Rexhep Qosja, akademik, shkrimtar, polemist, kritik letrar, politikan dhe i vetëshpallur si “babai i kombit”, ka ndërruar jetë. Ai nuk është më midis nesh. Jetoi një kohë historike dhe u përpoq me sa mundi të hyjë në historinë e kombit shqiptar. Shkroi shumë për historinë e letërsisë shqiptare. Shkroi romanin e famshëm “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, roman që për kohën mori famë, por nuk është se i qëndroi të gjitha kohëve të mëvonshme. Shkroi “Panteonin e Rralluar”, kushtuar shkrimtarit Naim Frashëri, si dhe disa vepra të tjera.
Në politikë u përpoq të ishte “mbi të tjerët”, madje edhe mbi partitë. Pavarësisht kësaj në mars të vitit 1998 krijoi edhe ai një parti politike, të cilën ia kundërvuri Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës. Në vitin 2000, në zgjedhjet e para lokale të pas luftës, partia e Qosjes mori diku midis 500-600 votave dhe fajësoi popullin e Kosovës për këtë rezultat kaq injorues. Në fakt Qosja nuk kishte lidhje me politikën, nuk dinte se çfarë është politika. Si në çdo gjë edhe me politikë u mor për inat të dikujt tjetër. Jo se kishte ndonjë vision ose qasje të re e origjinale për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.
Rexhep Qosja ishte polemist i hatashëm. Polemizoi me Ismail Kadarenë për çeshtjet e besimit fetar dhe mbahet mend për këtë. Në diskursin e tij kombëtar polemika me Ismail Kadarenë për atë nëse kristianizmi apo islamizmi ishin feja e duhur për shqiptarët, e bëri Rexhep Qosen të njohur edhe më shumë. Veprat e tij janë një pasuri e kulturës shqiptare. Polemikat e tij janë një risi, sepse ato shprehin stilin e Faik Konicës, por jo me elokuencën koniciane. Trashëgimia e Rexhep Qoses do të qëndrojë gjatë në memorien shqiptare, jo vetëm se ajo është e dokumentuar në biblioteka te shumta në Shqipëri, në Kosovë e në hapësirën shqiptare kudo në Ballkan.
Megjithatë Rexhep Qosja ka gjithashtu dreitë-hijet e veta. Ndër këto dritë-hije bën pjesë edhe porosia e tij e fundit për të mos lejuar një varrim me kujdes shtetëror. Pse dhe çfarë donte të thoshte me këtë, mbetet enigmë. Shkroi se nuk “I kam borxh as Kosovës e as Republikës së Shqipërisë”! Në fakt nuk i ka borxh asaj pjese të politikës në Kosovë e në Shqipëri, të cilës i shërbeu. E përdorën Rexhep Qosjen shumë në politikë. Sidomos e majta e Tiranës. Fillimisht i ngarkuan “misionin” e pajtimit kombëtar, iniciativë kjo e ideuar nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia. Dhe Qosja e mori me shumë entusiazëm një mision të tillë. Megjithatë dështoi, sepse qëllimet e kësaj lëvizjeje nuk ishin të pastra. Nuk e dimë, nëse ai e kuptoi ndonjëherë këtë keqpërdorim që i bëri presidenti i Shqipërisë në vitin 1991, apo jo! Megjithatë Qosja nuk nguroi që të përdoret sërishmi në kohët e mëvonshme. Ndërsa në vitet 1998-1999 ai u përpoq ta përdorë ish-presidentin e Shqipërisë, Rexhep Mediani, si dhe pushtetarë të tjerë në Tiranë për ta denigruar Ibrahim Rugovën. Dhe deri diku ia arriti, sepse Tirana zyrtare e Meidanit e thirri Rugovën si “tradhtar” në kohën kur atë e mori peng Milosheviçi.
Në Tiranë Rexhep Qosja ishte shumë i respektuar. E prisnin, e takonin dhe rrinin me të shumë personalitete politike e të letrave shqipe. Azem Hajdari ishte gjithmonë pranë tij. Po ashtu Mitro Çela, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj e të tjerë shkrimtarë shqiptarë. Gëzoi respekt të veçantë në qarqe të caktuara të letrave shqipe. Megjithatë sërishmi qëndroi i izoluar nga pjesa tjetër e shkrimtarëve dhe astistëve të Shqipërisë. Nuk u bë një me kolegët e tij, pavarësisht qasjes, vendit në pozitën sociale dhe bindjeve politike. Nuk pranoi të bënte kompromis deri në pikën që ta dënonte diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Përkundrazi, e mbrojti figurën e diktatorit shqiptar, edhe pse ai i shkaktoi aq shumë tragjedi popullit të tij.
Në Kosovë marrëdhëniet e Rexhep Qosjes me elitën akademike, intelektuale dhe krijuese ishin të copëzuara. Sepse ai deri në ditën e fundit të jetës së tij besoi se ishte i vetmi, si askush tjetër, unik dhe i paarrirë në vendin e tij. Injoroi kolegët e tij, deri në masën që si drejtor i Institutit Albanologjik t’u ndalonte rrogën pa asnjë të drejtë për muaj me radhë (Ibrahim Rugovës). Deri në masën e injorimit të institucioneve të shkencës, si Akademia e Shkencave, edhe pse u pagua deri në fund nga ky institucion. Deliri i madhështisë e zvogloi Rexhep Qosen. Ndaj donte të hiqej si “i madh” me ide të dëmshme edhe për Kosovën, siç që artikulimi i tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës me Serbinë dhe ndarjen e saj në favor të Beogradit. E majta shqiptare, sidomos ajo e Shqipërisë, e përdori Rexhep Qosjen pa frena. Deri në kufijtë e përçarjes së faktorit politik në Kosovë.
Por pavarësisht të gjitha këtyre, Rexhep Qosja ka vendin e tij në historinë e kulturës dhe letrave shqipe. Mbetet një nga studiuesit dhe krijuesit e mëdhenj të shqiptaërisë, sidomos të Kosovës. Mbi të gjitha do të ketë admirues për polemikën e tij, pavarësisht kundrthënëse, kundërshtuese dhe të kontestuar. Ishte admirues i lavdisë dhe prestigjit të tij. Ishte vetanak në kuptimin e refuzimit të ngjashmërisë me të tjerët. Ishte patriot i veshur me mite dhe leksik dogmash. Por ishte dhe kundërshtues i vetëvetes, jo vetëm i të tjerëve. I pata marrë një intervistë në vitin 1993 në Tiranë për një gazetë dhe kjo ishte hera e parë dhe e fundit kur u takova me të.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!