Një vajtim politik pa lot

Opinione

Një vajtim politik pa lot

Agim Vuniqi Nga Agim Vuniqi Më 12 maj 2026 Në ora: 07:33
Vjosa Osmani

Në politikën moderne ekziston një moment kur lideri pushon së foluri për shtetin dhe fillon të flasë për veten. Pikërisht aty fillon rrëshqitja nga institucioni drejt egos. Fjalimi i fundit i Vjosa Osmanit e shfaqi këtë tranzicion në mënyrën më dramatike të mundshme: jo si reflektim i një presidenteje që po e mbyll një mandat me përgjegjësi shtetërore, por si monolog i një figure politike që nuk e pranon dot humbjen e kontrollit mbi skenën.

Në vend të vizionit për Kosovën, publiku dëgjoi tingullin e një mllefi personal. Në vend të projekteve zhvillimore, nje vajtim politik pa lot. Në vend të llogaridhënies, një moralizim ndaj të tjerëve. Dhe pikërisht kjo e bëri fjalimin aq tronditës: mungesa absolute e vetëreflektimit.

Vjosa Osmani u ngrit në pushtet si simbol i “politikës së re”, si figurë që premtonte etikë publike, transparencë dhe shkëputje nga oligarkitë e vjetra politike. Por historia politike ka një ligj të pamëshirshëm: sa më lart të ngjitesh mbi moralin publik, aq më i fortë bëhet detyrimi për të dhënë shpjegime. Sepse morali në politikë nuk është dekor retorik; është kontratë me qytetarin.

Dhe pikërisht këtu fillon pyetja që sot endet në opinionin publik si një hije që presidenca nuk po arrin ta largojë: si u rrit kaq shpejt pasuria e familjes presidenciale gjatë mandatit të saj?

Deklarimet publike të pasurisë tregojnë për prona me vlera të mëdha, përfshirë banime luksoze dhe transaksione që kanë ngjallur debat të gjerë publik. Shpjegimet zyrtare kanë ardhur fragmentare: shitje prone në Australi, kursime familjare, hua, shitje të pasurisë së prindërve. Por problemi nuk është vetëm juridik; është moral dhe politik. Në një republikë normale, qytetarët nuk kërkojnë vetëm formularë të plotësuar, por logjikë bindëse. Ata kërkojnë koherencë mes të ardhurave të deklaruara dhe stilit të jetës politike.

Sepse pushteti nuk gjykohet vetëm nga ajo që fsheh, por edhe nga ajo që nuk arrin ta shpjegojë qartë.

Kjo është arsyeja pse pyetjet nuk po ndalen. Kush i financoi të gjitha udhëtimet? Cili ishte statusi real i bashkëshortit të presidentes në ato delegacione? A kishte rol zyrtar apo ceremonial? A kishte shpenzime shtetërore? A janë paguar mëditje të dyfishta? Kush e mbikëqyri transparencën financiare të presidencës gjatë këtyre viteve?

Këto nuk janë pyetje “armiqsh politikë”. Janë pyetje që lindin natyrshëm në çdo demokraci ku pushteti përpiqet të ndërtojë aureolë morale rreth vetes.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për rolin e bashkëshortit të presidentes. Kushtetuta e Kosovës nuk njeh ndonjë funksion shtetëror të quajtur “Zotëria i Parë”. Nuk ekziston si kategori kushtetuese, nuk ka mandat publik të përcaktuar dhe nuk ka përgjegjësi institucionale të sanksionuar. Megjithatë, opinioni publik e ka parë atë në delegacione shtetërore, forume ndërkombëtare dhe aktivitete protokollare që tejkalojnë simbolikën familjare.

Dhe këtu lind paradoksi i republikës sonë: funksione që nuk ekzistojnë juridikisht, por prodhojnë privilegje reale politike.

Një presidente që ndërtoi identitetin e saj mbi akuzën ndaj elitave të vjetra, sot përballet me dyshimin klasik që ndjek çdo pushtet të gjatë: a u bë edhe ajo pjesë e sistemit që dikur premtonte ta luftonte?

Kjo është drama e vërtetë politike e Vjosa Osmanit. Jo humbja e mundshme e një mandati tjetër presidencial, por transformimi gradual nga simbol i revoltës qytetare në figurë e establishmentit që nuk pranon pyetje.

Sepse egoja politike ka një simptomë të njohur: lideri fillon ta përjetojë kontrollin demokratik si sulm personal. Çdo kritikë shihet si tradhti. Çdo pyetje si komplot. Çdo kërkesë për transparencë si armiqësi ndaj shtetit. Dhe pikërisht në atë moment institucioni fillon të tkurret, ndërsa egoja zgjerohet.

Kosova ka parë shumë liderë të tillë. Disa u rrëzuan nga korrupsioni, disa nga arroganca, e disa nga bindja se pushteti u takonte natyrshëm. Historia politike e Ballkanit është plot me figura që harruan se mandati është huazim i përkohshëm nga qytetari, jo pronë personale.

Prandaj problemi nuk është vetëm Vjosa Osmani. Problemi është kultura politike që prodhon liderë që flasin në emër të moralit, por heshtin për privilegjin. Që kërkojnë besim absolut, por refuzojnë kontrollin publik. Që kërkojnë duartrokitje patriotike, por nervozohen nga pyetjet elementare të republikës.

Dhe pyetja që mbetet pezull mbi presidencën është më e thjeshtë se çdo slogan politik:

Nëse gjithçka është bërë në mënyrë të rregullt, pse mungon transparenca që do ta mbyllte këtë debat njëherë e përgjithmonë?

Sepse në demokraci, heshtja nuk është pafajësi. Heshtja është vakuum. Dhe vakuumi gjithmonë mbushet me dyshim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat