Qytetari, gjykatësi i politikës!

Opinione

Qytetari, gjykatësi i politikës!

Nga: Nijazi Halili Më: 9 qershor 2026 Në ora: 09:15
Nijazi Halili

Shuplaka demokratike e qytetarëve ndaj lakmisë për pushtet.

Qytetari është matësi më i mirë i gjendjes politike në një vend. Ai e përjeton çdo ditë ndikimin e vendimeve të institucioneve në jetën e tij dhe, për këtë arsye, mbetet gjykatësi më i drejtë i politikës. Në demokraci, fjala e fundit i takon qytetarit, ndërsa vota e tij është instrumenti më i fuqishëm për të vlerësuar, për të shpërblyer ose për të ndëshkuar ata që ushtrojnë pushtetin.

Kjo u dëshmua qartë edhe në zgjedhjet e fundit. Përmes votës së lirë, qytetarët dhanë një mesazh të fortë ndaj atyre që interesin për pushtet e vendosën mbi interesin publik dhe mbi interesin e shtetit. Rezultati zgjedhor tregoi se qytetarët nuk mbeten indiferentë ndaj sjelljeve politike të karakterizuara nga kalkulimet për poste, privilegje dhe përfitime personale.

Lakmia për pushtet është ndër dukuritë më të dëmshme të jetës politike. Ajo e zhvendos vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve dhe e shndërron politikën në garë për ndikim dhe dominim. Kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, zbehet përgjegjësia publike, dobësohet besimi i qytetarëve dhe dëmtohen interesat e shtetit.

Megjithatë, demokracia ka mekanizmat e saj korrigjues. Vota mbetet mjeti më i fuqishëm në duart e qytetarit për të rikthyer ekuilibrin dhe për t’u kujtuar politikanëve se pushteti buron nga populli dhe duhet të ushtrohet në shërbim të tij. Zgjedhjet e fundit dëshmuan pikërisht këtë,  qytetarët nuk janë vetëm spektatorë të zhvillimeve politike, por faktorë vendimtarë në përcaktimin e drejtimit të vendit.

Historia politike ka treguar se asnjë pushtet nuk është i përhershëm. Politikanët vijnë e shkojnë, ndërsa qytetari mbetet themeli i demokracisë dhe sovrani i saj i vërtetë. Prandaj, çdo pushtet që largohet nga interesat e qytetarëve duhet të jetë i vetëdijshëm se herët a vonë do të përballet me verdiktin e tyre.

Shuplaka demokratike,  që qytetarët dhanë në zgjedhjet e fundit nuk ishte thjesht një reagim ndaj individëve apo partive të caktuara, por një mesazh i qartë se demokracia funksionon vetëm atëherë kur dëgjohet zëri i qytetarit dhe kur pushteti e kupton se përgjegjësia ndaj publikut është mbi çdo interes tjetër.

Në fund, qytetari mbetet gjykatësi më i besueshëm i politikës. Kur ai flet me votë, politika duhet të dëgjojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat