Për shkak të reagimeve tuaja lidhur me votimin për Presidente, shumica dashamirëse, ndiej nevojën të sqaroj sa vijon:
Për pesë vjet me radhë kam shkruar dhe vepruar në drejtim të mbështetjes së veprimit të përbashkët të ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti, duke i paralajmëruar për rrezikun e përçarjes. Fatkeqësisht, forcat armiqësore ia arritën qëllimit. Njësoj si ju, kam qenë i dëshpëruar për javë të tëra. Edhe më tej mendoj se ata përbëjnë kombinimin më të mirë për udhëheqjen e shtetit.
Megjithatë, ne duhet të jemi realistë dhe të veprojmë në interes të shtetit dhe kombit në rrethanat e krijuara, pavarësisht individëve dhe pavarësisht se kush ka më shumë apo më pak faj. Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Në këtë moment nuk po vendoset nëse jemi për Vjosën apo për Albinin, por nëse jemi me shtetin e Kosovës apo kundër tij. Unë e kam zgjedhur shtetin.
Kryeministri Kurti, me koalicionin e tij, ka fituar më shumë se 51% të votave të popullit dhe mendoj se është e drejta e tij të ketë fjalën kryesore për zgjedhjen e Presidentes. Opozita duhet ta mundësojë zgjedhjen dhe të përgatitet për zgjedhje të radhës pas katër viteve. Vjosa do të ishte zgjedhja ime e parë, por e drejta dhe përgjegjësia i takojnë Kryeministrit Kurti. Nominimi i znj. Feride Rushiti nga ai më duket i arsyeshëm. Nuk shoh asnjë rrezik nga i ashtuquajturi autoritarizëm.
Feridja, Vjosa apo dikush tjetër duhet të zgjidhet sot në interes të shtetit, jo të shkojmë në zgjedhje të pafundme, të panevojshme dhe shumë të rrezikshme. Ju ftoj të reflektoni. Keni të drejtë të mos pajtoheni me mua, por jo të më ofendoni në asnjë mënyrë.
Me shumë respekt,
Agim Aliçkaj
Gjithmonë në shërbim të shtetit dhe kombit.