mbase mirëfilli dihet se pikërisht Kuvendi e ka formuar Gjykatën Speciale. Gjykoj se me këtë Rezolutë, organi më i lartë ligjvënës po bëhet pjesë e propagandës manipulative të PDK-së, AAK-së, Nismës, OVL-UÇK-së, dhe jo vetëm, të cilët pretendojnë se në Hagë po gjykohet UÇK-ja, që është një mashtrim dhe falsifikim i së vërtetës dhe historisë, sepse në Hagë po gjykohen individ të UÇK-së që pretendohet se kanë keqpërdorë uniformat dhe autoritetin e UÇK-së për qëllime dhe interesa të ngushta personale dhe klanore. Dhe mos të harrojmë se, për periudhën për të cilën të akuzuarit akuzohen, në Kosovë janë vra shumë veprimtarë të LDK-së, disa komandant të UÇK-së, respektivisht të FARK-ut, që nuk iu kanë bindur urdhërave të Shtabit të Rognerit, burgosje arbitrare, qendra të paligjshme të ndalimit ku janë maltretuar njerëz të pafajshëm, e tj. prandaj nuk duhet t’i bëhet presion Gjykatës Speciale, por ajo duhet të lihet qetë për t’a bërë punën e saj në mënyrën më profesionale dhe në bazë të ligjit.
Është e pafalshme, madje inkriminuese që pikërisht ata që më së shumti janë thirrë në UÇK-në, e kanë keqpërdorë dhe përdhosur më së shumti për interesa personale, duke e vjedhur shtetin sikur të ishte plaçkë lufte dhe duke u pasuruar në mënyrë mafioze. UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, ajo është dhe ngelë institucioni dhe aseti më i ndritshëm dhe më i çmuar, më fisnik, është krenaria e Kosovës. Është e turpshme dhe ofendim i rëndë ndaj dëshmorëve të kombit dhe familiarëve të tyre, invalidëve të luftës, të zhdukurve, fëmijëve të vrarë, të përdhunuarve, dhe jo vetëm, që të insistohet në propagandën e narrativës së gabuar ku kriminelët e mundshëm krahasohen dhe barazohen me të vërtetën.
Punën më të ndytë dhe shërbimin më të keq UÇK-së, po ia bëjnë PDK-ja, AAK-ja, Nisma, OVL-UÇK-ja, media të ndryshme, dhe jo vetëm, pikërisht ata, që në emër të saj, më së shumti e keqpërdorën dhe e përdhosën duke u pasuaruar në mënyrë mafioze.
Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja se, këta që me këmbëngulje po e mbrojnë narrativën e rrezikshme dhe famkeqe se, në Hagë po gjykohet UÇK-ja, çka nëse të akuzuarit e Hagës shpallen fajtor !? Si do t’a shfrytëzojë këtë argument Serbia në propagandën e saj kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare se, në Hagë është dënuar UÇK-ja si organizatë terroriste !? A do të shkruhet, apo rishkruhet historia e Luftës Çlirimtare të Kosovës !? Përgjigjen le t’a japin ata që e kanë ndërtuar këtë narrativë të rrezikshme dhe të dëmshme ! Kurse pasojat do t’i vuan Kosova.
Tek e fundit, nëse të akuzuarit e Hagës janë të pafajshëm, ashtu siç po pretendojnë, atëherë pse e gjithë kjo propagandë dhe presion kundër Gjykatës Speciale, mbase mbrojtja më e mirë, është pafajsia e tyre !
Krejt në fund, të theksoj se personalisht, që në atë kohë, përmes disa shkrimeve, kam kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale, duke spieguar dhe arsyetuar me argumente rrezikun dhe pasojat.