Linçimet mafioze në funksion të krimit

Opinione

Linçimet mafioze në funksion të krimit

Nga: Skender Musliu Më: 20 prill 2026 Në ora: 16:32
Skender Musliu

Kohëve të fundit, në mungesë të argumenteve, në Kuvendin e Kosovës, përveç bllokadave, sabotimeve dhe kritikave, është përhapur një dukuri negative dhe e papranueshme, respektivisht, linçimi publik po bëhet forma më e fuqishme dhe më e keqe që po e infekton dhe irriton opinionin. Shembulli më i freskët dhe i fundit është rasti i Time Kadriaj, fatkeqësisht, deputete për disa mandate në Kuvendin e Kosovës, e cila në mbledhjen e fundit të Kuvendit, rëndë dhe në mënyrë të paskrupullt denigroi dhe përdhosi ministren e drejtësisë, Donika Gërvallën, duke i thënë se : » Mos t’a faltë Zoti evladin e keq, se mundet me t’a fëlliq edhe familjen ». Madje, ajo me buzëqeshje u largua nga foltorja, çfar ironie, çfar turpi !?

Këto linçime ndaj Zonjës Gërvalla nuk janë të rralla, sepse ato kanë ndodhur dhe ndodhin nëpër disa media mercenare duke kritikuar për punën e saj në Qeverinë Kurti dhe duke e etiketuar kinse ajo është kundër UÇK-ës. Ofendimet e Time Kadriaj kundër Zonjës Gërvalla janë tendencioze, qëllimkeqe dhe të papranueshme, që do të duhej, përveç se të sanksionoheshin sipas Rregullores së punës së Kuvendit, do të duhej të merrej edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Mos të harrojmë, se linçime të ngjajshme që vijnë nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma, dhe jo vetëm, ka patur edhe kryeministri Kurti, Zonja Albulena Haxhiu, Zonja Kusari dhe shumë të tjerë gjatë tërë mandatit të kaluar, dhe për qëllim kanë patur pengimin e punës së Qeverisë Kurti dhe Kuvendit të Kosovës.

Këta linçues dhe soji i tyre, nuk e kanë vendin në Kuvend, as në publik, por nëpër sokaçe të errëta ku qëndrojnë mbeturinat e marigjinalizuara të shoqërisë, sepse gjuhën, kulturën dhe edukatën e kanë të tillë. Kjo kategori dhe soj i politikanëve, asnjëherë në kuvend nuk i kritikuan deputetët dhe politikanët, që janë marrë dhe ende merren me fajde, haraç, korrupsion dhe krim të organizuar, me vrasje, shitje të territorit, për kumbarinë me Radojçiqin, Veselinoviqin, Simiqin, Rakiqin, dhe jo vetëm, por merren me vajzën e Heroit të Kombit, Jusuf Gërvallës, i cili u vra nga UDB-ja serbe në Gjermani, dhe po me këtë UDB-ë ende bashkëpunojnë deputet dhe politikan të opozitës, që po reflektohet edhe në sabotimin dhe bllokimin e funksionalizimit të institucioneve më vitale të shtetit duke përfshirë edhe presidentin.

Dëshiroj t’ia përkujtoj opinionit se, derisa politikanët e inkriminuar që e dështuan shtetin e Kosovës, kanë bredhur nëpër rrugët e Europës, si autobusa pa numër- pa destinacion, Zonja Gërvalla që pamëshirshëm po linçohet, në moshëm më të re ishte në krye të aktiviteteve, detyrave dhe obligimeve politike dhe diplomatike ndaj atdheut. Me punën e saj të palodhshme, viteve të 90-ta kur Millosheviqi e vuri Kosovën nën shtetrrethim, Donika Gërvalla krijoi dhe vendosi lidhjet e para me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, organizoi demonstrata masive gjithandej Gjemanisë, ishte personi që kontribuoi, bashkë me aktivistët tjerë të LDK, për homogjenizimin dhe bashkimin e mërgatës rreth kauzës për Kosovën, që ndikoi në senzibilizimin dhe sigurimin e një mbështetje të madhe të opinionit ndërkombëtar.

Gjatë viteve 98/99 kur Kosova përjetonte momentet më dreamatike dhe më të vështira të historisë së re, pas masakrës së familjes Jashari në Prekaz, kur makineria ushtarake, paramilitare dhe policore serbe vazhdonin me masakrat kundër popullatës së pabrojtur civile, Zonja Gërvalla, në cilësinë e zëdhënëses së LDK-ës, nëpër media të ndryshme dhe konferenca për shtyp, u bë zëri më i fuqishëm në mediat botërore duke e senzibilizuar opinionin ndërkombëtar për masakrat serbe dhe dëbimet masive të shqiptarëve. Ende i kemi të freskëta debatet e Zonjës Gërvalla nëpër televizionet gjermane me diplomat të huaj, duke ua spjeguar gjenocidin që ndodhte në Kosovë ndaj shqiptarëve.

Dhe derisa Zonja Gërvalla merrej me organizimin e peticioneve kundër Serbisë, dërguar Kombeve të Bashkuara, NATOS dhe diplomatëve botëror, dhe merrej me veprimtarënë që ceka më lartë, fatkeqësisht, ata që luanin rolin e Shtabit të Përgjithshëm, që njihet si Shtabi i Rognerit me komandatët dhe strukturat e tyre, merreshin me përçarjen e UÇK-ës, në FARK-ista dhe UÇK-ë, bënin kontrabandë me armë, lëshonin komunikata përçarëse dhe vrastare, në bashkëpunim me SHISH-in e Shqipërisë në krye me Fatos Klosin bënin listat për likuidimin e aktivistëve të LDK-ës, ushtarakëve dhe komandantëve të FARK-ut në krye me Ahmet Krasniqin.

Prandaj, nuk është e ndershme që një politikane dhe kontribuese e ditëve të para, që ka dhënë dhe po jep kontribut të jashtzakonshëm për ndërtimin e institucioneve demokratike, të linçohet në mënyrë primitive, të egër dhe kaq ulët nga ata që pretendojnë se e paskan çliruar Kosovën. Fatmirësisht, Zonja Gërvalla ka vepruar në Gjermani, sepse sikur të kishte vepruar në Kosovë, Shtabi i Rognerit bashkë me SHIK-un dhe SHISH-in, da t’a kishin likuiduar, siç vepruan me të tjerët.

E gjithë kjo nervoze e opozitës bëhet nga frika e reformave në drejtësi, në veçanti nga Ligji për Vettingun dhe Byron për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, me të cilat PDK-ja, AAK-ja, Nisma, një pjesë e LDK-ës, do të jenë pjesë e hetimeve. Dhe për t’a mbrojtur pasurinë e pistë, të inkriminuarit, bëjnë ç’mos, duke përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat, përmes sabotimit, bllokimit, Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë dhe gjyqësorit, të kapur nga vet ata, t’a pengojnë Qeverinë Kurti t’a vendosin dhe zbatojë shtetin e së drejtës ligjshmërinë.

Ata që në mungesë të argumenteve, me gjuhën e urrejtjes i linçojnë politikanët e ndershëm, të pakorruptuar dhe të pashantazhuar, janë llumi i politikanëve të inkriminuar, që gati për tri dekada shkatërruan dhe plaçkitën shtetin.

Turpi qoftë mbi t’a, sepse ata luftojnë për pushtet, e jo për shtet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat